E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amaneti i Genc Lekës



Nga Bedri Blloshmi

Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi!

Mbas një kohe shumë të gjatë në izolim e në tortura të jashtëzakonshme, poeti dhe mësuesi Genc Leka, u tjetërsua. Nëpërmjet Komitetit të Partisë gjykata shpalli më 13 qershor 1977 se duhet të vdisnin Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Po këtë ditë, poetët i lidhin kokë e këmbë për 35 ditë rresht. Akoma sot e kësaj dite e kam në mendje zhurmën e zinxhirëve e të hekurave përgjatë korridorit, sipas lëvizjeve të këmbëve. Tri herë në ditë: mëngjes, drekë, darkë, sipas orarit të veprimeve korridori zhurmonte nga zinxhirët e këmbëve dhe më pas polici me hapa të rëndë thërriste: “Shpejt, shpejt”, duke i tërhequr prej litarit. Dua të bëj një sqarim për ata që nuk kanë qenë në burg dhe për ata që kanë pasur fatin ta dëgjojnë nga të tjerët kjo proceduarë behej kur të dënonin me vdekje (unë pata fatin ta provoj e të bëhet ky eksperiment në trupin tim). Më 12 qershor u shpall pretenca në kinemanë e Librazhdit e cila ndodhej përballë me Komitetin e Partisë. Prokurori Qani Lavdari me sytë e zgurdulluar e me një inat prej evgjiti, duke fshirë buzët e jargavitura me kurrizin e dorës vazhdon: “Genc Bardho Leka dënohet me vdekje me pushkatim, Vilson Sami Blloshmi me vdekje me pushkatim, Bedri Sami Bloshmi me vdekje me pushkatim. Seanca mbyllet, nesër në ora 10 jepet vendimi”. Na lidhën përsëri dy e nga dy, na ngjitën mbi gazin e zbuluar, na plasën në degën e Punëve të Brendshme nëpër biruca siç kishim qenë. Në birucë kisha një burrë rreth të 60-ave nga Çermenika, i dënuar 10 vjet për “agjitacion e propagandë”. Burrë i nderuar, fisnik, i pakompromentuar. Sapo hapet biruca, më futën brenda, mbyllet dera dhe unë u plasa në çimento. Nuk më mbanin gjunjët. Bashkëvuajtësi i tronditur, ndoshta më shumë se unë, u ul para meje dhe më pyeste pa pushim: “Hë Bedri! Sa u dënove?” dhe me njërën dorë më ledhatonte kokën e qethur. Unë komplet i pavetëdijshëm nuk kisha fuqi t’i përgjigjesha. Në çast hapet dera e birucës. Derën e zuri përgjegjësi i birucave, Axhem Dajlani, me një grumbull zinxhirësh e litarësh në të dyja duart. Shefi i hetuesisë mbante në dorë helmetën e zezë me hartën e Shqipërisë me ngjyrë të bardhë. “Largoju” i çirret të ndjerit Arif Çota, i cili qëndronte pranë meje. I lëshuan në çimento gjithë sa kishin në dorë, më lidhën duart, më lidhën këmbët. Selimi më ngjeshi në kokë helmetën. E lidhi nën mjekër me një rrip meshini. Me një zinxhir, “të hollë” sa llëra e dorës, ma shkuan në duar dhe këmbë. E kyçën me të shpejtë dhe i thanë shokut të birucës: “Kur të mpihet, ktheje në anën tjetër!” Dolën. Mbyllën derën. Korridori gumëzhinte nga zhurma e të qeshurës së sigurimsave. Është e qartë se të njëjtën gjë duhet të kenë bërë dhe me Gencin dhe Vilsonin. Të nesërmen, në orën 10, sipas fjalës së prokurorit, na futën në sallë. Mbasi e gjithë salla me të ftuarit u ngrit në këmbë, u dha vendimi. Genci me vdekje me pushkatim, Vilsoni me vdekje me pushkatim, Bedriu me 25 vjet heqje lirie, një herë për një herë, tha kryetari i gjykatës, Subi Sulçe, nga Skrapari. Genci, i lidhur kokë e këmbë, priste vdekjen. Në birucë kishte një të dënuar me dy vjet burg për një krim ordiner. Ky ishte një bashkëpunëtor Sigurimi me pseudonimin “Lundronjësi” (ky pseudonim është gjetur nga unë në dosjen operative të Genc Lekës) që deshifrohet Iljaz Balliu. Ky spiun mbante dhe një nofkë tjetër, “Veshpreri”. Njërin vesh e kishte gjysmë të prerë, sepse shkonte me gruan e një fshatari. Ai e kapi, i preu veshin dhe e lëshoi. Ky bashkëpunëtor i Sigurimit ka qëndruar me Gencin për 35 ditë rresht dhe i shërbente në birucë për ta kthyer kur mpihej Në një rast, Genci, mbas shumë bisedash që bënte me të, është shprehur: “S’kam pas kujt t’i dërgoj fjalë Bedriut për t’i lënë një amanet”. Spiuni iu përgjigj: “Ia çoj unë mbas një mikut tim që është dënuar me 10 vjet burg si armik. Këta patjetër do takohen gjatë burgut”. Atëherë Genci i tha: “I thoni Bedriut, kur të dalë nga burgu, të interesohet të më gjejë babanë (Bardhon) e ta sjellë e ta varrosë në Bërzeshtë. Unë jam i bindur se Bedriu do ta mbajë fjalën, amanetin s’e tret as dheu!”

Zoti President, ky është amaneti i të ndjerit Genc Leka, i pushkatuar nga diktatura komuniste më 17 korrik 1977 bashkë me Vilson Blloshmin. Unë e kuptoj dhe shoh interesimin e shtetit që ka harruar të gjallët e jo më të merret me amanete apo njerëz të vdekur. Por, po ju shkruaj dhe transmetoj amanetin. Unë vetë nuk kam mundësi financiare (kam 12 vjet pa punë). Bardho Leka i arratisur në vitin 1951 në Jugosllavi, vdiq në 1968 në Prizren ose Dubrovnik të ish-Jugosllavisë. Në qoftë se keni ndjenja dhembshurie, të cilat tashmë i keni treguar në disa raste të veçanta, siç është edhe rasti i Bardho Lekës, dhe si kryetar shteti, kërkojmë ndërhyrjen Tuaj për të na përkrahur si ligjërisht, edhe financiarisht për kthimin e eshtrave të të ndjerit në vendlindje. Duke ju falënderuar paraprakisht dhe duke pasur besimin në autoritetin dhe dashamirësinë Tuaj, jemi në pritje të një përgjigjeje pozitive.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›