Komuna konflikt me bashkinë,bllokohet puna për impiantin
SARANDE – Konflikti mes Bashkisë së Sarandës e Komunës së Alikos bllokon punimet për ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza të qytetit. Në afishen e vendosur në hyrje të kantierit thuhet se komuna bllokon punimet, pasi ajo i konsideron punimet në këtë vend të paligjshme. Kryetari i komunës së Alikos, Ilia Thanasi, shprehet se, kanë qenë të detyruar për ta bërë këtë hap në përputhje me ligjin, pasi sipas tij në komunën që ai drejton nuk është depozituar dosja për ngritjen e këtij objekti dhe gjithashtu nuk është marrë edhe leja e ndërtimit. Të gjitha këto detyrime të pashlyera duan të thonë se komunës nuk i janë dhënë 10 milionë lekë të reja, e llogaritur si qira e tokës. Në drejtorinë e programim-zhvillimit në Bashkinë e Sarandës për këtë problem shprehen se, investitore për ngritjen e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza nuk është bashkia, por duke qenë me impakt të jashtëzakonshëm për turizmin e Sarandës e për gjithë rajonin, disponojnë gjithë dokumentacionin që i takon objektit të njohur ndryshe me emrin “Ligatinat”. Sipas kreut të kësaj drejtorie, Llukan Dedi, komuna e Alikos, megjithë të drejtën mbi administrimin e territorit ku ngrihet impianti, nuk ka arsye të veprojë duke bllokuar punimet. Ai tha se objekti është i kompletuar me të gjithë anën dokumentare, deri dhe me lejen e ndërtimit që prej vitit 2005, kur ai ka kaluar në KRRTRSH-në e Republikës, së bashku me lejen mjedisore. Ngritja e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza është një investim i Bankës Botërore dhe asaj Evropiane, me vlerë 3.8 milionë euro, që së bashku me pajisjet dhe infrastrukturën vlera totale shkon në 5.8 milionë euro. sh.d