E Hënë, 2 Nëntor 2026

Enveri privatizon bagëtitë deri te kafshët e punës

17/03/2005  Anija e parë me drithë nga Moska, durrsakët në festë

Marrëveshja e parë me Moskën, furnizimi me drithë dhe plehra kimike

Kur nisi bashkëpunimi ekonomiko-tregtar i Shqipërisë me Moskën? Cila ishte marrëveshja e parë ndërmjet dy vendeve? Si u prit nga banorët e Durrësit anija e parë me drithë që mbërriti nga Moska? Kur ndërmori qeveria “bllokimin” e famshëm të mallrave të nevojës së parë? Cilat ishin llojet e tregjeve ku qarkullonte prodhimi bujqësor? Kur nisi reforma për arsimim të detyrueshëm si dhe krijimi i shkollave profesionale në Shqipëri. Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Që para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke filluar nga korriku i vitit 1945, Moskën zunë ta vizitonin përfaqësues të Shqipërisë, për të vendosur kontakte dypalëshe. Bisedimet e 4 shtatorit midis ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, Medar Shtyllës dhe komisarit të popullit për tregtinë e jashtme të BRSS-së, A.J.Mikojanit, përcaktuan gamën e mallrave, ndërsa më 22 shtator u nënshkrua në Moskë marrëveshja e parë për furnizimin e Shqipërisë me drithë dhe plehra kimike me kredi, shuma e së cilës ishte 1.5 milionë dollarë amerikanë.

Në vjeshtën e vitit 1945, mbërriti në Durrës anija e parë sovjetike me drithë, e cila u prit me entuziazëm nga banorët e mbledhur në port dhe nga autoritetet zyrtare të ardhur nga Tirana. Krahas furnizimeve me mallra ushqimore e industriale si dhe pajisjeve për rimëkëmbjen e ndërmarrjeve të industrisë nxjerrëse, qeveria sovjetike u përpoq për përgatitjen e kuadrove me kualifikim të lartë dhe dërgoi në Shqipëri këshilltarë teknikë për industrinë e naftës dhe bujqësinë. Në vitin shkollor 1945-'46, në institucionet e larta arsimore të Moskës nisën studimet 20 të rinj shqiptarë, pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare.

Orientimi për ndërtimin e socializmit, i përcaktuar në plenum, u shndërrua në direktivë të detyrueshme për t’u zbatuar. Duke shtruar problemin në këtë mënyrë, përjashtohej plotësisht çdo diskutim tjetër për përcaktimin e kursit, çka mund të ndodhë vetëm në një shtet me prirje të paqartë demokratike. Shqipëria zgjodhi kursin e ashpër, që parashikonte asgjësimin e shpejtë të pozitave ekonomike dhe politike të klasave shfrytëzuese, të cilat gjalluan në njëfarë mënyre në periudhën e ashtuquajtur “të demokracisë formale” të vitit 1945. Në prill të vitit 1946, qeveria ndërmori “bllokimin” e famshëm të mallrave të nevojës së parë, d.m.th. marrjen e tyre nga privatët dhe rishpërndarjen me triska në dyqanet e pakta shtetërore. Mënyra e kompensimit për mallrat e marra nuk u përcaktua në mënyrë të saktë. Në fillim u mendua që nuk do të përfitonin kompensim vetëm tregtarët e mëdhenj. Por më pas u pa se shteti nuk kishte të holla për askënd dhe doli se të gjitha mallrat e “bllokuara” në të vërtetë qenë konfiskuar. Ky sulm mbi sektorin privat në tregti, solli si rezultat keqësimin e ndjeshëm të furnizimit, në mënyrë të veçantë të popullsisë së qyteteve në kushtet e një sistemi të pazhvilluar dyqanesh shtetërore e të mungesës së plotë të rrjetit të kooperativave të konsumit.

I gjithë prodhimi bujqësor qarkullonte nëpërmjet tre lloj tregjesh. Tregu i siguruar shtetëror furnizonte punonjësit e qyteteve mbi bazën e sistemit të triskëtimit. Tregu i reciprokut iu shërbente fshatarëve mbi bazën e këmbimit të tepricës së prodhimeve bujqësore me mallra industriale, nëpërmjet kuponave. Tregu i lirë me nivelin e lartë të çmimeve, qe llogaritur për njerëzit në gjendje të mirë ekonomike. Ja një shembull për të krahasuar nivelin e çmimeve në këta tregje: në tregun shtetëror 1 kg miell kushtonte 6.5 lekë, në tregun reciprok 19 lekë, në tregun e lirë 7.5 lekë, një kg sheqer përkatësisht 40.75 dhe 250 lekë, 1 litër vajguri 25.25 dhe 75 lekë, 1m basëm 60.90 dhe 260 lekë.

Të gjitha masat e përmendura më sipër dëshmojnë për sulmin këmbëngulës mbi sektorin privat. Sipas statistikave, në gjysmën e dytë të vitit 1947, sektori privat ishte asgjësuar plotësisht jo vetëm në industri, por edhe në tregti, ku privatët kishin pozita shumë më të forta.

