E Shtunë, 31 Tetor 2026

HIV/AIDS, 5 mijë të rinj, test vullnetar

Plot 5 mijë qytetarë, në mënyrë të veçantë mosha të reja të cilët kanë pasur dyshime te vetja, kanë kryer testimet vullnetare për të zbuluar nëse janë prekur nga HIV/AIDS. Përgjigjen e kanë marrë brenda një dite, ose dhe pak më vonë, në rast se ka lindur nevoja për një rikonfirmim të dytë. "Përgjatë një viti, në Tiranë janë kryer rreth 2 mijë testime vullnetare, ndërkohë që në 10 qendrat e këshillimit në prefektura janë kryer mbi 3 mijë testime, gjithsej 5 mijë ekzaminime", tha Marjeta Dervishi, specialiste për çështjet e HIV/AIDS pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas saj, kryesisht kanë qenë të rinjtë ata që kanë kryer testin. Pjesa më e madhe e të cilëve kanë kryer sjellje me risk, që kanë ndërruar disa partnerë brenda një kohe të shkurtër e që nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale të mbrojtura. Numri i këtyre testimeve ka ardhur duke u rritur nga viti në vit dhe pas marrjes së përfundimit të analizave të rinjtë ndërgjegjësohen edhe më shumë, duke marrë në konsideratë këshillat e shëndetit publik për metodat mbrojtëse. Të gjithë ata të rinj apo qytetarë që janë të interesuar për të kryer një test, mund t‘i drejtohen Institutit të Shëndetit Publik ose Qendrave të Këshillimit në 10 qarqe në vend. Përgjigjja merret në një kohë shumë të shkurtër, ndërkohë që një nga këshillat kryesore të ISHP-së, sidomos për moshat e reja, është përdorimi i prezervativit për të mbrojtur veten dhe partnerin jo vetëm nga HIV/AIDS, por të gjitha sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Të prekurit nga HIV/AIDS

Në vitin 2009, ISHP-ja ka identifikuar plot 47 raste të reja me HIV/AIDS. Dje, në ditën ndërkombëtare kundër HIV/AIDS, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë publikuar të dhënat e reja të vitit 2009 në vendin tonë.

Mbi 40 persona në vit infektohen nga virusi i HIV/AIDS në vendin tonë dhe deri tani janë 350 raste të regjistruara, ku 70 për qind janë meshkuj dhe 30 për qind janë femra.

Sipas të dhënave, janë 21 fëmijë shqiptarë të infektuar me HIV/AIDS, janë dy familje, ku nëna, babai dhe fëmija janë të prekur nga kjo sëmundje dhe trajtohen me medikamente. Dy prej këtyre fëmijëve kanë humbur jetën nga sëmundja. Sëmundja e SIDA-s në vendin tonë nuk po diagnostikohet vetëm te romët, punonjësit e seksit apo homoseksualët, të cilët konsiderohen si grupe risku, por është përhapur në popullatën e përgjithshme. Rreth 90 për qind e rasteve të prekura në vendin tonë nga AIDS janë infektuar nëpërmjet rrugëve seksuale të transmetimit, në 5 për qind të tyre infeksioni është transmetuar nga nëna te fëmija, 4 për qind janë infektuar nëpërmjet gjakut dhe 1 për qind nga injektimi intravenoz i drogës.

Diskriminimi

Edhe pse sipas ligjit në fuqi, të prekurit nga HIV/AIDS nuk konsiderohen si kategori për t‘i qëndruar "larg" në punë, në shkollë apo ambiente të tjera, përsëri diskriminimi i tyre është i pranishëm në vitin 2009 jo vetëm në komunitetin tonë, por edhe në mjediset spitalore. Shumica e tyre janë të papunë, ndërkohë që ndihen të diskriminuar dhe shpesh ka edhe raste të pacientëve që nuk u drejtohen për ndihmë autoriteteve shëndetësore, për shkak të stigmatizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›