E Diel, 1 Nëntor 2026

Enveri akuzon Tuk Jakovën; liberal dhe frymë katolike për të falur

26/03/2005  Cili ishte reagimi i dy ministrave shqiptarë për ndihmën e ardhur nga BS-ja? Cili ishte reagimi i Enver Hoxhës ndaj ministrave “rebelë”? Mehmet Shehu i zëvendëson dy postet me gruan e tij, Fiqerte Shehun dhe Kadri Hazbiun. Cilat ishin akuzat që Enveri i bëri Tuk Jakovës? Nafta dhe kromi e rendisin Shqipërinë ndër vendet kryesore të prodhimit botëror. Cilat ishin orientimet kryesore të Kongresit të dytë të PPSH-së?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Në shkurt të vitit 1950, dy anëtarë të KQ-së, Njazi Islami, ministër i Transportit dhe Abedin Shehu, ministër i Ekonomisë, kritikuan Byronë Politike se, sipas tyre, partia ndodhej në qorrsokak dhe udhëheqja nuk orientohej me problemet ekonomike, duke planifikuar për një plan dyvjeçar tregues jo real, veçanërisht në nxjerrjen e naftës. Njazi Islami paraqiti raportin mbi gjendjen e mjeteve të transportit, sipas të cilit situata po përmirësohej shumë ngadalë, ndërsa kamionët “ZIS”, të dhënë nga BS-ja, qenë të papërshtatshëm për rrugët e Shqipërisë dhe joekonomikë. B.Spahiu, sekretar i KQ-së e vlerësoi raportin si një veprim antisovjetik dhe propozoi që çështja Nj.Islami t’i kalonte për shqyrtim Komisionit të Kontrollit të Partisë. Nj.Islami, që nuk e priste një kthesë të tillë të ngjarjes, i dha fund jetës me vetëvrasje. Ata që kishin të njëjtat pikëpamje, vazhduan të mbronin pozitat e veta. Por diskutimet e tyre u vlerësuan si një përpjekje armiqësore për të sabotuar planin dyvjeçar, ndërsa mbështetja e A.Shehut nga disa ushtarakë, u dha akuzuesve mundësinë të flisnin për ndërthurjen e një komploti.

Në Konferencën e dytë Kombëtare të PPSH-së në prill të vitit 1950, grupi i A.Shehu-Njazi Islami u quajt trockist. Siç tha E.Hoxha: “ata donin të zinin postet drejtuese në parti e qeveri, të merrnin pushtetin në duart e tyre, të përmbysnin KQ-në e qeverinë dhe kuptohet, të vendosnin sistemin e urryer të borgjezisë”. Arrestimi i opozitarëve dhe mbështetësve të tyre, si “armiq të popullit”, mbylli procesin gjyqësor partiak e shtetëror. M. Shehu zgjeroi radhët e pasuesve të vet: vendet e mbetura bosh të kandidatëve të KQ-së, i zuri gruaja e tij, Fiqiretja dhe Kadri Hazbiu.

Si gjatë konferencës, por ashtu dhe më pas, në punën e brendshme të partisë, theksi u vu në demaskimin e armiqve brenda saj. E.Hoxha u drejtoi gjithë anëtarëve të thjeshtë të PPSH-së thirrjen për ta parë syçeltësinë revolucionare, jo si një detyrë që i takonte vetëm udhëheqjes së partisë. Fraza të tilla si: “lajmi për këtë qe si të plaste një bombë” apo “kush mund ta mendonte se filani ishte armik, spiun e diversant”, duhet të harrohen, tha Sekretari i Përgjithshëm. Ato dëshmojnë pasivitetin e organizatave dhe mungesën e dëshirës për të demaskuar armiqtë e shumtë të fshehtë. Në një situatë të tillë historike filloi shqyrtimi i dokumenteve të partisë, si pasojë e të cilit, vetëm gjatë një gjysmë viti u përjashtua nga partia 8% e anëtarësisë.

Plenumi i KQ-së i shkurtit të vitit 1951, përjashtoi nga Byroja Politike dhe hoqi nga posti i sekretarit organizativ të KQ-së, Tuk Jakovën. Njeriu, të cilin E.Hoxha pak kohë më parë e kishte quajtur “biri i madh i Shqipërisë” dhe “një nga udhëheqësit më të aftë”, u akuzua se, duke filluar nga viti 1943, veprimtaria e tij si udhëheqës dhe komunist “ishte karakterizuar nga optimizëm i thellë, liberalizimi i pafalshëm, mungesa e urrejtjes së fortë për armikun e klasës”, etj. U quajt faj edukimi me frymën katolike e mikroborgjeze për të falur çdo të keqe e, gjithashtu, që “mendonte në kundërshtim me vijën e partisë dhe vepronte kundër saj”. Si sekretar organizativ, Jakovës iu ngarkua përgjegjësia për mosrealizimin e planit dyvjeçar: sepse ai nuk besonte në vërtetësinë e shumë shifrave dhe nuk mundi të nxiste organizatat e partisë për realizimin e detyrave. Veç kësaj, Nj.Islamin nuk e kishte cilësuar si armik të partisë, por vetëm një njeri “kryeneç”, që vuante nga mania e madhështisë. U cilësua si faji i tij, edhe mungesa e kritikës dhe autokritikës në parti. Njëkohësisht me Islamin morën ndëshkime partiake ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, një nga anëtarët më të vjetër të partisë dhe Teodor Heba, drejtor i kuadrit në KQ, të cilët u përjashtuan nga KQ “për kapitullin përpara vështirësive dhe dezertim nga fronti i luftës së partisë”.

