E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër “JO” për Terrin

26/03/2005  Pas vendimit të parë, edhe Gjykata e Apelit e SHBA ka kundërshtuar kërkesën e familjes së Terri Schiavo, 41-vjeçares nga Florida prej 15 vjetësh në gjendje koma vegjetative, për të rivendosur tubin ushqyes që i është hequr që të premten. Prindërve, Bob e Mary Schindler nuk u mbetet veç tentativa e fundit: Gjykata e Lartë. Ndërkohë që Amerika është e ndarë, në besim, politikë dhe etikë.

Ka ardhur JO-ja e dytë për Terri Schiavon nga drejtësia federale e SHBA, e cila ka juridiksion mbi magjistraturat autonome të shteteve të veçantë. Apeli ka refuzuar kërkesën e prindërve të gruas në gjendje koma për të vendosur kundër gjykimit të gjykatës së shkallës së parë. Schindlerët kërkonin të rivendosej tubi i ushqimit artificial për të bijën. Të martën, gjykatësi ka vendosur që kjo nuk duhet të ndodhë.

Vendimi i tij erdhi pas kthesës që pësoi procesi, kur Kongresi dhe më pas Presidenti Bush firmosën një ligj që rihapte mundësinë e riekzaminimit të gruas, në koma prej 15 vjetësh, nga drejtësia federale.

Më parë janë marë 19 vendime të tjera nga ana e magjistraturës shtetërore të Floridas. Ky i gjykatës së Apelit ishte vendimi 21 mbi këtë rast. Terri nuk ushqehet më që nga dita e premte dhe mund të vdesë brenda pak ditëve (më pak se 10 ditë thonë mjekët: afro 200 orë, nëse fiziku i saj do të jetë i fortë). Ndërkohë, tani prindërve të saj u mbetet shpresa e fundit, ajo e vendimit të Gjykatës së Lartë.

DY AMERIKA

Republikanët e Kongresit dhe Presidenti Bush kanë përqafuar kauzën e prindërve të Territ, në emër të “kulturës së jetës”. Por republikanët, dhe vetë Bushi janë mbështetës të dënimit me vdekje – për të mos folur pastaj për ata shumë pacientë në gjendje të pakthyeshme vegjetuese, të cilëve u është hequr tubi i ushqimit në spitalet publikë pasi, mbajtja e tyre në jetë ka qenë shumë e kushtueshme – në Teksas, falë një prej ligjeve të fundit që Bush nxori kur ishte Guvernator.

Rasti Schiavo ka risjellë edhe një herë në vëmendje ndarjen e vendit, që ishte bërë e qartë që gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004: mes republikanëve dhe demokratëve, mes grupeve fetarë ukltrakristianë dhe qytetarëve laikë, që këmbëngulin se besimi fetar është një çështje private.

Por në këtë rast po ngrejnë krye edhe kontradikta të tjera, që në të ardhmen mund të rezultojnë një bumerang për të djathtën republikane, e cila kishte thirrur të shtunën në mbrëmje, në Uashington, parlamentarët për të votuar ligjin “Shpëtoni Terrin”. Një dekret i sulmuar nga mediat e SHBA jo vetëm si antikushtetues, por edhe i rrezikshëm për drejtësinë amerikane. Një ligj, të cilin edhe shumë republikanë e kanë votuar kundër dëshirës, sepse kjo parti ka qenë tradicionalisht kundër ndërhyrjes së pushtetit federal në çështjet e shteteve të veçantë.

Nuk ka qenë i rastësishëm fakti që, në një sondazh të shpejtë të kryer nga ABC News, 70 për qind e amerikanëve është kundër ndërhyrjes së Kongresit dhe se 63 për qind e tyre ka qenë pro heqjes së tubit të ushqimit të Terri Schiavo, një vendim i marrë nga Gjykata e Kontesë së Puinellas, në Florida. 67 për qind e amerikanëve mendojnë se zgejdhja e kongresmenëve republikanë ka qenë e nxitur nga oportunizmi politik.

