E Diel, 1 Nëntor 2026

Përhapje revolucionesh

26/03/2005  Protestat në Kirgistan kanë detyruar të largohet qeverinë e ish-republikës sovjetike. Lëkundjet mund të ndihen gjetiu në Azinë Qendrore jodemokratike

Ngjarjet në Kirgistan nuk ka gjasa të kenë efekte të mëdha në Turkmenistan, një diktaturë e tipit koreanoveriore në rajon. Por fqinjët e tjerë të Kirgistanit, Kazakistani dhe Taxhikistani, mund të ndjejnë lëkundje

Në Kazakistan, në veri, Presidenti Nazarbaev ka ofruar me shumicë para dhe pushtet për të qëndruar në pushtet. Taxhikistani, që është më i varfër dhe kaloi një luftë civile në vitet nëntëdhjetë, mund të tronditet më shumë. Zgjedhjet e fundit, të kritikuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë e forcuan partinë e Presidentit Imomali Rakhmonov. A mund të jetë ai i dorëzuari i fundit përpara pushtetit të popullit në Azinë Qendrore?

A mjaftojnë tre raste për të bërë një tendencë? Kirgistani është bërë republika e tretë ish-sovjetike, në të cilën votuesit e zemëruar, që nuk duan të pranojnë zgjedhje të manipuluara, e kanë marrë vetë në dorë situatën. Të enjten, më 24 mars, Askar Akajev, President i Republikës aziatiko-qendrore për 15 vjet u detyrua të largohet nga kryeqyteti, Bishkek, pasi protestuesit hynë me forcë dhe morën kontrollin e ndërtesave qeveritare. Dhe sipas ITAR-TASS, agjencisë ruse të lajmeve, zgjedhjet e fundit parlamentare janë anuluar. Tani, “revolucioni tulipan” i Kirgistanit i bashkohet “revolucionit të trëndafiltë” në Gjeorgji dhe revolucionit portokalli në Ukrainë. Por kryengritja në Kirgistan ka qenë më e dhunshme se dy të parat, dhe ndryshe nga ato, ajo nuk ka një udhëheqës të vetëm. E ardhmja për republikën e largët është e turbullt.

Të enjten, protestat që kishin nisur në jug të vendit, disa ditë më herët, mbërritën në Bishkek, në veri. Demonstruesit hynë me forcë në “Shtëpinë e Bardhë”, ndërtesën qeveritare, duke depërtuar me dhunë ndër policët, që ose u larguan, ose u bashkuan me protestuesit. Ministri i Mbrojtjes u largua nga godina i shoqëruar nga një breshëri gurësh dhe shkopinjsh. Figura anonime të opozitës deklaruan rënien e qeverisë në televizionin shtetëror.

Trazira kishte nisur në fakt menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve, më 27 shkurt, të cilat monitorët e huaj i konsideruan thellësisht të parregullta. Gjatë fushatës zgjedhore, televizionet shtetërore mbështetën hapur qeverinë, mediat e pavarura u kërcënuan dhe kandidatë të opozitës u skualifikuan për arsye të papërfillshme. Raundi i dytë, në fillim të këtij muaji ishte pak më mirë. Dhe në vend që ta merrnin lehtë, siç ndodhi në Kazakistan dhe Taxhikistan kohët e fundi, protestat e qeta u kthyen shumë shpejt në rebelime. Dy qytete në jugun relativisht të varfër, Jalal-Abad dhe Osh, ishin të parët që ranë. Por ishte mbërritja e trazirës në Bishkek, që tregoi se kjo ishte diçka me të vërtetë serioze.

Pas shumë përplasjeve të përgjakshme, grabitjesh dhe vandalizmash të Shtëpisë së Bardhë, udhëheqësit e opozitës bënë thirrje për qetësi dhe dialog të enjten në mbrëmje. Ndër më të njohurit janë Roza Otunbaeva, ish-ministre e Jashtme, Kurmanbek Bakiev, ish-kryeministër dhe Feliks Kulov, ish-zëvendëspresident, i cili u lirua nga burgu prej protestuesve. Këta dhe udhëheqës të tjerë kanë formuar një “këshill të koordinuar për sigurinë kombëtare”, i cili, sipas tyre, do të shërbejë si një qeveri e përkohshme, udhëhequr nga Bakiev. Parlamenti ekzistues shpalli Ishenbai Kadirbekov, një anëtar relativisht i panjohur i opozitës, udhëheqës të përkohshëm të shtetit, gjë që tregon ndoshta se nuk ka unitet mes anëtarëve të njohur. Ende nuk është e qartë nësa ata mund të ndalin grabitjet, apo ndoshta përplasjet mes grupeve pro dhe anti Akajev.

A do të përhapet në rajon?

