E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në Vrapaj, digjet banesa, humbim jetën dy të mitur

Renato e Klezart Prendi, 13 dhe 15 vjeç, ishin vetëm në shtëpi. Ekspertiza: “Ngjarja e Sharrës, shkak një shkëndijë elektrike”
Luan Kondi

TIRANË – Pa u shëruar ende plagët e tragjedisë së Farkës, një tjetër ngjarje ka ndodhur në rrethinat e kryeqytetit shqiptar. Zjarri që ra në një banesë në fshatin Vrapaj, disa kilometra larg kryeqytetit, rreth orës 21:30 të mbrëmjes të së dielës, u ka marrë jetën dy të rinjve, teksa asnjë nga prindërit nuk ndodhej në shtëpi. Burime policore thanë për gazetën se i ati ishte emigrant në Greqi, ndërsa e ëma kishte shkuar tek një i afërmi i saj, pa menduar se mund t’i ndodhte fatkeqësia. Të miturit kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga gjuhët e flakëve që përfshinë shtëpinë e tyre. Sipas policisë, zjarri kishte rënë në banesën e Sotiraq Prendit.
Ngjarja
Në momentin e rënies së zjarrit fëmijët e çiftit Prendi, Renato e Klezarti, përkatësisht 13 dhe 15 vjeç, ndodheshin vetëm në shtëpi. Pas sinjalizimit, forcat e policisë së Komisariatit nr. 6, shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimi shëndetësor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Banorët e fshatit kanë mundësuar nxjerrjen e fëmijëve nga shtëpia. Të miturve u është dashur të ecin rreth 2 km në këmbë, për shkak të terrenit tepër të vështirë, që nuk lejonte kalimin e automjeteve. Më pas ata janë marrë nga autoambulancat dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Gjatë natës gjendja shëndetësore e fëmijëve ka pësuar komplikacione dhe vëllezërit Prendi nuk kanë mundur të qëndrojnë në jetë. Ndërkaq, gjatë operacionit të shpëtimit plagë ka marrë edhe një prej efektivave të policisë. Nga konkluzionet e nxjerra nga grupi hetimor në vendngjarje paraprakisht rezulton se shkak i rënies së zjarrit në banesë ka qenë shkëndija elektrike.
I dëmtuari
Fatmirësisht punonjësi i Policisë së Tiranës, i cili mbeti i plagosur gjatë ndërhyrjes në operacionin e shpëtimit për nxjerrjen nga banesa të dy vëllezërve Klezart dhe Renato Prendi, në Kodër Sharrë, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur dje se efektivi i policisë, Ruzhdi Dedja, ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, nën trajtimin dhe kujdesin e mjekëve dhe gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën. Konstatimi është bërë nga bluzat e bardha të Pavijonit të Djegieve. Punonjësi i policisë, Dedja, mori plagë në trup gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit që përfshiu mbrëmjen e së dielës një banesë në Vrapaj, në Kodër Sharrë, Tiranë.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›