Ndërkohë, që Peshkopata katolike në SHBA ka zgjedhur pikërisht këtë ditë për të nisur fushatën e saj kundër dënimit me vdekje. Debati, i një natyre jo vetëm juridike, në lidhje me kompetencat e qeverisë federale përkundrejt shteteve të veçantë dhe Unionit – jo më pak i rëndësishëm – ka nisur sërish dhe është vënë në qendër të vëmendjes.

Shtëpia e Bardhë mbrohet, duke thënë se ligji i firmosur në mesin e natës nga Presidenti Bush i kthyer nga pronat e tij në Teksas, ka të bëjë vetëm më Terry Schiavon – një çështje gjithsesi me legjitimitet të dyshimtë konstitucional – dhe i takon një “rasti të veçantë”.

Nga pikëpamja mjekësore...

Dhe pasi ka ndarë opinionin publik dhe politikën, e shkreta Terri, për fatin e saj të keq ka bërë të bien dakord të gjithë mjekët: për gruan 41-vjeçare, ka shumë pak shpresa për t’u rikthyer në jetë, pasi ka kaluar 15 vjet në gjendje koma.

Ndërkohë që vazhdojnë të diskutojnë domethënien e “gjendjes së përhershme vegjetuese”, neurologët ridimensionojnë pohimet e familjarëve të Territ, të cilët thonë se kanë marrë reagime dhe përgjigje.

Specialistët, të gjithë, thonë se, edhe nëse do të rikthehej dhe rivendosej gypi i ushqimit, “kush është në gjendje të përhershme vegjetative nuk mund të rikthehet kurrë në jetë dhe do të mbetet gjithnjë i pavetëdijshëm”, siç thuhet në guidën më të fundit mbi gjendjen e përhershme vegjetuese të Akademisë Amerikane të Neurologjisë.

Koha maksimale e një gjendjeje vegjetuese, në të cilën është regjistruar një rikthim i vetëdijes ka qenë tre muaj, ndërkohë që në rastin e Territ, kjo gjendje ka zgjatur 15 vjet.

Nëse Bob Schindler, babai i saj këmbëngul se “Terri na ka lënë të kuptojmë që është ende mes nesh”, mjekët e intervistuar nga mediat amerikane konfirmojnë se lëvizjet e trupit të saj janë lëvizje refleksive të bëra në mënyrë të pandërgjegjshme, fjalë këto të profesorit të neurologjisë në Universitetin e Gllasgout, Brajan Xhenet.

Xhejms Bernat, profesor i neurologjisë në qendrën mjekësore në universitetin e Hanover, Nju Hempshir, thotë se, “nëse ka lëvizje që do të tregonin shpresë të një vullneti, atëherë mjekët do t’i kërkonin pacientit ta përsëriste, do t’i bënin pyetje, do t’i tregonin fotografi apo pamje filmike”. Në rastin e Schiavo, sipas tij, nuk ka rezultate që të japin shpresë.

Doktor Lorenc Shnaiderman, specialist i bioetikës në Universitetin e San Diegos, kujton: “Mjafton të mbetesh 4-6 minuta pa oskigjen për të shkatërruar korteksin cerebral”, siç i ndodhi, pikërisht Territ në 1990.

“Pjesa tjetër e trurit – kujton profesori, që bëri pikërisht këtë dëshmi përpara gjykatës – e në mënyrë të veçantë telencefali mund të mbijetojë edhe njëzetë minuta pa oksigjen”.

Por është pikërisht korteksi cerebral që “përbën personalitetin tonë, kush jemi, si mendojmë, dhe që na jep mundësi të shohim, ndjejmë, provojmë emocione e përjetime”. Të gjitha gjëra që, sipas profesorit dhe kolegëve tij, Terri nuk i ka dhe nuk do të mund t’i ketë më kurrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›