Sipas të dhënave të kohës, plani dyvjeçar u realizua vetëm 87.2%. Nuk u arritën treguesit e përcaktuar në nxjerrjen e naftës dhe kromit, i cili e radhiste Shqipërinë ndër vendet kryesore të prodhimit botëror. Prodhimi bujqësor u rrit me ritëm të ngadaltë. Por, pavarësisht nga mangësitë në planifikim dhe organizimin e punës, prodhimi i përgjithshëm, në fund të dyvjeçarit, u rrit katër herë krahasuar me vitin 1938, ndërsa rritja e prodhimit bujqësor bëri të mundur uljen e përshkallëzuar të çmimeve në tregun shtetëror.

Analiza e mangësive të vërejtura gjatë zbatimit të detyrave të planit dyvjeçar, duhej të ndihmonte në hartimin e planit të parë pesëvjeçar 1951-1955. Por piketat orientuese, që Komisioni i Planit të Shtetit i paraqiti për shqyrtim plenumit të KQ-së, në shtator të vitit 1951, dëshmonin për mbivlerësimin e forcave dhe mundësive të vendit. Hartimi i plotë i planit, që përfundoi një gjysmë viti më pas, nuk bëri të mundur qortimin thelbësor të treguesve kryesorë. Objektivat e tij u rishikuan dhe u diskutuan në Kongresin II të PPSH-së, në mars-prill të vitit 1951 dhe në maj të po atij viti, u miratuan nga Kuvendi Popullor.

Si detyrë kryesore politike, Kongresi përcaktoi “forcimin e aleancës së klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse dhe forcimin e rolit udhëheqës të klasës punëtore në këtë aleancë, kufizimin e elementëve kapitalistë e spekulatorë në qytet e në fshat; ngritjen e nivelit kulturor të masave punonjëse; ngritjen e ndërgjegjes socialiste të klasës punëtore dhe forcimin e syçeltësisë revolucionare e patriotizmit të të gjithë punonjësve”. Këto orientime ideore deklarative përsëriteshin nga plani në plan me ndryshime tepër të vogla. Ato pranoheshin në qendrën ndërkombëtare të lëvizjes komuniste e punëtore, d.m.th., në Moskë, pastaj u përshtateshin kushteve të secilit prej vendeve të kampit socialist. Në atë kohë, të gjithë ata punonin për ndërtimin e bazave ekonomike të socializmit, ndërsa për Shqipërinë, detyra konkrete ishte shtimi i ritmit “që në fund të pesëvjeçarit, nga një vend agrar i prapambetur, vendi ynë të shndërrohet në një vend agraro-industrial”.

Mjeti për të arritur këtë qëllim do të ishte zhvillimi i industrializimit socialist me ritme të shpejta si dhe, shpejtimi i zhvillimit bujqësor. Vëllimi i prodhimit industrial, në fund të pesëvjeçarit, mendohej të rritej në 29%, krahasuar me vitin 1950, d.m.th., dy herë më shumë, krahasuar me nivelin e paraluftës. Ndërsa prodhimi i përgjithshëm bujqësor, për këtë periudhë, qe parashikuar të rritej në 71%. Duke e paracaktuar këtë hop të madh në ritmet e industrializimit, udhëheqja e PPSH-së nuk pati parasysh fuqinë konkrete dhe mundësinë e ekonomisë popullore. Treguesit qenë përcaktuar në vitin 1951, d.m.th., përpara miratimit zyrtar të ligjit për planin pesëvjeçar, nuk mundën të realizoheshin. E njëjta gjë ndodhi dhe në vitin 1952. Të gjithë degët e ekonomisë popullore qenë në gjendje tensioni. Qe bërë e qartë se në shpërndarjen e investimeve nuk kishin patur parasysh kërkesat për zhvillimin e bujqësisë dhe ngritjen e nivelit të jetesës së punonjësve. Mosvlerësimi i nxitësit material, karakteristikë për të gjitha ekonomitë pseudosocialiste të Evropës Lindore dhe synimi për të drejtuar në mënyrë burokratike, sollën thellimin e mëtejshëm të mospërputhjes midis ritmeve të zhvillimit të degëve të veçanta të ekonomisë, që u pasqyrua negativisht në bujqësi.

Kjo u bë e qartë gjatë analizës së rezultatave të viteve 1951-1952 në Plenumin e KQ të PPSH-së, në janar-shkurt të vitit 1953. U mor vendim të rishikoheshin detyrat e vitit 1953, ndërsa defiçiti i krijuar në vitet e para, të mbulohej në vitet 1954-1955. Por, në dhjetor të vitit 1953, kur pesëvjeçari kishte përshkuar pjesën më të madhe të udhës së vet, Plenumi i KQ-së bëri në plan ndryshime thelbësore. U parashikua ulja e ritmeve të ndërtimeve industriale, shkurtimi me 30% i administratës drejtuese, falja e borxhit që kishin fshatarët nga mosshlyerja e detyrimeve në prodhime bujqësore e blegtorale, ulja e normës së detyrimeve etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›