E Diel, 1 Nëntor 2026

Enveri urdhër për të mos shitur fëmijët në pazar

13/04/2005  Rebelimi i fshatarit, kur i merrnin lopën, dënohej me vdekje

Si u ndanë “detyrat” e reformimit në sistemin arsimor midis Enverit dhe Mehmet Shehut? Cili ishte urdhri i Mehmet Shehut për zëvendësimin e teksteve të reja mësimore? Nga përvoja kineze krijohen reparte të rinisë shkollore për të mbrojtur politikën e PPSH-së? Cili ishte gjykimi dhe masat mbi “intelektualizmin e sëmurë”? Cilat ishin disa nga reformat e tjera që kishin të bënin me pronën, me vendosjen e emrave të fëmijëve dhe punës së tyre?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX.

Teoricieni kryesor i reformimit të sistemit arsimor në “frymë revolucionare” ishte vetë E.Hoxha, ndërsa ai që e vuri në praktikë ishte M.Shehu, i cili në vjeshtën e vitit 1966 paraqiti programin për militarizimin e shkollës. Ai propozoi këtë ndarje të kohës për nxënësit e shkollave dhe studentët: 55-58% plani mësimor, 26-27 praktika prodhuese, 17-19% përgatitja fiziko-ushtarake. Në moshën gjashtëvjeçare fëmija hyn në klasën e parë fillore, ndërsa kur bëhet 23 vjeç mbaron shkollën e lartë, nëse ka fatin të hyjë në të, i formuar plotësisht fizikisht e shpirtërisht për të përbuzur në mënyrë askete tepërinë e vlerave materiale e shpirtërore.

M.Shehu vuri detyrë përgatitjen e teksteve të reja mësimore, sepse gjoja të mëparshmet mbillnin intektualizimin. Asnjë përrallë apo tregim, në të cilën mungonte përmbajtja klasore revolucionare, asnjë detaj për shpjegimin e historisë. Dy tekste të tillë, që nuk u shkruajtën, “Edukimi moral e politik” dhe “Njohuri fillestare mbi marksizëm-leninizmin”, duhej të përbënin bazën e mësimdhënies revolucionare në vitin shkollor 1975-1976.

Në vazhdën e përgjithësimit të përvojës kineze u krijuan reparte të rinisë shkollore (të tipit të hunvejbinëve), për të mbrojtur e mbështetur politikën e udhëheqësve të PPSH-së. Ushtria dhe organet e MBP-së duhet të bënin edukimin e rinisë me frymë patriotike, ndërsa organizatat shoqërore të ndërhynin në mënyrë më aktive në edukimin familjar e të luftonin kundër shfaqjeve të individualizimit. Këtu hynte moslejimi i fëmijëve për të shitur në pazar, që të parandalohej krijimi i psikologjisë së pronës private te brezi i ri e po ashtu dhe puna në oborrin personal, sepse ajo i largonte nga puna në kooperativë.

Një rrezik të veçantë përbënte “intelektualizmi i sëmurë”, shfaqjet e të cilit bëheshin të mundshme, nëse në edukimin e fëmijës: a) mungonte edukata e punës; b) prejardhja proletare; c) ndihej ndikimi borgjez e revizionist; d) bëhej edukimi intelektual në familje.

Ky grumbull idesh krejt të egra për parimet e mësimit dhe edukimit të fëmijëve, për fat të mirë, nuk u zbatua asnjëherë plotësisht, por disa elementë të tij, të ngulitur me këmbëngulje nga disa pedagogë të veçantë, mundën të prishnin fatin e disave.

Kuptimi i shtrembëruar i luftës për pastërtinë ideologjike vërshoi në fushatën për çrrënosjen e ndikimit të kulturës borgjeze perëndimore dhe revizioniste lindore evropiane. Veprat e klasikëve të letërsisë artistike dhe kinematografisë, muzika simfonike bashkëkohore dhe muzika e lehtë iu nënshtrua censurës. Fëmijëve që lindnin duhej t’u viheshin emra “historikë”, apo më saktë, emrat e mbretërve dhe heronjve ilirë të tipit të ri si “Kreshnik”, “Ylli”, “Drita”, “Lumturi” etj.

