E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uniforma e oficerit, në shtëpinë e kunatit të Dajtit

Uniforma e Policisë së Shtetit, që kishte në përdorim Marenglen Muça, ndodhej në shtëpinë e kunatit të Dritan Dajtit. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se oficeri i policisë që mbulonte vjedhjet në zonën e plazhit në Durrës, i konsideruar si "spiuni" i Dajtit, i kishte servirur Erges Xhaxhit dokumente policore. Si prova kryesore të akuzës janë edhe dëshmitë e gjashtë oficerëve të tjerë të policisë që kanë kontaktuar me kunatin e Dajtit. Sipas akuzës, një armatë policësh ishte në shërbim të Dritan Dajtit. Ndoshta pa e kuptuar, disa oficerë të Policisë së Shtetit në Tiranë, Durrës, Krujë, Dibër dhe madje Gjirokastër, ishin nën urdhrat e "eprorit Dajti, i cili mbante në automjetin e tij "Touareg" një uniformë origjinale të policisë me gradat nënkomisar, me emrin A. Zeneli. Gjithashtu Dajti dispononte një dokument të falsifikuar të policisë me të njëjtin emër. Nën shoqërinë e kunatit të tij, Erges Xhaxhi, 39-vjeçari udhëtonte i qetë në zemër të vendit, atje ku prezenca e policisë është shumë e madhe, madje agjentët e policisë e nderonin, pasi në pjesën e përparme të automjetit kishte vendosur një mjet identifikimi të policisë, që përdoren nga policët rrugorë, kundërtabelë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se ka prova që vërtetojnë se oficeri që mbulonte zonën ku jetonte Dajti në Durrës, ka shpërdoruar detyrën, duke ndihmuar një të kërkuar t‘i shpëtonte drejtësisë, madje ka shkuar edhe më tej, duke i dhënë uniforma policie. Për të paktën dy episode, hetuesit e çështjes kanë dokumentuar shpërdorimin e detyrës. Bëhet fjalë për dhënien e uniformës policore dhe të dokumentit të identifikimit që ata përdorin. Janë të paktën tri dokumente të tilla me emrin Agron Zeneli dhe me fotografinë e Dajtit, që prokuroria do t‘i përdorë si provë. Një provë tjetër që do të shërbejë për qëndrimin në burg të punonjësit të policisë do të jenë edhe tabulatet telefonike. Hetuesit kanë përgatitur një skemë mbi bazën e të dhënave të marra prej tyre. Sipas tyre, vërtetohet se kunati i Dajtit, Erges Xhaxhi, komunikonte shpeshherë me Muçën, si dhe me oficerë të policisë në Krujë, Dibër e Gjirokastër. Më pas, ai e njihte "eprorin" e tij me zhvillimet në polici, përkatësisht me masat që kishin marrë për operacione të veçanta, si dhe për "planet" e ditës.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›