E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në Itali ka një shtet paralel, të maskuar”

13/04/2005  Rezultati elektoral? “E kisha parashikuar”. Kryeministri italian ka komentuar për të përjavshmen “Panorama” domethënien e votës dhe deklaron: “Shkolla, gazeta, tv dhe magjistratë: këto janë armët, me të cilat e majta ka organizuar një sistem pushteti hakmarrës dhe gjykues. Armik ndaj çdo gjëje private”

Një akuzë e rëndë. Por, Berluskoni nuk i ndryshon asnjë presje. “E di mirë atë që them, pasi kam parë të funksionojnë armët e përdorura nga e majta kundër kundërshtarëve politikë. Për të ardhmen, shteti i dyfishtë duhet të jetë diçka që duhet të shqetësojë të gjithë njerëzit e lirë, që e kanë në zemër lirinë. Jam i sigurtë se italianët do ta kuptojnë”

“Gjithçka ishte e parashikueshme”: Silvio Berluskoni nuk pranon aspak që të jetë befasuar nga rezultati i zgjedhjeve rajonale në Itali. Qendra e majtë ka fituar 11 me 2, duke i hequr nga duart Shtëpisë së Lirive plot gjashtë rajone, mes të cilëve ata të Piemontes, Lacios dhe Pulias. Romano Prodi dhe Piero Fasino janë ekzaltuar, duke e parë votën e 3-4 prillit si shenjë elokuente për ngritjen e Unionit deri në zgjedhjet e ardhshme politike, në vitin 2006. Një ndeshje, ajo që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, të cilën deri tani ekspertët dhe sondazhet e konsiderojnë shumë të rëndësishme, dhe mbi të gjitha aspak të sigurtë. Një sfidë deri në votën e fundit, të cilën lideri i Shtëpisë së Lirive nuk ka aspak ndërmend që ta humbasë, siç ka shpjeguar gjatë një analize të ftohtë, që i ka bërë votimeve të fundit në vendin që drejton.

“Italianët votuan me të njëjtën ndjenjë politike që e kemi parë tashmë në disa vende të tjerë evropianë”, shpjegon Berluskoni. “Koniunktura e vështirë ekonomike e Bashkimit Evropian dhe disa rritje jo normale të çmimeve, që shoqëruan futjen e monedhës euro kanë prodhuar kudo nga pak pakënaqësi. Kështu që, gjatë dy viteve të fundit, zgjedhësit evropianë kanë ndëshkuar partitë në qeveri dhe kanë përkrahur ato në opozitë, pavarësisht nga ngjyra e koalicionit”. Ka ndodhur në Francë, ku qendra e djathtë e Pierre Rafarin ka humbur të gjithë rajonet, përveç njërit. Në Gjermani, ku Kryeministri socialdemokrat, Gerhard Shrëder, dështoi në zgjedhjet për Landet. Ndërkohë që e majta në Greqi, qendra e djathtë në Spanjë dhe Portugali ishin në qeverisje dhe u mundën në zgjedhjet politike.

Duke patur në mendje këta precedentë dhe i paralajmëruar nga sondazhet, në prag të zgjedhjeve rajonale, Berluskoni zgjodhi një linjë të profilit të ulët: nuk mbajti asnjë fjalim dhe nuk zbriti aspak në fushatë elektorale. U mjaftua vetëm me dy ndërhyrje në emisionin Porta a Porta. Dhe atëherë kur u shfaq në ndonjë ceremoni publike, si për shembull takimi i Sipërmarrësve të Vegjël të Confindustria në Bari, duke braktisur për një herë të vetme optimizmin tipik, ka thënë se “nuk ndihet i qetë” për ecurinë e ekonomisë. Për ata që donin të kuptonin, ishte e qartë: humbja e 3-4 prillit ishte një rezultat i paralajmëruar.

Në qendrën e djathtë, shkundja ishte menjëherë e fortë. Bruno Tabacci, deputet i UDC i intervistuar mëngjesin e 5 prillit nga Radio 24, befasoi shumëkënd, duke vënë në diskutim vetë udhëheqjen e Berluskonit: “Zgjedhjet rajonale ishin një referendum për Kryeministrin. Tani që e humbi, të vuajë pasojat”. Një linjë që në mazhorancë u duk e izoluar. Maurizio Gasparri, ministër i Komunikacionit, i ka hedhur ujë zjarrit. Ndërsa Maurizio Sacconi, zëvendësministër i Mirëqenies, deklaroi: “Tani duhet një sinjal i fortë, në qeveri dhe në koalicion. Por duhet të keni të qartë: i vetmi që mund të japë këtë sinjal është Berluskoni. Eshtë ai burimi parësor i qendrës së djathtë. E them pa asnjë retorikë, sepse të gjithë e vënë re që vetëm ai mund të ndreqë fijet e konsumuara në muajt e fundit dhe të rindërtojë një aleancë më të gjerë të qendrës së djathtë, duke rikthyer Alessandra Mussolinin nga njëra anë dhe Giorgio Panton nga ana tjetër”.

