E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në fabrikë, frikë nga hakmarrja

Kanë kaluar vetëm 24 orë nga çasti kur Avdyl Zalla, i riu që gjeti vdekjen nga një plumb kallashnikovi, i cili e përshkoi nga njëra ije në tjetrën, është përcjellë për në banesën e fundit. Në vilën dykatëshe të Sefer Zallës nuk pushojnë vizitat e ngushëllimit. Edhe pronarët e fabrikës kanë qenë. Përpos ngjyrës jeshile të vilës, duket se shpresa për jetën është shuar mes njerëzve që hyjnë e dalin dhe nuk arrijnë ta besojnë se jeta e një fëmije u shua nga arma e rojës së fabrikës. Asaj fabrike që solli konfliktin dhe ndryshimin në jetën e fshatit që ndodhet pak kilometra larg Fushë-Krujës, por që për të mbërritur atje vështirë të gjesh një mjet linje të transportit publik. Gra të fshatit flasin në rrugë për gjëmën dhe gjakun e të riut të pafajshëm, "që ngeli në tokën e vet, atje ku të huajt fitojnë miliardat...". Rruga e fshatit e shtruar me gurë të bardhë gëlqerorë, vende-vende ka baltë nga shirat e rënë. Gjithçka duket si e çimentuar. Një fshat i ngrirë në tragjedinë e vet, ndotjen dhe zhvillimin që vjen prej saj. Një djalë 10-vjeçar na shoqëron drejt shtëpisë ku prej ditësh ka pllakosur morti. E motra e tij sigurohet që fëmija të mos afrohet shumë aty, pasi një ditë më parë në të gjithë fshatin ka pasur punonjës policie. Situata është e nderë, ndërsa të rinjtë e fshatit janë të irrituar. Gjetja e një sasie të konsiderueshme eksplozivi të pashpërthyer pranë peshores nuk përmendet aspak në shtëpinë e Seferit: "Nuk kemi dëgjuar gjë. S‘dimë gjë". Jashtë saj, të gjithë parashikojnë se përdorimet e lëndëve plasëse ndaj fabrikës në shenjë paralajmërimi, po dhe hakmarrjeje, do të shtohen. Prania e një gazetareje i irriton shumë prej tyre, ndërsa të tjerë duan të flasin. Tregojnë për fabrikën që sipas tyre ngjason më shumë me një bazë të NATO-s, sesa me një fabrikë prodhimi. "Rojat janë të armatosur. Ndjehemi nën terror. Avdyli s‘po futej për të vjedhur, po si të gjithë fëmijët e fshatit afrohej pranë saj. Në fshat nuk ka asgjë tjetër. Ajo gjithmonë është aty dhe ngacmon fantazinë e fëmijëve që sillen rreth saj. Shpesh tentojnë të futen përmes rrethimit të shkallëzuar", thotë daja i të ndjerit. Avdyli, që ende nuk kishte mbushur 17 vjeç, kishte trashëguar emrin e gjyshit të tij, Avdyl Zallës, njërit prej trashëgimtarëve më të mëdhenj të tokës ku ngrihet fabrika.
Si ndryshoi jeta e Zallëve
Fabrika e çimentos në Fushë-Krujë ka qenë dhe mbetet një mollë sherri prej vitesh mes banorëve të zonës dhe pronarëve të saj, që kur fabrika 50-vjeçare u mor në administrim nga libanezët, gjë që krijoi një situatë konfliktuale me banorët e fshatit Zallë, në tokën e të cilëve është e ndërtuar. Në kohën e privatizimit të saj, trashëgimtarët ishin njerëz të varfër, pa njohje me procedurat dhe rrugët që duhet të ndiqnin. Më pas, kur mësuan se të huajt do të merrnin në përdorim fabrikën nga e cila të ardhurat do të rridhnin lumë, u kujtuan se shteti ua hodhi. Njohja me fitimet që mund t‘u siguronte fabrika e çimentos që ndodhet në tokën e tyre i bëri Zallët e fshatit me të njëjtin emër të jenë në një konflikt të hapur me pronarët e fabrikës. Një pjesë e trashëgimtarëve të tokës janë punësuar në fabrikë, ndonëse numri i tyre konsiderohet shumë i vogël. Përveç punësimit, drejtuesit e fabrikës ofruan 100 dollarë për frymë për familjet që ndodhen pranë fabrikës, si një formë dëmshpërblimi për ndotjen e vazhdueshme me të cilën bashkëjetojnë. Disa prej të rinjve të fshatit kanë siguruar mbështetjen financiare për të nisur studimet e larta në Universitetin e Tiranës. Të tjerë janë ndihmuar për të zëvendësuar shtëpitë e vjetra të fshatit me vilat 2-3 katëshe. Kompania e ka bërë këtë në emër të vijimësisë në paqe të aktivitetit të saj prodhues e tregtar, ndërkohë që banorët në mënyrë të vazhdueshme ushtrojnë presion përmes eksplozivit dhe protestave për të rritur përfitimet nga fabrika që siguron fitime të majme, ndërsa ngrihet në tokën e tyre dhe ndot ambientin, ajrin që ata thithin çdo ditë të jetës së ndërtuar në këtë bashkëjetesë konfliktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›