Shtabi i Përgjithshëm inspekton depot e armatimit
Ngjarja e Gërdecit ka rritur masat e sigurisë nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shqipërisë. Rreth 15 ekspertë të ushtrisë kanë mbërritur dje në Fier për të inspektuar bazat me municione, të cilat ndodheshin në fshatin Grizë, 7 km larg qytetit të Fierit. Mësohet se ekspertët kanë hyrë në brendësi të magazinave dhe kanë verifikuar llojet e municioneve. Ata janë shprehur se "siguria është në masë të lartë në këtë repart, por afërsia e tij me banesat përbën shkelje të rregullave të sigurisë. Ne do të përpiqemi që t‘i zhvendosim municionet që ndodhen në këtë repart". Ndërkohë që ekspertët i janë shmangur publikimit të sasisë së municioneve që ndodhen aty, si dhe llojeve të tyre. Fshati Grizë, që numëron më shumë se 500 banesa dhe afro 3000 banorë, gjendet vetëm 300 metra larg repartit. I shqetësuar për këtë fakt, prefekti Shahin Bejdaj, shprehet se në Grizë ndodhen mbi 3 mijë tonë municione, të cilat rrezikojnë jetën e banorëve.