Enver Hoxha, me muze në Gjirokastër
Për të joshur turistët e huaj dhe vendas, Bashkia e Gjirokastrës ka hartuar një projekt që parashikon shndërrimin në muze të shtëpisë së lindjes së ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. Banesa që ndodhet në lagjen “Palorto” të qytetit është menduar si “karrem” për të tërhequr vizitorët në Muzeun Etnografik, ku ndodhet edhe shtëpia e ish-udhëheqësit komunist.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Zyrës së Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës, Odise Kote, i cili gjatë një konference me temë rikonceptimin e muzeve, ka deklaruar se sipas projekteve të hartuara nga bashkia në bashkëpunim me organizata të ndryshme joqeveritare po parashikohet që shtëpia e lindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha të kthehet në një qendër shumëdimensionale të profilit muzeor-turistik.
Duke folur për këtë të ardhme të shtëpisë së lindjes së ish-udhëheqësit komunist shqiptar, zoti Kote tha: “Ka ardhur koha që në vend të muzeve të luftës dhe të armëve të ngremë muzeun e luftës së ftohtë dhe absurdit komunist. Ndërkohë që nuk ka pse të kemi frikë të themi se ka ardhur koha që të ngrihet muzeu i Enver Hoxhës, pasi emri i tij josh vizitorët dhe turistët e huaj, të cilët tregojnë interes të veçantë kur marrin vesh se ai ishte me origjinë nga Gjirokastra dhe se shtëpia e tij e lindjes është kthyer në Muze Etnografik”.
Projekti parashikon kthimin e shtëpisë në muze të ish-diktatorit, duke vendosur në eksponatet e këtij muzeu objekte origjinale të përdorura nga Enver Hoxha gjatë kohës së luftës dhe periudhës së sundimit komunist. “Nisma për të ngritur një qendër muzeore të konceptuar ndryshe nga të tjerat, ka si qëllim thithjen e një numri të madh turistësh, për të cilët çdo gjë që lidhet me emrin e Enver Hoxhës në këtë qytet paraqet mjaft interes. Për të realizuar këtë gjë, bashkia i është drejtuar Muzeut Historik Kombëtar për të marrë objekte autentike të përdorura nga Enver Hoxha”, tha drejtori i Zyrës së Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, Odise Kote.
Më tej ai ka shtuar se disa prej dhomave të shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës mund të shërbejnë edhe për mjedise studimi dhe eksplorimi për specialistët që do të jenë të interesuar të eksplorojnë rreth jetës së ish-diktatorit, periudhës komuniste apo edhe gjurmëve të etnografisë shqiptare. “Pse jo aty mund të ketë edhe dy-tri dhoma për fjetje për ata që dëshirojnë të shikojnë ëndrra diktatoriale", është shprehur në lidhje me këtë projekt drejtori Kote. Po sipas tij, banesa do të përshtatet në një qendër rekreative shumëdimensionale, çka do të sjellë një paraqitje të re në mozaikun e vlerave në Gjirokastër.
#