Enveri, Stalinit: Na vjen turp, na vret ndërgjegjja që nuk kemi plotësuar planet
Ferdinand Dervishi
Dokumenti i mëposhtëm është përmbajtja e një letre që Enver Hoxha i dërgon Stalinit, kur edhe vetë ndodhej në Bashkimin Sovjetik, në nëntor 1949. është koha kur me ndihmën e sovjetikëve, Enver Hoxha ka triumfuar mbi rivalin e tij, Koçi Xoxe, duke çuar në kohë të shkurtër anijen shqiptare nga brigjet jugosllave në ato sovjetike. Në letrën e shkruar në frëngjisht, Enver Hoxha tregohet shumë i përulur para Stalinit dhe shtetit sovjetik, madje ai raporton sikur të ishte kreu i njërës prej republikave të përfshira nën Bashkimin Sovjetik. Enveri informon Stalinin për gjithçka, për problemet me komunistët grekë, diversionin nga Jugosllavia, Greqia e Italia deri edhe për rekrutimin e ushtarëve, pa harruar të mburrë këshilltarët sovjetikë pranë tij, por edhe Mehmet Shehun si dorë e fortë në krye të Ministrisë së Brendshme, etj. Po kështu Enver Hoxha informon Stalinin për gjendjen e ekonomisë, i kërkon ndjesë për mosrealizimin e planeve, por edhe i propozon që në rast të mungesës së mjeteve, të krijojnë shoqëri të përbashkëta shqiptaro-sovjetike për shfrytëzimin e naftës, bakrit e kromit. Më poshtë përkthimi i plotë i dokumentit autentik.
Letra shoqëruese e V. G. Gregorjanit për I.V. Stalinin me përkthimin e letrës së E. Hoxhës udhëheqjes sovjetike
Q. Moskë
16 nëntor 1949
SHUME SEKRET
Shokut Stalin
Po ju paraqes përkthimin nga frëngjishtja të letrës së Sekretarit të Përgjithshëm të KQ të PPSH-së, shokut Enver Hoxha, adresuar KQ të PK të BS (b) në emër të shokut Stalin. Letra origjinale në frëngjish është e bashkëngjitur.
Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të KQ të PK të BS (b)
V. Gregorjan.
16 nëntor 1949
Përkthimi nga frëngjishtja
Komitetin Qendror të PK të BS(b), shokut Stalin
Moskë.
Të dashur shokë!
Unë erdha në Moskë që t’ju parashtroja çështjet e mëposhtme, që shqetësojnë Komitetin tonë Qendror dhe njëkohësisht të marr këshillën tuaj të çmueshme.
1-çështja greke
Mes Byrosë sonë Politike dhe Byrosë Politike greke ka mosmarrëveshje thelbësore, që kanë të bëjnë me linjën e Partisë Komuniste greke dhe gjithashtu, me ecurinë e luftës çlirimtare në Greqi. Ne tashmë i kemi shtruar këto mosmarrëveshje në dy letrat tona të dërguara Komitetit Qendror të Partisë Bolshevike. Mendimet dhe vërejtjet tona të bëra në adresë të shokëve grekë morën një rëndësi të veçantë, sidomos kur shokët grekë nisën të përjashtonin mundësinë e çfarëdolloj gabimi thelbësor në punën e tyre të partisë dhe në ecurinë e luftës çlirimtare. Shokët grekë e përshkruajnë humbjen e tyre me shkaqe, të cilat pa asnjë dyshim kanë kuptimin e tyre, por ata nuk dëshirojnë t’i shohin gabimet e tyre, të cilat sipas mendimit tonë, janë jashtëzakonisht serioze. Sjellja e shokëve grekë me ne jo vetëm që është e hapur jomiqësore, por edhe shumë e dyshimtë. Fakte të reja u shtohen atyre, për të cilat ne tashmë kemi njoftuar në letrat tona KQ-nw e Partisë Bolshevike dhe kjo e bën sjelljen e tyre në sytë tanë akoma më tepër të dyshimtë. Duke pasur parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj çështjeje, ku nuk përjashtohet mundësia e gabimeve dhe e vlerësimit të situatës nga ana jonë, unë do të dëshiroja t’jua parashtroja juve këtë çështje delikate dhe të kërkoj ndihmën dhe këshillën tuaj në lidhje me vijën e sjelljes, të cilës ne duhet t’i përmbahemi në çështjen greke.
