E Shtunë, 31 Tetor 2026

Entuziazëm në Romë, biletat e derbit shiten për 2 orë

ROME- Entuziazmi ka përfshirë gjithë kampin e Romës pas fitores 2-1 me Atalantën, që i ka dhënë kësaj skuadre vendin e parë në Serinë A italiane. Verdhekuqtë kanë lënë pas Interin edhe pse në fillim të fazës së dytë ndodheshin 14 pikë larg dhe askush nuk e besonte një gjë të tillë. Të dielën, Roma do të ketë edhe ndeshjen më të vështirë përsa i përket rrugës drejt titullit, pasi do të përballet në derbin me Lacion. Një fitore në derbi do të thoshte shumë për moralin, ndërkohë që kalendari më pas lehtësohet. Rëndësia e sfidës kuptohet edhe nga tifozët, pasi biletat e ndeshjes Lacio-Roma janë shitur të gjitha për dy orë. Një gjë e tillë rrallëherë kishte ndodhur vitet e fundit, pavarësisht rivalitetit historik mes dy kampeve. Lacialët kërkojnë të prishin festën e skuadrës tjetër të kryeqytetit, ndërsa romanistët duken më entuziastë se kurrë në fitimin e titullit. “Në dhomat e zhveshjes ekziston një atmosferë elektrizuese, tani të gjithë mendojmë për derbin”, deklaron Mirko Vuçiniç, një nga heronjtë e Romës në javët e fundit. Kur duhen edhe 5 javë deri në fund, Roma e Klaudio Ranierit ka 68 pikë, 1 më shumë se Interi dhe 4 larg Milanit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›