Enver Hoxha: “Revizionistët fshehin tradhtinë me demagogji”
Shqipëria denoncon Bashkimin Sovjetik si shkelës të rrugës së Leninit. Përgjigjja zyrtare e komunistëve shqiptarë për rrugën që ndoqi Hrushovi
Nën udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë populli ynë ka korrur fitore me rëndësi historike. Ai kreu me sukses revolucionin popullor, ndërtoi bazën ekonomike të socializmit dhe tani po punon me vrull dhe entuziazëm të madh për ndërtimin e plotë të socializmit në vendin tonë. Këto fitore janë arritur, para së gjithash, pasi Partia jonë e Punës, besnike e patundur e interesave të klasës punëtore dhe e masave punonjëse të vendit tonë, besnike e internacionalizmit proletar, ka zbatuar një vijë të drejtë, të pastër si kristali, të mbështetur plotësisht me mësimet e pavdekshme të marksizëm-leninizmit, ka ditur të zbatojë këto mësime në mënyrë krijuese në kushtet konkrete të vendit tonë. Partia jonë ka realizuar me sukses detyrat e saj të rënda, ka ecur përpara pa u tërhequr përpara çdo vështirësie e pengese, sepse ajo është e lidhur me to si mishi me kockën. Lidhja shumë e ngushtë me masat ka qenë dhe është gjithashtu burimi i forcës e i pathyeshmërisë së partisë. Por partia jonë është e fortë gjithashtu për shkak të organizimit të saj të shëndoshë, të unitetit dhe kompaktësisë të hekurt të radhëve të saj. Ajo, që në ditët e para të formimit të saj dhe kurdoherë, strukturën organizative dhe tërë veprimtarinë e saj e ka ndërtuar mbi bazën e mësimeve të Leninit të madh. Puna vigane që ka zhvilluar V. I. Lenini për ndërtimin e partisë së bolshevikëve, lufta e pamëshirshme dhe e gjatë që ai ka zhvilluar kundër oportunistëve të ndryshëm, janë një thesar i paçmueshëm për të gjitha partitë marksiste-leniniste. Ato kanë qenë dhe janë gjithnjë një armë e fuqishme në luftën e drejtë për triumfin e plotë të çështjes së madhe të socializmit e të komunizmit. Duke sulmuar e demaskuar me forcë “ekonomizimin”, si një variant rus i revizionizmit, V. I. Lenini tregoi si “ekonomistët” në fakt hiqnin dorë nga lufta revolucionare e klasës punëtore, nga revolucioni, nga diktatura e proletariatit, nga socializmi. “Ekonomistët” kërkonin që vijës së tyre revizioniste t’u përgjigjej patjetër edhe vetë karakteri i partisë: nga një parti e revolucionit shoqëror, e aftë të udhëheqë klasën punëtore në një luftë të ashpër dhe heroike klasash, ajo të shndërrohej në një parti reformash shoqërore, në një parti, e cila, në vend që të udhëhiqte e të shpinte përpara luftën e klasës punëtore dhe të masave të tjera të shfrytëzuara, të rrinte në bisht të ngjarjeve, të merrej me regjistrimin e tyre. V. I. Lenini jo vetëm përpunoi hollësisht edhe parimet organizative, fushë kjo ku u shfaq për herë të parë qëndrimi i tyre revizionist e armiqësor. Qysh atëherë kanë kaluar 60 vjet, por gjithë historia e zhvillimit ngadhënjyes të marksizmit treguan vërtetësinë dhe forcën e madhe të parimeve organizative të ndërtimit të partisë të përpunuara nga V. I. Lenini. Ato kanë qëndruar të patundura përballë të gjitha provave. Jeta ka treguar se çdo largim nga to krijon rreziqe serioze dhe i sjell dëme të mëdha çështjes së klasës punëtore. Shembull i gjallë për këtë është fakti se ku e ka çuar klika e Titos ish-Partinë Komuniste Jugosllave. Patjetër partitë marksiste-leniniste, si në të gjitha çështjet e tjera, edhe në ato të ndërtimit të partisë, qëndrojnë në pozitat e marksizmit krijues. Duke ruajtur të patundura parimet organizative të ndërtimit të partisë, në përshtatje me kushtet e reja, me kushtet historike konkrete të secilit vend, të eksperiencës së grumbulluar dhe të përgjithësimit shkencor marksist-leninist të kësaj eksperience, partitë marksiste-leniniste i zhvillojnë më tej parimet organizative dhe normat leniniste të jetës së partisë, sidomos të rolit të saj udhëheqës, si reparti pararojë, si partia politike e klasës punëtore, masa që shpien në dobësimin e hallkave më të rëndësishme të strukturës së saj organizative, që dobësojnë disiplinën e partisë dhe vigjilencën e komunistëve, që çarmatosin klasën punëtore dhe partinë e saj përpara detyrave të mëdha që kanë. ”Karakteristikë për revizionistët, - thotë shoku Enver Hoxha, - është