Zhdukja nga rrënjët e ndikimit të dëmshëm perëndimor hoqi në tërë vendin mbishkrimet “kafe”, duke i zëvendësuar me fjalën shqipe “ëmbëltore”. Ama, ëmbëlsirat me prejardhje lindore, me të cilat krenohet kuzhina shqiptare, u zhdukën shumë shpejt nga banakët e dyqaneve.

Edhe në mjedisin fshatar lindi një “nismë”, sipas së cilës ata gjoja kërkonin pakësimin e sipërfaqes të oborreve vetjake, që të çliroheshin nga tundimi për të shitur tepricat nëpër tregje. Si pasojë u ndalua mbajtja e bagëtive dhe shpendëve. Sipas thirrjes së punëtorëve të ndërmarrjes bujqësore shtetërore “Gjergj Dimitrov”, filloi dorëzimin masiv të kopshteve vetjakë, për të shpëtuar veten nga kultivimi i instikteve pronësore. Siç kujton më pas Dritëro Agolli, shkrimtari popullor u kritikua antikonformist e vendimeve të çmendura, që merrte asokohe udhëheqjen e partisë, nëse ndokush guxonte të protestonte kur fshatarit të shkretë i merrnin lopën, delen, derrin, gjelin, duke i lënë vetëm gomarin, këtë rebel e dënonin me vdekje ose e rrasnin në një qeli me lagështi.

Masat që kufizonin nismat private patën pasoja shkatërruese për prodhimin bujqësor. Në kopshtet vetjake, të cilat zinin 6.5% të tokës së punueshme, prodhohej deri në një e katërta e produkteve bujqësore dhe rreth gjysma e mishit dhe e leshit. Shterimi i këtij burimi shumë të rëndësishëm për furnizimin e popullsisë me artikujt e përditshëm ushqimorë, çoi në uljen e ndjeshme të mirëqenies së popullit dhe zhdukjen e tregut fshatar.

Kjo ishte situata politiko-shoqërore, kur me ndihmën materiale e morale të Kinës, ishte krijuar dhe kishte filluar të zbatohej në praktikë, që prej mesit të viteve ‘60-të, koncepti i ri i zhvillimit ekonomik, orientimi për zhvillimin me përparësi të degëve të industrisë së rëndë. Futja në veprim e një sistemi të fuqishëm rregullues administrativ jashtë ekonomik dhe mobilizimi i aparatit partiak e shtetëror për realizimin e detyrave të planit, sollën një rezultat pozitiv të kënaqshëm. Arritjet qenë mbresëlënëse, sidomos po t’i krahasoje me vitet e kaluara, kur, pas prishjes me BRSS-në, u bë riorganizimi i të gjithë mekanizmit, sipas të cilit lëvizte ekonomia popullore.

Nga analiza e arritjeve të pesëvjeçarit 1966-1970, u vërejt një përmirësim i pëgjithshëm i treguesve të ekonomisë dhe bujqësisë. Në krahasim me periudhën sovjetike, nxjerrja e kromit u dyfishua. Uzina e plehrave azotike në Fier, me një teknologji plotësisht të automatizuar, e blerë në Itali me mjete financiare të kredisë kineze, vuri bazat e degës së re të industrisë kimike.

U bë e mundur të realizohej para afatit plani i ndërtimeve të mëdha. Ndër objektet më të rëndësishme qenë kombinati i tekstileve në Berat, uzina e pjesëve të ndërrimit për traktorët në Tiranë, fabrikat e çimentos në Fushë-Krujë e Elbasan, uzina e përpunimit të naftës, termocentrali dhe uzina e plehrave azotike në Fier, kombinati i superfosfatit në Laç, fabrika e sodës kaustike dhe fabrika e llampave elektrike në Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›