II-Gjendja e brendshme e Shqipërisë
Momentet e vështira, të krijuara këtë verë nga monarko-fashistët dhe titistët, që veprojnë kundër vendit tonë sipas urdhrave të imperialistëve amerikanë e anglezë, u mënjanuan me sukses falë ndihmës së madhe të Bashkimit Sovjetik dhe patriotizmit të popullit tonë, partisë sonë dhe ushtrisë sonë. Kjo ishte një provë e rëndë, që na mësoi shumë, duke na treguar se ku gjenden gabimet tona që duhen korrigjuar dhe gjithashtu sukseset e arritura nga partia e populli ynë, të cilat duhet t’i forcojmë dhe zhvillojmë më tej. Ushtria jonë e përballoi mirë goditjen si nga këndvështrimi teknik, ashtu edhe nga këndvështrimi i guximit dhe patriotizmit. Pa marrë parasysh mangësitë, që ende ekzistojnë në ushtrinë tona, ajo arriti suksese të mëdha falë ndihmës së instruktorëve sovjetikë me përvojë dhe veçanërisht të shokut Lebedev, i cili me anë të njohurive të tij ka qenë gjithmonë dhe në veçanti në momente të vështira të kësaj vere, një ndihmës i paçmuar për mua dhe Shtabin tonë të Përgjithshëm.
Në periudhën e vështirë të kësaj vere, patriotizmi që u shfaq nga masat ishte shumë i madh. Besimi ynë në partinë dhe në Bashkimin Sovjetik ishte i patundur. Puna armiqësore e armiqve të brendshëm pati jo shumë sukses. I gjithë populli u ngrit për të drejtën e vet. Në të njëjtën periudhë amerikanët, duke vepruar përmes Italisë, hodhën në jug dhe në veri të Shqipërisë një grup desantësh parashutistë. Një pjesë të këtyre diversantëve ne i vramë, të tjerët i kapëm robër. Duke parashikuar komplikime në kufirin tonë jugor, ne u morëm me spastrimin e pjesës veriore të Shqipërisë nga bandat e banditëve politikë apo të zakonshëm, të udhëhequr nga Rankoviçi. Këto banda, që paguheshin nga jugosllavët, kryen disa atentate. Spastrimi ynë shkoi me sukses: disa i vramë, ndërsa të gjithë të mbeturit kaluan në territorin jugosllav, ku gjenden edhe aktualisht. Politika e Titos dhe Rankoviçit për të tërhequr në territorin e tyre shqiptarë për formimin me anë të tyre të grupeve të sabotimit dhe të diversionit, dështoi. Në kohët e tanishme vihen re shumë pak kalime të kufirit. Qeveria jonë ka marrë masa ekonomike, ndërsa puna organizative e politike e partisë është rritur. Imperialistët po përgatisnin jashtë kufijve tanë grupe diversantësh, monarko-fashistët nga njëra anë, titistët nga ana tjetër. Italianët gjithashtu nuk ngelen pas tyre. Plani ynë aktual ka për qëllim asgjësimin e mbeturinave të banditëve, që sillen në malet tona, dhe ne tashmë kemi krijuar për ta kushte shumë të rënda të mbijetesës duke asgjësuar bazat e tyre, të cilët kryesisht janë kulakët. Shumica e grupimeve reaksionare në qytete janë të njohura nga organet tona të sigurisë së shtetit, që kanë arritur shumë rezultate pozitive dhe suksese. Partia jonë korrigjoi gjendjen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që ishte një çerdhe titistësh. Sigurimi i shtetit është bërë një armë shumë e fuqishme e partisë. Gjenerali Mehmet Shehu është një udhëheqës i çmuar, dhe atë e ndihmon në detyrën e tij të ndërlikuar dhe të vështirë këshilltari i paçmuar