E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Lindje, Perëndim, Lindje” premierë në ABC

Njëri nga filmat më të përfolur, pasi është dhënë në festivalin e filmit, Prifilmfest 2009 ,por edhe vlerësuar nga kritikët, “Lindje, Perëndim, Lindje” vjen në kino Abc për nder të përvjetorit të dytë të pavarësisë së Kosovës. Është ky filmi i fundit i regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani, i cili ishte edhe fitues në festivalin e lartpërmendur Prifilmfest 2009 dhe në TIFF 2009 (Tirana International Film Festival).

Filmi është bashkëprodhim shqiptar, italian, maqedonas dhe kosovar, ku si koproducent është kompania kosovare filmike “Punëtoria kreative ISSTRA”.

“Pasi që është bashkëprodhim shqiptar, ideja ka qenë që ky film të shfaqet në shënimin e dy vjetorit të pavarësisë, mirëpo kemi menduar që më mirë është të zgjidhet një ditë para vikendi, atëherë kemi zgjedhur që ky film të shfaqet më datën 19, në orën 20:00 (me ftesa), jo më 17 pasi që edhe ato ditë janë ditë e para të përvjetorit të pavarësisë”, shprehet menaxherja e Kino ABC-së Miraradije Vllahiu.

Tema e këtij filmi shtjellon vitet e nëntëdhjeta në Shqipëri, ku me “urdhër prej së larti” formohet një grup çiklistësh, i cili duhet të marrë pjesë në gara ndërkombëtare të çiklizmit në Francë, me kërkesë që mos të kthehen në mëmëdhe pa trofe.

Grupi I çiklistëve, në krye me trajnerin (Ndriçim Xhepa), një kampion shqiptar në çiklizëm, tash mjeshtër biçikletash, nisen me traget nga Durrësi në Itali, ku duhet të kalojnë një natë e pastaj të nisen për në Francë. Në ndërkohë, në Shqipëri fillojnë trazirat dhe shembja e sistemit komunist.

Ekipi kombëtar I çiklistëve mbetet në Itali pa përkujdesjen e askujt. Në kohën kur i gjithë populli në Shqipëri tentonin të iknin drejt perëndimit, duke shpresuar në një jetë më të mirë, ekipi i çiklistëve vendosin të kthehen në mëmëdhe.

Skenari është bërë nga Gjergj Xhuvani & Dhimitër Xhuvani, ndërsa regjia Gjergj Xhuvani. Në film luajnë dhe dy aktorët kosovarë, Shkumbin Istrefi dhe Valina Muçolli. Aktorët e tjerë: Ndriçim Xhepa, Helidon Fino, Gentian Hazizi, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja, Oni Pustina

“Kemi bërë mjaft përpjekje që të kemi këtë film në repertorin tonë, pasi që është një prej realizimeve më të mira të fundit prej regjisorëve mjaft të njohur shqiptar”, tha Vllahiu

Filmi do të vazhdojë pastaj të jepet rregullisht me nga tri termine, që nga dita e shtunë me datën 20.

Ndërsa, më datën 19, do jetë dhe shfaqja për media dhe konferenca për shtyp në kino ABC – 19.02.2010, në orën 13:00, ku pritet të ketë edhe mysafir të cilët e kanë realizuar filmin.

Në kino Abc për nder të kësaj dite pritet të vijë filmi “Legior”. Është film i zhanrit horror, i cili është mjaft i kërkuar nëpër kinematë e botërore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›