Historia e shtëpisë
Shtëpia e lindjes së Hoxhës, një godinë 2 dhe 3-katëshe e ndërtuar me mure dhe çati guri ndodhet në “Palorto”. Ajo është ndërtuar në shekullin XVIII dhe u dogj gjatë pushtimit grek në vitin 1913, kur Hoxha ishte 5 vjeç dhe u rindërtua në vitin 1967 nga shteti komunist për të vendosur në këtë godinë Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare për Qarkun e Gjirokastrës. Mësohet se pas djegies në vitin 1913 kanë mundur të shpëtojnë disa sende të pakta të përdorimit të përditshëm: një sënduk, disa orendi kuzhine, një qilim dhe një jorgan, të cilat më vonë nga vetë familja Hoxha iu dhuruan muzeut të qytetit bashkë me një sahat shekullor muri, që nga vetë Enver Hoxha iu dhurua gjimnazit "Asim Zeneli" ku ai kishte përfunduar disa klasë shkollë. Gjatë rindërtimit të shtëpisë në vitin 1967, shteti komunist i asaj kohe ruajti origjinalitetin dhe karakteristikat arkitekturore më të mira të një shtëpie tipike gjirokastrite, duke filluar që nga pamja e jashtme, muret, tavanet, sergjenet, dollapët e murit, papafingoja, çatia me rrasa guri etj. Në vitin 1997, persona ende të paidentifikuar shpërthyen në themelet e saj një sasi eksplozivi që e dëmtoi pjesërisht atë dhe vetëm pas shumë kohësh ajo u rikonstruktua, duke u kthyer në Muze Etnografik dhe vazhdon të funksionojë si i tillë deri më sot.
#