sovjetik, shoku Glazkov. Ne bëmë një mobilizim të ri. Gjithçka shkoi mirë. Mësimi i rekrutëve do të nisë më 1 dhjetor. Partia i ka vënë vetes detyrë që deri në mars të vihet në një pozicion të qëndrueshëm që të mënjanojë e likuidojë goditjet dhe tentativat e mundshme nga ana e armiqve tanë të shumtë në numër. Ne kemi shumë mangësi dhe vonesa në punën tonë organizative e politike të partisë dhe të shtetit, e cila në një masë të konsiderueshme ka ndikuar në plotësimin e planit tonë ekonomik. Ne nuk e kemi plotësuar planin ekonomik të këtij viti, kryesisht në industrinë e naftës, në prodhimin e kromit, bakrit, bitumit. Ne patëm rezultate të mira në korrjen e grurit dhe shpresojmë të kemi edhe në atë të misrit. Rezultatet e planit tonë në kulturat teknike janë të keqe. Ne nuk mundemi në këtë vit të plotësojmë detyrimet tona të marra kundrejt Bashkimit Sovjetik për atë ndihmë aq të madhe që na ka dhënë. Ne na vjen shumë turp dhe na vret ndërgjegjja për këtë gjendje. Partia dhe populli ynë do të mobilizojnë të gjitha forcat e tyre që të likuidojnë këtë vonesë. Nga këndvështrimi ekonomik, fillimi i këtij viti ishte shumë i vështirë për popullin tonë, por në tri muajt e fundit, gjendja ekonomike është përmirësuar ndjeshëm falë ndihmës që morëm nga Bashkimi Sovjetik dhe nga vendet e demokracive popullore. Financat tona janë përmirësuar ndjeshëm. Ne kemi përmirësuar kushtet e jetës së punonjësve tanë edhe pse na duhet ende të bëjmë shumë në këtë drejtim. Neve na u desh që të riorganizojmë nga rrënjët të gjithë aparatin tonë të shtetit, ndërmarrjet, kooperativat etj., dhe llogarisim se kemi bërë një punë të madhe dhe e gjitha kjo falë instruktorëve sovjetikë, të cilët na ndihmojnë me të gjitha forcat, me shumë sinqeritet e zemër të pastër. Partia jonë forcohet dita-ditës, në partinë tonë të re ka shumë kurajë dhe guxim. Niveli ideologjik dhe kulturor i partisë sonë është i ulët, por ka një dëshirë të madhe për studime. Ne po punojmë në këtë drejtim për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Ne kemi shumë boshllëqe në punën tonë të partisë, por falë përvojës së pakufishme të Partisë Bolshevike, ne i rregulluam këto mangësi. Ne ju lutemi juve, shoku Stalin, të na dërgoni nga Partia Bolshevike një shok që të na ndihmojë ne, udhëheqësit e Partisë së Punës së Shqipërisë, në çështjet partiake. Unë shpreh këtu dëshirën e gjithë Komitetit tonë Qendror si dhe timen.
Kështu në vija të përgjithshme qëndron gjendja e brendshme në vendin tonë. Ne kemi vënë të gjitha forcat tona që partia jonë të përmirësojë rezultatet e punës së saj që të jetë plotësisht e denjë për atë ndihmë të madhe që po na jepni. Unë kam dëshirë të theksoj, shoku Stalin, edhe ndihmën e paçmuar, që na ka dhënë ditë pas dite shoku çuvahin dhe shoku Gjeneral Sokolov, të cilët janë shokë të dashur dhe besnikë të popullit dhe partisë sonë. Situata ndërkombëtare ushtron një ndikim të madh në situatën tonë të brendshme, prandaj unë ju lutem juve, shoku Stalin, nëse është e mundur, të më tregoni se si e shikoni gjendjen e Shqipërisë në lidhje me situatën ndërkombëtare.