Sektori shtetëror filloi të krijohej edhe në fshat. Bazën e tij e përbënin ndërmarrjet bujqësore të shtetëzuara (këto ishin kryesisht ferma të përziera bujqësore-blegtorale), që përpara çlirimit u përkisnin koncesionerëve italianë. Mbi këtë bazë u krijuan 13 ndërmarrje bujqësore shtetërore, të organizuara sipas shembullit të sovhozeve.

Shtatë kooperativat e para bujqësore, të cilat u krijuan në vitin 1946, bashkuan një numër të vogël familjesh (217) dhe kishin 943 ha, që përbënte 0.3% të sipërfaqes së tokës të punueshme. Në fillim në kooperativa hynë fshatarët me pak tokë dhe me një pakicë të kafshëve të punës dhe inventarit bujqësor. Kryesisht këto ishin familje me pak krahë pune (familjet e të vrarëve në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare).

Kooperativa krijohej kur të paktën 25-30 familje ishin të gatshme të bashkoheshin dhe kur zotëronin jo më pak se 200 ha tokë të punueshme, shpërndarja e të ardhurave bëhej sipas sipërfaqes së tokës së futur në kooperativë –40% dhe sipas punës –60%; numri i bagëtive që mund të mbaheshin privatisht, qe i pakufizuar; kafshët e punës dhe materiali mbjellës u kolektivizuan; oborret personale mund të ishin deri 1.2 dn.

Kooperativat kishin mbështetjen materiale të shtetit. Ligji i 9 nëntorit të vitit 1945 i jepte bankës shtetërore të drejtën për t’u dhënë kooperativave kredi bujqësore me interes të ulët (1.5% në vit). Kooperativat furnizoheshin me përparësi me plehra kimike dhe iu ulej me 50% tatimi mbi prodhimin etj. Pavarësisht nga lehtësitë, kooperimi ecte me ritme të ngadalta. Veç lësaj, ato ishin bashkime ekonomish që nuk kishin bazë mekanike. Në atë kohë, në Shqipëri kishte vetëm 40 traktorë. Kryesisht, ata ndodheshin në ndërmarrjet bujqësore shtetërore, por edhe këtu, për mungesë të pjesëve të ndërrimit e të karburantit, shumicën e kohës nuk punonin. Vetëm në vitin 1947 filloi krijimi i stacioneve të makinave e traktorëve (SMT), të cilat u pajisën me mekanikë bujqësorë të sjellë nga Jugosllavia, ndërsa prej vitit 1948 nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin e parë të krijimit të tyre, 10 SMT-të punuan 6% të të gjithë tokës arë të republikës. Organizimi jo i frutshëm i punës, kualifikimi i ulët i kuadrove, pagesa e traktoristëve sipas orëve të punës dhe jo sipas sasisë dhe cilësisë, nuk nxitën interesin e kooperativave për të shfrytëzuar shërbimet që ofronin SMT-të.

Sistemi i organizimit shtetëror të ekonomisë që po krijohej, parashikonte vënien në jetë të planifikimit të çentralizuar. Fill pas çlirimit, më 13 janar të vitit 1945, pranë Këshillit të Ministrave u krijuan dy organe që merreshin me planifikimin e ekonomisë popullore: këshilli ekonomik, i cili hartonte planin për të gjithë vendin dhe Komisioni i Planit, që hartonte projektet për çdo dikaster. Ligji i gushtit të vitit 1956, për planin shtetëror të ekonomisë popullore dhe “komisionin e planit”, shkriu dy organet e mëparshme të planifikimit dhe mbi bazën e tyre krijoi një të vetëm, Komisionin e Planit të Shtetit. Në fillim planet hartoheshin tremujore, pastaj njëvjeçare, më pas dyvjeçare dhe vetëm në vitin 1951, u hartua plani i parë 5-vjeçar.

Realizimi i zhvillimit ekonomik qe i pamundur pa ngritjen e duhur të nivelit arsimor të të gjithë popullit dhe pa pregatitjen e specialistëve me kualifikim të mesëm e të lartë. Sipas ligjit për reformën e arsimit popullor, të miratuar më 17 gusht të vitit 1946, u krijua një sistem i ri shkollash shtetërore fillore pa pagesë dhe të detyrueshme. Parashikohej dhe vendosja e sistemit 11-vjeçar: katër vjet arsim fillor dhe 7 vjet arsim i mesëm.

Filloi të organizohej dhe arsimi tekniko-profesional. Në vitin 1946 u hapën: Liceu Artistik “Jordan Misja”, Instituti Politeknik dhe Instituti Pedagogjik. U fut gjerësisht studimi me korrespondencë. Por rezultatet e këtyre masave qenë afatgjata, ndërsa koha nuk priste, prandaj, më 21 shtator të vitit 1949 doli ligji, që i detyronte të gjithë qytetarët, nga 12 deri në 40 vjeç, të mësonin shkrim e këndim. Kush i shmangej këtij detyrimi dënohej me punë korrektuese deri në një muaj ose me 200 lekë gjobë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›