Pogradec, vdesin nga asfiksia bashkëshortët e moshuar
Dynjamin Berberi dhe gruaja e tij, Mynyrja u gjetën pa jetë mëngjesin e djeshëm në dhomën e gjumit
Sipas policisë, shkak është bërë asfiksia nga gazi karbonik, çliruar nga mangalli me të cilin po ngroheshin
Pogradec-Dioksidi i karbonit, lëshuar nga mangalli i përdorur për ngrohje i ka kushtuar jetën një çifti bashkëshortësh në Buçimas të Pogradecit. Dynjamin Berberi, 73-vjeç dhe gruaja e tij, Mynyrja, 76-vjeçe janë gjetur pa jetë mëngjesin e djeshëm në dhomën e tyre të gjumit. Rreziku sipas ekspertëve të fushës ka qenë i njëjtë dhe për 5 anëtarët e tjerë të kësaj familje, por ambienti i izoluar i dhomës ku ndodhi tragjedia ka shmangur përhapjen e helmit të çliruar dhe në dhomat e tjera të kësaj shtëpie. Tragjedi që mori udhë nga dëshira e mirë për t'i shpëtuar të ftohtit gjatë natës, për të cilën bashkëshortët morën në dhomën e gjumit një mangall me prush, pa ditur se ky do të shënonte fundin e tyre.
Ngjarja
Bashkëshortët janë gjetur të vdekur në dhomën e tyre të gjumit në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ka qenë djali i tyre, Petriti, i cili, i bërë merak për zgjimin e vonuar të prindërve, gjë kjo e pazakontë, ka shkuar drejt dhomës së gjumit për të parë se çfarë kishte ndodhur. Dera, sipas rrëfimit që ka dhënë ai vetë ka qenë e puthitur shumë fort dhe nuk hapej. Për këtë i është dashur që të shpërthejë dritaren e prej andej të hyjë në dhomë, por ka mbetur i shtangur nga ajo që ka parë. Prindërit të dy kanë qenë në gjendje gjumi, por pa shenja jete. I alarmuar për gjendjen e tyre i ka transportuar ata me urgjencë drejt spitalit të qytetit. Por, sipas mjekëve që i kanë pritur, të dy bashkëshortët nuk kanë pasur shenja jete dhe ndërhyrja për t'i shpëtuar ka qenë e kotë. Mësohet se dhoma e tyre e gjumit, pas ndërtimit të shtëpisë së re, ka qenë thuajse hermetike. Dyer e dritare alumini të puthitura më së mirë kanë bërë që gjithë gazi që çlirohej nga mangalli të sillte asfiksimin e tyre. Sipas policisë, që pa nga afër vendin e ngjarjes, çifti Berberi ka fjetur si gjithmonë në dhomën e tyre. Për t'i shpëtuar të ftohtit të madh, disa gradë nën zero, të regjistruar mbrëmjen e së dielës ata kanë marrë me vete në dhomë një mangall me prush. Gjatë natës prushi ka çliruar mjaftueshëm dioksid karboni aq sa i shpuri drejt asfiksisë, në një kohë që edhe vetë mosha e sëmundjet e saj kanë bërë të vetën në mungesën e rezistencës.
Hetimet
Për të qenë të sigurt për shkakun e vdekjes së bashkëshortëve Berberi, grupi hetimor ka kërkuar që të bëhet autopsia e kufomave. Sipas drejtorit të spitalit të qytetit, Robert Gusho, thotë për gazetën se autopsia është bërë dje në mesditë dhe për këtë ka mbërritur në Pogradec edhe një specialist nga Tirana që asistoi në autopsi. "Pas autopsisë ka rezultuar se çifti i të moshuarve ka vdekur si rezultat i çlirimit të gazit karbonik"- thotë Gusho. Në këtë mënyrë arrin në katër numri i personave të vdekur vetëm gjatë një muaji në qarkun e Korçës, mes të cilëve një 17-vjeçar, një burrë 45-vjeçar dhe së fundmi çifti Berberi nga fshati Buçimas në rrethin e Pogradecit.