III. Për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë sonë dhe shoqëritë e përbashkëta sovjetiko-shqiptare.
Në vendin tonë ka pasuri minerare të cilat nuk shfrytëzohen. Grupi i shkencëtarëve dhe gjeologëve, të cilët Qeveria Sovjetike do na dërgojë këtë vit, do të përcaktojë ku dhe në çfarë sasie ato gjenden. Veç kësaj, ne kemi burime të shfrytëzueshme të naftës, kromit, bakrit e të tjera. Nga të dhënat paraprake të specialistëve sovjetikë, që gjenden në Shqipëri, ne kemi më shumë rezerva nafte, bakri dhe kromi, pa folur tashmë për bitumin natyral. Falë kredive të akorduara nga qeveria Sovjetike ne kemi përmirësuar shfrytëzimin e këtyre produkteve të çmuara. Kjo është e pamundur të bëhet me forcat tona dhe me mjetet që kemi në dispozicion. Pjesa më e madhe e kredive, të cilat na u dhanë nga qeveria sovjetike dhe vendet e demokracive popullore, janë përdorur për përmirësimin, në një masë të caktuar, të shfrytëzimit ekzistues. Kjo çon në rezultatin, ku, nga njëra anë ne nuk mundemi të përdorim, siç do të donim, pasuritë tona minerale, si ato të shfrytëzueshme, edhe të tjerat, dhe, nga ana tjetër, ne nuk mundemi të aktivizojmë degët e tjera të industrisë. Marrim burimet tona ekzistuese. Plani ynë i këtij viti nuk u realizua. Ka shumë mangësi organizative të partisë sonë, por ka edhe sabotim sistematik të jugosllavëve, na mungon energjia elektrike dhe specialistët e nevojshëm. Vetëm për uzinën e rafinerisë së re, që na u dha nga qeveria sovjetike, të cilën do ta fusim në punë vitin tjetër, neve na duhen 50 inxhinierë –specialistë, pa folur tashmë për inxhinierët e tjerë për punimet në Kuçovë e Patos, që nuk na mjaftojnë. Për nxjerrjen e kromit, që gjendet me shumicë në sipërfaqe, neve nuk na mjaftojnë mjetet e transportit dhe pajisje të tjera të nevojshme. E njëjta gjë edhe me bakrin. Nëse ne do të marrim parasysh zhvillimet e ardhshme, të dhëna të sakta për të cilat do të japë grupi i shkencëtarëve sovjetikë, të cilët do e studiojnë këtë çështje në vend, atëherë ne këtë punë, që paraqet një interes të madh për të ardhmen e vendin tonë e kampin socialist, nuk mund ta përmbushim me forcat tona.
Byroja jonë Politike është marrë me studimin e kësaj çështjeje dhe ka dalë në përfundimin se në lidhje me punimet në vendburimet e naftës dhe të bakrit e gjithashtu për depozitat e kromit, nëse ne nuk mund të marrim mjete transportuese, që në rastin më të keq, të mundemi ti shfrytëzojmë vetë këto të fundit – ne i kërkojmë Qeverisë Sovjetike të themelojmë shoqëri të përbashkëta për këto tri degë të industrisë. Ne mund ta shtrojmë këtë problem në këshillin ekonomik, po para se ta ngremë këtë çështje në këshillin ekonomik, ne dëshirojmë të dimë mendimin tuaj, shoku Stalin. Ne do bëjmë atë që ju do na këshilloni. Ne jemi të mbushur me shumë dëshirë ti zhvillojmë këto shoqëri bashkë me Bashkimin Sovjetik. Kjo do të jetë një ndihmë e madhe, të cilën Bashkimi i lavdishëm Sovjetik sërish do ja japë popullit tonë dhe ndërtimit të socializmit në vendin tonë. Vendi ynë i vogël, nga ana e tij do të japë gjithë çfarë ka në shërbim të forcimit të kampit tonë socialist. Ne besojmë se populli ynë sheh në këtë ndihmë të madhe nga Bashkimi Sovjetik, shpëtimtarin e tij të çdo kohe, sigurimin e mirëqenies së vet, garancinë e lirisë e pavarësisë së tij, të garantuar përgjithmonë nga Bashkimi Sovjetik, partia e bolshevikëve dhe shoku i lavdishëm Stalin, për të cilin ushqen një ndjenjë të thellë dashurie e përkushtimi të pakufishëm.