se ata nuk sulmojnë hapur, por, me pretekstin e “kushteve të reja”, hidhen kundër tezave të veçanta të marksizëm-leninizmit dhe përpiqen të argumentojnë tezat e tyre revizioniste. Një karakteristikë tjetër e revizionistëve të sotëm është se goditjet e tyre i drejtojnë kryesisht në ato çështje ku demagogjia do të mund të mbulonte më lehtë tradhtinë e tyre”. Demagogjia dhe mashtrimi janë armët e tyre kryesore. Jo më kot V. I. Lenini thoshte se “demagogët janë armiqtë më të liq të klasës punëtore”. (Vepra të zgjedhura, vëllimi I, faqe 206, bot shqip). Partia jonë e Punës, Komiteti Qendror i saj me shokun Enver në krye, e kanë konsideruar kurdoherë demokracinë e brendshme të partisë, zhvillimin e kritikës dhe të autokritikës së shëndoshë e parimore, si një armë të fuqishme për rritjen e forcave të komunistëve, forcimin e mëtejshëm të rolit të organizatave të partisë, rritjen e aftësive të tyre mobilizuese e organizuese. Ajo i ka konsideruar gjithashtu këto një armë të shëndoshë për rritjen e aktivitetit krijues të klasës punëtore dhe të masave të tjera punonjëse. Në të vërtetë, ky është kriteri më i saktë i drejtë për të bërë një vlerësim të vërtetë mbi shkallën e zhvillimit të demokracisë së brendshme të partisë, të kritikës e autokritikës, mbi pjesëmarrjen e lirë të komunistëve në diskutimin dhe zgjidhjen e problemeve të partisë. Praktika, si kudo, edhe këtu është kriteri më i mirë i së vërtetës. Jeta e gjallë, e shëndoshë e organizatave të partisë është pasqyra më e mirë. Një dëshmi e qartë e saj është zhvillimi i zgjedhjeve në parti. Në gjithë partinë tonë sapo mbaruan mbledhjet për dhënie llogari e zgjidhje në organizatat-bazë dhe së shpejti do të zhvillohen konferencat e partisë. Si kurdoherë, ato u karakterizuan nga një unitet i çeliktë rreth vijës marksiste-leniniste të partisë sonë, nga pjesëmarrja e gjallë e komunistëve në diskutimin e problemeve të partisë e të shtetit, në përpunimin kolektiv të masave për realizimin e detyrave që na presin për vitin 1936. Diskutimet e shëndosha të komunistëve, në bazë të kritikës dhe të autokritikës, gatishmëria për të luftuar me të gjitha forcat për të vënë në jetë mësimet dhe porositë e partisë, përbëjnë një tregues të gjallë të besnikërisë të tyre ndaj çështjes së saj, të kuptimit të lartë nga ana e tyre, të punës së madhe që zhvillon partia për ndërtimin e së ardhmes së lumtur të popullit tonë, të luftës heroike që ajo zhvillon kundër imperializmit dhe shërbëtorëve të tij, revizionistëve modernë. Karakteristikë e fushatës së zgjedhjeve në parti është mobilizimi akoma më i mirë i komunistëve dhe i gjithë punonjësve për realizimin e detyrave të ngarkuara në sektorët e tyre të punës. Ato ishin një tregues i rëndësishëm i forcës e i unitetit të partisë sonë të lavdishme. Vërejtjet, kritikat dhe propozimet që u bënë kanë jo vetëm një vlerë të madhe për përmirësimin e mëtejshëm të punës së partisë, por janë një tregues i rëndësishëm i zbatimit të vërtetë të demokracisë së brendshme të saj. Këto janë, mbi të gjitha, rezultati i zbatimit me konsekuencë nga ana e partisë sonë të parimeve organizative leniniste. Prandaj zhvillimi periodikisht i zgjedhjeve në parti, që përbën një nga parimet më të rëndësishme të statusit të partisë, të demokracisë së saj të brendshme, ka zënë dhe zë një vend të rëndësishëm. Kongresi i 4-t i PPSH-së bëri bilancin e punës së madhe të popullit tonë, të udhëhequr nga partia, për ndërtimin e socializmit. Në vendin tonë u krijua baza ekonomike e socializmit si në qytet, ashtu edhe në fshat dhe tani, siç e përcaktoi Kongresi i 4-t, ai ka hyrë në një etapë të re, në atë të ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste. Suksese të shkëlqyera janë arritur në këtë rrugë të lavdishme. Ato tregojnë drejtësinë e vijës së përgjithshme të partisë sonë, të tezave dhe vendimeve historike të Kongresit të 4-t. Vija e drejtë, orientimi marksist-leninist që ka pasur dhe ka në themelin e punës së saj partia jonë, ka rritur dhe forcuar gjithnjë më tepër rolin e organizatave të saj kudo ku ato veprojnë.
Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i Popullit” në datën 23 mars 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
11 Mars 2008