Aleanza Nacionale dhe Lega duhet të arsyetojnë, shton Sacconi, sepse vetëm “një koalicion i gjerë dhe koherent” i qendrës së djathtë është në gjendje të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme me Unionin e sa majtës që, në krahasim me zgjedhjet e 2001, ka rifituar Rifondazione Comunista dhe Italia dei Valori, të Antonio Di Pietros. Ose më saktë, një dhjetë përqindësh të votave, të cilat rezultuan vendimtare në marrjen e gjashtë nga tetë rajonet, nga duart e Shtëpsië së Lirive.

Larg këtyre llogaritjeve, Berluskoni nuk mendon as për tërheqje as për verifikime: “Jam i qetë. Di që kam qeverisur në maksimumin e mundësive. Në muajt e ardhshëm do të vazhdoj të punoj siç kam bërë gjithmonë deri më sot, duke shpresuar që pas momentit të protestës të shprehur në votimet rajonale, të vijë edhe momenti i arsyes. Dhe që italianët të ndërgjegjësohen për ato gjëra të mira që ka bërë dhe do të bëjë qeveria jonë”.

Eshtë pikërisht kjo linja politike e Kryeministrit, përpara zgjedhjeve politike të vitit 2006: t’u shpjegojë njerëzve se në vitin 2001 mori nga qendra e majtë një shtet dhe një vend “të katandisur si mos më keq” dhe se qeveria e tij, “ndonëse mes qindra pengesave, qoftë edhe nga vetë mazhoranca, ka bërë gjëra të mëdha në interes të të gjithëve, duke mbajtur gjtihnjë parasysh llogaritë publike”.

Mes faktorëve që kushtëzojnë ekonominë, Kryeministri zgjedh sipas radhës: “Së pari, kemi trashëguar nga qendra e majtë borxhin publik më të madh në Evropë dhe të tretin në botë, që na detyron që të shpenzojmë 6 për qind të GDP vjetore për të paguar interesa. Së dyti, forcimi i euros, i bën më pak konkurrues produktet tanë. Së treti, konkurrenca jo e drejtë e vendeve lindore dhe europiano-lindore, ku nuk ka rregulla mjedisore apo tutelë të punës, bën që në tregun tonë të vijnë mallra, të cilat kanë një çmim konsumi shumë më të ulët sesa kostot tona industriale. Për këtë temën e fundit dhe për raportin euro-dollar, qeveria nuk ka asnjë mundësi të ndërhyjë, përveçse të nxisë BE që të marrë masa kundër produkteve që dhunojnë çdo lloj rregulli. Së fundi, parametrat e Maastrichtit na pengojnë të stimulojmë ekonominë: rregullat më fleksibël që kanë hyrë kohët e fundit, falë edhe këmbënguljes së Italisë, vlejnë vetëm sa një gjysmë për qind të GDP”.

Pra, thotë Kryeministri, “askush nuk e ka shkopin magjik në fushën e ekonomisë, as e djathta dhe as e majta”. Shumë e vërtetë. Por, pas një viti, italianëve do t’u duhet të zgjedhin mes njërës dhe tjetrës. Me cilët argumente mendon Berluskoni t’i bindë që ta rimandatojnë? “Nuk do të lodhem së foluri me krenari për gjërat e mira që kemi bërë. Përpara nesh, qeveritë rrisnin shpenzimet publike dhe borxhin, bënin zhvlerësime konkurruese dhe rrisnin taksat. Ne e kemi kthyer në të kundërt këtë lloj tendence: zvogëluar shpenzimet publike, borxhin dhe taksat; kemi reformuar shkollën dhe sistemin e tregut; kemi reduktuar në 8 për qind papunësinë; kemi shumëfishuar investimet në kërkimet shkencore dhe kemi hapur 37 kantierë të rinjë për infrastrukturën dhe veprat e mëdha, që do të thotë 74 miliardë në investime. E gjitha kjo duke mbajtur në rregull llogaritë publike”.

Rezultate thuajse të mrekullueshëm, këmbëngul Berluskoni, të cilat “qeveria po bën të pamundurën t’i zhvlerësojë, shpesh herë duke ia dalë me ndihmën e shtypit mik. E megjithatë, jam i sigurtë që italianët në fund do ta kuptojnë: e majta nuk ka një program alternativ ndaj tonit, por vetëm qëllimin për të konsumuar hakmarrje.

Kaq? Jo. Berluskoni rinxjerr një armë të përdorur edhe më parë. Teorinë e shtetit të dyfishtë. “Në Itali ka një shtet manifest, i përbërë nga qeveria dhe shumica në Parlament dhe është një shtet paralel: ai i organizuar në formën e pushtetit të së majtës në shkolla dhe universitete, në gazetari dhe televizion, në bashki e komuna deri në Këshilla. Nëse këtij shteti të fshehtë do t’i lejohet të bashkohet me shtetin e vërtetë, atëherë në Itali do të kemi një regjim hakmarrës, të maskuar me ligje dhe armiqësor ndaj çdo gjëje private”.

Një akuzë e rëndë. Por Berluskoni nuk i ndryshon asnjë presje. “E di mirë atë që them, pasi kam parë të funksionojnë armët e përdorura nga e majta kundër kundërshtarëve politikë. Për të ardhmen, shteti i dyfishtë duhet të jetë diçka që duhet të shqetësojë të gjithë njerëzit e lirë, që e kanë në zemër lirinë. Jam i sigurtë se italianët do ta kuptojnë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›