E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Epoka para gjyqit, në Ferizaj

Të hënën, në skenën e teatrit të Ferizajt, është dhënë shfaqja “Epoka para gjyqit”, e autorit Ekrem Kryeziu, me regji të Ilir Muharremit. Shfaqja, është dhënë me rastin e festës së Shtatëmbëdhjetë Shkurtit, Ditës së Pavarësisë.

Regjisori i shfaqjes Muharremi, është i kënaqur me interpretimin e nxënësve të shkollës “UNIVERZUM” që ndodhet në Prishtinë dhe ata kanë shkëlqyer me interpretimin e tyre. “Edhe pse disa prej tyre për herë të parë janë prezantuar në skenë, ndërtimi i personazheve, ballafaqimi ndaj tyre, ishte shumë i sinqertë dhe i ndërtuar” thotë Muharremi.

“Për herë të parë kur e kam lexuar këtë vepër, më ka impresionuar tej mase ndërtimi i personazheve, konflikti i brendshëm në vepër dhe struktura dramaturgjike” thotë Muharremi. “Kemi punuar më shumë se një muaj, prova intensive dhe mendoj se kemi arritur atë kulmin e brendshëm, bashkëpunimi ishte në nivel të mirë, kemi arritur me prova t’i ngjallim personazhet e fuqishme të veprës”.

Ndërkaq, Hasan Kryeziu i cili interpretonte Abdyl Frashërin thotë: “Ballafaqimi im me rolin ishte i mirë, edhe pse jam pak i ri për nga mosha, mendoj se kam arritur atë çfarë ka kërkuar regjisori Muharremi”.

Kjo vepër është shkruar më 1978 dhe i kushtohet 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›