E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakatohen dy peshkatarë, duke çmontuar

Dy peshkatarë janë plagosur rëndë dje ndërsa përpiqeshin të çmontonin një predhë artilerie. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:45 në banesën e Pëllumb Kekës, një shtëpi private në lagjen "Pavarësia" të qytetit të Vlorës. Dy peshkatarët po çmontonin një predhë të vjetër, të cilën e kishin gjetur diku në bregdet. Qëllimi i tyre ishte marrja e tritolit nga predha dhe përdorimi i tij për të gjuajtur në det në mënyrë të paligjshme, siç ndodh rëndom në Portanovë, Triport e Karaburun. Në momentin e hapjes së predhës, mungesa e kujdesit dhe padija e peshkatarëve në këtë proces, ka bërë që predha të shpërthejë. Peshkatarët janë përpjekur që ta hapin predhën me gur fleksibël, i cili ka shtuar nxehtësinë dhe ka bërë që ajo të shpërthejë, duke iu shkaktuar dëmtime serioze dy peshkatarëve. Fqinjët kanë shkuar të parët për të ndihmuar dy të plagosurit, që janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit, ku u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Banorët e zonës përreth tregojnë se janë tmerruar nga shpërthimi i predhës, që ka shkaktuar tronditje edhe në shtëpitë fqinje. Një prej tyre tregon se Pëllumb Keka ka humbur një këmbë dhe një dorë nga shpërthimi, ndërsa shoku i tij, Koço Paço, ka marrë plagë në disa pjesë të trupit. Copat e mbetura të predhës ishin shpërndarë në zonë, ku kanë qenë disa fëmijë që e kanë gjetur dhe ia kanë dorëzuar më tej policisë. Policia ka marrë si provë materiale edhe gurin fleksibël dhe pjesët e mbetura të predhës, ndërsa dy të dëmtuarit, nën kujdesin e mjekëve kanë tejkaluar rrezikun për jetën. Sipas policisë së Vlorës, Koço Paço, 60 vjeç dhe Pëllumb Keka 45 vjeç, do të ndiqen penalisht për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

Ky nuk është rasti i parë kur peshkatarë amatorë të Vlorës, që gjuajnë me dinamit, kanë pësuar dëmtime nga pakujdesia në çmontimin e predhave që gjejnë në bregdet apo pranë zonave ushtarake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›