E Diel, 1 Nëntor 2026

Era e fortë paralizon portet e Jugut

Moti i keq me erë të fortë ka paralizuar trafikun detar në Gjirin e Vlorës. Asnjë prej trageteve të linjës Vlorë-Brindisi nuk ka mundur të niset prej brigjeve të shtetit fqinj, pasi deti në afërsi të gjirit të Vlorës i kalonte 7-8 ballë, gjë që mund të shkaktonte vështirësi jo vetëm në udhëtim, por edhe në ankorim. E njëjtë ka qenë dhe situata për anijet e peshkimit dhe për ato të transportit, të cilat që prej orëve të pasdites së të hënës nuk kanë lëvizur prej vendeve ku janë ankoruar: Peshkatoret në Triport, ndërsa cisternat e gazit dhe transportierët në radë.
Sipas shefit të Kapitanerisë së Portit detar të Vlorës, Anastas Goga, era e fortë ka nisur që prej pasdites së të hënës dhe ka arritur shpejtësi maksimale në afërsi të Gadishullit të Karaburunit. Për këtë arsye ndihet edhe më shumë në afërsi të Vlorës. Goga shton se situata do të përmirësohet vetëm të mërkurën. Me një shpejtësi prej 25-30 m/s, era ka bërë që jo vetëm deti të ketë probleme, por dhe qyteti. Disa linja të tensionit të lartë kanë pësuar defekte dhe disa lagje të Vlorës kanë mbetur pa energji elektrike. E njëjta situatë është paraqitur edhe në Zvërnec.
Përkeqësimi i menjëhershëm i kushteve të motit është shoqëruar dhe me shtimin e dallgëzimit edhe në Gjirin e Sarandës. Kjo ka sjellë dje ndërprerjen e qarkullimit të trageteve të linjës Korfuz-Sarandë e anasjelltas. Dita e parë e dhjetorit ka ardhur jo vetëm me uljen e temperaturave dhe me shira lokalë, por edhe me rritjen e treguesve të dallgëzimit në det. Në kushtet kur pajisjet e instaluara kanë shënuar arritjen e këtij treguesi në 5-6 ballë, Kapitaneria e Portit detar të Sarandës dhe ajo e Korfuzit kanë ndaluar nisjen e trageteve të linjës. Për këtë shkak nuk është nisur trageti i parë i ditës nga brigjet e Korfuzit në drejtim të Sarandës e po kështu nuk është lejuar as lundrimi i trageteve të tjerë, që nisen nga Saranda në drejtim të Korfuzit.
Udhëtimi me det në këtë linjë ka qenë tërësisht i pezulluar për ditën e djeshme, ndërkohë që nuk ka ndonjë konfirmim nëse do të rivendoset në ditët që pasojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›