Kirgistani shihej dikur si një ishull i demokracisë në Azinë Qendrore. Zoti Akajev, një fizikan i respektuar, fitoi një betejë shumë të ashpër për presidencën në vitin 1990 kundër një bosi komunist, si dhe fitoi zgjedhjet popullore në 1991, pasi republika fitoi pavarësinë. Ai reformoi ekonominë dhe futi demokracinë shumëpartiake. Por gjatë viteve nëntëdhjetë, ai u bë gjithnjë e më shumë autoritar. Zgjedhjet e 1995 dhe 2000 u kritikuan nga vëzhguesit ndërkombëtarë si jo të drejta dhe të lira. Pas trazirave të 2002, kur u arrestua një anëtar i opozitës, Akajev premtoi reforma. Por rezultati ishte një referendum i dyshimtë, që forcoi pozitat e Presidentit dhe zëvendësoi sistemin me lista me distrikte me nga një anëtar për zgjedhjet parlamentare. Kjo gjë dobësoi partitë dhe u dha më shumë pushtet individëve të fuqishëm.

Ndonëse ky vend është i vogël dhe i largët, si dhe nuk ka rezervat energjetike të disa prej vendeve të tjerë të Azisë Qendrore, ngjarjet atje po ndiqen me interes. Si Amerika, ashtu edhe Rusia kanë baza ushtarake pranë Bishkekut. Amerika u vendos në masë të madhe në Azinë Qendrore për luftën në Afganistan dhe që atëherë dy fuqitë e mëdha e kanë ndjekur me shumë kujdes dhe vigjilencë njëra-tjetrën. Amerika është kritikuar shumë se ka toleruar regjimet brutalë që e ndihmojnë në luftën kundër terrorizmit, dhe sidomos fqinji i Kirgistanit, Uzbekistani. Por ambasadori amerikan në Bishkek, Stiven Jang, ka qenë shumë i qartë si me shtypin ashtu edhe me qeverinë e Akajev, në lidhje me shqetësimet për përkeqësimin e demokracisë në Kirgistan.

Edhe fqinjët e Kirgistanit janë duke ndjekur nga afër ngjarjet. Ai ka një marrëdhënie të ndërlikuar me Uzbekistanin, diktatori i të cilit, Islam Karimov, u është kundërpërgjigjur me forcë militantëve islamikë. Uzbekistani, madje, minoi kufirin me Kirgistanin për të mos lejuar militantët që të arratisen drejt Kirgistanit, gjë që e zemëroi zotin Asajev.

Një qeveri e re në Kirgistan mund të tregojë më shumë vëmendje për grupet etnike uzbeke në jug, gjë që ndoshta do të përmirësonte marrëdhëniet me fqinjin më të madh.

Ngjarjet në Kirgistan nuk ka gjasa të kenë efekte të mëdha në Turkmenistan, një diktaturë e tipit koreanoveriore në rajon. Por fqinjët e tjerë të Kirgistanit, Kazakistani dhe Taxhikistani, mund të ndjejnë lëkundje. Në Kazakistan, në veri, Presidenti Nazarbaev ka ofruar me shumicë para dhe pushtet për të qëndruar në pushtet. Por atje ka një opozitë të gjallë dhe të dukshme. Taxhikistani, që është më i varfër dhe kaloi një luftë civile në vitet nëntëdhjetë, mund të tronditet më shumë. Zgjedhjet e fundit, të kritikuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë e forcuan partinë e Presidentit Imomali Rakhmonov. A mund të jetë ai i dorëzuari i fundit përpara pushtetit të popullit në Azinë Qendrore?

Parlamenti zgjedh udhëheqësin e ri

Mbështetësit e opozitës në Kirgistan vazhdojnë të kontrollojnë kryeqytetin e vendit, Bishkek. Marrja e kryeqytetit, të enjten, shënoi kulmin e protestave antiqeveritare, që filluan javë më parë, si pasojë e zgjedhjeve të diskutuara.

Parlamenti - mandati i të cilit po mbaron - është mbledhur për të zgjedhur mes udhëheqësve të lartë të opozitës drejtuesin e qeverisë së përkohshme. Mes kandidatëve është nënkryetari i opozitës, Ishenbai Kadyrbekov, që ka zëra se mund të zgjidhet president.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se po i ndjekin me interesim zhvillimet pro-demokracisë në Kirgistan.

Sekretarja e Shtetit, Condoleza Rice, tha se palët duhet të linin mënjanë dhunën dhe komuniteti ndërkombëtar të inkurajonte mbajtjen e zgjedhjeve. "Ajo që po ndodh nuk është një çështje që amerikanët do përpiqeshin ta zgjidhnin vetë. OSBE-ja ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur atje dhe janë duke e bërë këtë", tha zonja Rice.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›