E Diel, 1 Nëntor 2026

Galiani, kritika lojtarëve: Humbëm një tjetër shans

MILANO- Një tjetër shans i pashfrytëzuar. Të nesërmen e barazimit 2-2 me Katanian, Adriano Galiani, administratori i Milanit, nuk i ka kursyer kritikat për futbollistët, të cilët nuk kanë ditur të shfrytëzojnë momentin e dobët të Interit. Galianit nuk i ka pëlqyer mënyra si ka luajtur skuadra, ndonëse përballë ishte një kundërshtar jo i nivelit të lartë. “është e vërtetë se kemi pasur shumë dëmtime, që kanë patur një peshë të madhe në sezonin tonë, - deklaroi numri 2 i Milanit. – Jam i kënaqur nga ajo çfarë kemi arritur deri tani, por gjithashtu mund të them se kemi humbur shumë shanse për të qenë të parët, siç ndodhi edhe me Katanian”. Galiani nuk ka kursyer as tifozët këtë herë, duke treguar se në momentin e golit të dytë të Katanias, janë kthyer drejt tij dhe e kanë duartrokitur në mënyrë ironizuese. Milani tashmë ndodhet 4 pikë larg kreut që mbahet nga Roma, megjithatë sezoni për këtë skuadër konsiderohet tepër pozitiv, duke parë se në fillim të tij askush nuk mendonte se kuqezinjtë do të ishin në këto nivele. Mungesa e Nestës, Patos dhe Devid Bekham ka ndikuar jo pak në ecurinë e Milanit në javët e fundit. Të dielën, skuadra e Leonardos barazoi 2-2 me Katanian, duke rrezikuar humbjen deri në momentet e fundit.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›