Më lejoni, shoku Stalin, t’Ju shpreh në emër të të gjithë popullit tonë, të gjithë vendit tonë, Komitetit Qendror të tij dhe në emrin tim, dashurinë tonë të madhe dhe devotshmërinë tonë të madhe.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha.
Moskë, 16 nëntor 1949
Përkthyen – Vasova, Gornung
AP. RF. F. 3. Op 64. D 46. L. 61-68
ORIGJINAL
Enveri, si i kërkoi Hrushovit djalin dhe kufomën e Stalinit
Ferdinand Dervishi
Enver Hoxha e kishte idhull Stalinin. Kjo ishte një ndjenjë që ai nuk përpiqej ta fshihte dhe dihet se sa qe gjallë, kreu i komunistëve shqiptarë, nuk u lodh së thëni se Partia e Punës e Shqipërisë ecte në gjurmët e mësimeve të Stalinit të madh.Pas vdekjes së Stalinit, Enver Hoxha i kërkoi Hrushovit ta lejojë të marrë në Shqipëri djalin e udhëheqësit të madh, Vasilii Stalinin, dhe më pas, më 1961, i kërkoi të njëjtit të merrte edhe kufomën e Stalinit, të sapohequr nga mauzoleu. Këto fakte jo krejt të njohura zbardhen nëpër faqet e studimeve të historianëve të ndryshëm rusë, të publikuara në media vitet e fundit. Të njëjtët studiues vijnë në një pikë të përbashkët në gjykimin e veprimeve të Enver Hoxhës, madje e quajnë atë një pasues i Stalinit apo edhe më tepër, një Stalin të vogël. Sipas tyre Enver Hoxha gjatë viteve kur Stalini ishte gjallë bënte përpjekje maksimale për ti treguar atij besnikëri dhe mirënjohje. Historiani Evgeni Zhirnov, që citon kujtimet e një diplomati sovjetik të Tiranë, Leviçkin, shkruan se “gjatë kohës së vizitave në Moskë, Enver Hoxha bënte gjithçka që udhëheqësi i të gjithë popujve të besonte në besnikërinë e tij të sinqertë. Sipas Leviçkinit, që shoqëronte Enverin gjatë kohës që shkonte në vilën e Stalinit, udhëheqësi i shqiptarëve e shihte Stalinin si një bir i dashur sheh të atin”. Po sipas të dërguarit sovjetik në Tiranë, pasi mësoi për vdekjen e Stalinit “Enver Hoxha nisi të qante si fëmijë. Lideri i shqiptarëve ishte nisur në port dhe kishte ngjitur shkallët e anijes, kur në ambasadë na erdhi telegrami që thoshte se mbërritja e Hoxhës në ceremoninë e varrimit është e padëshirueshme dhe ambasadorit ju deshën të nxitonte 35 km. me makinë, deri në port, që të ndalonte udhëtimin e anijes”. Por edhe pse Hoxha ishte i vetmi lider nga vendet e bllokut socialist që nuk mori pjesë në varrimin e Stalinit, ai organizoi një ceremoni madhështore lamtumire në Shqipëri. Në Tiranë e gjithë udhëheqja e vendit, në mitingun e lamtumirës, qëndronte e ulur në gjunjë.
