E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Era e malit” fryn në Lazarat, RENEA asgjëson hashashin



Nuk kanë qenë veçse fjalë për ndërmarrjen e një operacioni antikanabis në Lazarat, kur një ditë pas deklarimit të kreut të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, policia ka asgjësuar me mijëra bimë të lëndës narkotike në fshatin më problematik në jug të vendit. Në total, janë plot 8105 rrënjë Kanabis Sativa të identifikuara dhe të shkatërruara nga punonjësit e policisë, ndërkohë që tashmë po punohet për kapjen e pronarëve të identifikuar të parcelave të mbjella. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, mbështetur nga forcat speciale RENEA, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Era e Malit” në fshatin Lazarat për evidentimin e parcelave të mbjella më bimë narkotike, si dhe shkatërrimin e asgjësimin e këtyre bimëve. Policia tha se ndonëse në parcelat përreth nuk u gjet asnjë person, janë evidentuar të gjithë pronarët e banesave ku u gjet Kanabis. Ndërkohë që tashmë po punohet për vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve.

Operacioni

Mbi 8 mijë rrënjë Kanabis Sativa të gjetura vetëm në disa parcela të fshatit Lazarat, por për çudi në të gjitha shtëpitë afër tokave nuk ndodhej asnjë person.

Gjithçka ka startuar në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm, kur të nisur enkas nga Tirana, forcat speciale RENEA në bashkëpunim me ata të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policisë së Gjirokastrës, kanë rrethuar gjithë fshatin. Operacioni ka nisur mbi lagjen “Kordhocë” dhe ka vazhduar deri në brendësi të fshatit Lazarat, duke ezauruar të gjithë informacionin që disponohej për kultivim të bimëve narkotike. Megjithatë, në momentin e mbërritjes së policisë, mësohet se kryefamiljarët janë larguar nga banesat e tyre, si dhe në parcelat përreth nuk u gjet asnjë person. Por, kjo gjë nuk e ka penduar aspak policinë për të evidentuar të gjithë pronarët e banesave dhe të parcelave përreth. Sipas burimeve zyrtare policore, gjatë operacionit nuk pati konfrontime të banorëve me policinë, si rezultat operacioni ka vijuar normalisht. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Asgjësimet

Si rezultat i këtij operacioni, janë evidentuar 19 parcela të mbjella me bimë narkotike, të cilat ishin në oborret e shtëpive, banesa të braktisura dhe në territoret përreth këtyre banesave. Sipas policisë, gjithsej janë evidentuar 8105 rrënjë bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 220 centimetra të larta.

Bimët narkotike të llojit Kanabis Sativa janë asgjësuar në vend me anë të djegies ku në çdo parcelë janë marrë nga disa bimë në cilësinë e provës materiale.

Pas operacionit po punohet për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve. Ndërkohë që Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bën me dije se do të vazhdojë operacionet për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike në të gjithë territorin e qarkut, ku do të evidentohen të tilla.

Shifra

19 parcela të mbjella me bimë narkotike janë evidentuar në oborret e shtëpive, banesa të braktisura

8105 rrënjët e bimëve narkotike Kanabis Sativa varionin nga 180 centimetra deri në 220 centimetra të larta

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›