E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyten në rezervuar dy vëllezër 22 dhe 24 vjeç

Mat Njëri u fut në ujë për të shpëtuar tjetrin

Shkojnë në rezervuar për t’u freskuar, mbyten dy vëllezër nga Rrethi i Matit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Derjan, kur vëllezërit Ervin dhe Enkel Xhetani, përkatësisht 22 dhe 24 vjeç, janë mbytur në ujërat e rezervuarit të fshatit, teksa po laheshin së bashku me një grup shokësh. Sipas banorëve të fshatit, mësohet se fillimisht ka ndjerë vështirësi njëri prej të rinjve. Ai ka kërkuar ndihmë dhe drejt tij ka notuar i vëllai. Por pa mundur ta shpëtojë. Të dy djemtë e familjes Xhetani janë mbytur, ndonëse shokët e tyre janë përpjekur t’i nxjerrin me shpejtësi në tokë. Sipas policisë, trupat e vëllezërve janë nxjerrë nga uji prej shokëve të tyre që po laheshin në rezervuar së bashku me ta, por të pajetë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë kriminale nga Komisariati i Matit, si dhe një grup ekspertësh hetues, që po punojnë për të përcaktuar shkaqet e vërteta të ndodhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë ku humbën jetën tragjikisht dy vëllezërit Xhetani.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›