Kërkesa për djalin e Stalinit
Sipas disa historianëve rusë, pikërisht për shkak të kësaj dashurie për Stalinin, Enver Hoxha, më 1957, gjatë një vizite në Bashkimin Sovjetik, në prezencë edhe të Mehmet Shehut, i ka kërkuar Hrushovit që ta lejonte të merrte me vete në Shqipëri Vasili Stalinin, djalin e Stalinit. Pra jemi më shumë se katër vjet pas vdekjes së Stalinit dhe rreth një vit pas tentativës së vetme të dështuar (Konferenca e Partisë së Tiranës, prill 1956) për të goditur edhe në Shqipëri kultin e individit të Stalinit. Ja informacioni tekstual që sjell historiani rus Vjaçesllav Viktoroviç Vollkov: “Në prill-maj 1957, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ishin për vizitë në BS, ku arritën të merrnin kredi të reja dhe ndihma të tjera. Enver Hoxha ngriti çështjen e Stalinit dhe i kërkoi Hrushovit të lejonte Vasili Stalinin të shkonte në Shqipëri, por Hrushovi kundërshtoi prerë”. Në fakt po të shfletosh, në këtë kohë Vasili Josifoviç Dugashvili, i njohur edhe si Vasili Stalin, djali i Josif Stalinit, ishte në burg. I lindur në mars 1921 ai kishte pasur një karrierë të mirë në aviacion, ku në moshën 20-vjeçare ishte graduar Major dhe gjashtë vjet më vonë, Gjeneral-Lejtnant. Atë e arrestuan pas vdekjes së të atit, në 28 prill 1953 nën akuzën se kishte nxjerrë informacione sekrete gjatë një darke me diplomatë të huaj. Vasili Stalin u dënua me 8 vjet burg për krime imagjinare dhe u la i lirë pas shtatë vjetësh, më 11 janar 1960. Në prill të të njëjtit vit ai kërkoi vizë mjekësore në ambasadën kineze dhe për këtë shkak e kapën dhe e mbajtën të izoluar në arrest shtëpie. I mbyllur në shtëpi, a mbylli jetën më 19 mars 1962, krejt u alkoolizuar.
Kërkesa për kufomën e Stalinit
Kërkesa për të marrë djalin e Stalinit në Shqipëri nuk është e vetmja e ndërmarrë nga Enver Hoxha që zgjon kureshtje. Sepse ka edhe më. Dihet që pas vdekjes më 5 mars 1953, kufomës së Stalinit i bënë një vend pranë mumies së Leninit, që ruhej në mauzole. Por me ndryshimin e politikës nga Hrushovi dhe goditjen e kultit të individit, Stalini i vdekur u çkurorëzua nga shumë ndere që i kishin bërë sa qe gjallë. Kështu në Kongresin e 22 të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të mbajtur nga 17 deri në 31 tetor 1960 në Moskë, ndër vendimet e ndryshme, ishte edhe ai për ndryshimin e emërtimit të qyteteve dhe objekteve që mbanin emrin e Stalinit si dhe ai i heqjes së të gjitha statujave të tij, përveç asaj në qytetin e lindjes, Gori. Po në këtë kongres u vendos edhe heqja e mumies së tij nga Mauzoleu. Ky veprim i fundit ka zgjuar vëmendjen e Enver Hoxhës, por edhe të Mao Ce Dunit, të cilët kërkuan që trupi i Stalinit ti jepej Shqipërisë ose Kinës. Sipas autorit rus Aleksei Baliev, që citon të dhëna arkivore, Hrushovi nuk ishte kundër dhënies së kufomës së Stalinit, Pekinit ose Tiranës, “por mbështetësit e tij i ishin kundërvënë kësaj ideje të padronit të tyre dhe marrëveshja nuk u bë”. Në shënimet e tij të përfshira në librin “Hrushovianët” botuar më 1980, Enver Hoxha shkruan: “...kur ne sërish – gjatë kohës kur mbahej Kongresi i 22 i PK të BS, i’u drejtuam Hrushovit përmes çu En Lait, që ishte prezent në kongres, me kërkesën për të marrë në Shqipëri trupin e shokut Stalin, Hrushovi u përgjigj: çfarë, doni këtë kalë të ngordhur? –E...po, merreni...”
Trupi i Stalinit nuk u mor, por dihet që Enver Hoxha nuk e braktisi kurrë liderin e tij shpirtëror. Një qytet dhe një kombinat tekstilesh në Shqipëri morën emrin e tij, ndërsa monumenti i Stalinit i prodhuar në Bashkimin Sovjetik për një kohë të gjatë lëshoi hije bash mu në qendër të Tiranës. Monumentet e Stalinit dhe emërtimet e tjera për nder të tij në Shqipëri u hoqën zyrtarisht në vitin 1991, pas shpalljes së pluralizmit politik.