E Diel, 1 Nëntor 2026

Erikson: Bekam është kapiteni

21/01/2005  Trajneri i përfaqësueses angleze Sven Goran Erikson, vazhdon akoma të jetë në mbështetjen e kapitenit Dejvid Bekam. Pavarësisht nga forma e jashtëzakonshme që po tregon Shon Rajt Filips, më fanelën e Mançester Sitit, si dhe presionit të ushtruar, trajneri suedez nuk heq dorë nga mesfushori madrilen. Shqetësimi më i madh që ka Erikson duket se do të jetë krahu i majtë në mesfushë. Zgjidhja e Erikson për të mbuluar këtë problem në formacionin titullar mendohet se nuk do të jetë anësori i Midëllsboros, Stjuart Douning, ndonëse ai kohët e fundi ka gëzuar një formë shumë të mirë në radhët e skuadrës së drejtuar nga Stiv Meklaren. Ndoshta Erikson do të vinte në përdorim një eksperimentim të veçantë, ku Shon Rajt Filips, mund të aktivizohet në krahun e majtë të mesfushës, që do të thotë se vendi i Bekam nuk është në kërcënim. “Në fakt Dejvid është kapiteni ynë dhe do të vazhdoj të mbetet po i tillë, ka komentuar Erikson. Dejvid ka një vit e gjysmë që aktivizohet si mesfushor qendre, në radhët e Real Madridit. Sigurisht ai mund të bënte një të tillë edhe për skuadrën e tij përfaqësuese. Kjo varet nga mënyra se si ne duam të luajmë. Nuk është pozicioni i tij më i preferuar, por unë jam i sigurtë se Shon Rajt Filips do të ishte në gjendje që të luante edhe në krahun e majtë. Jam shumë i sigurtë për një gjë të tillë, ndonëse për Shon, është më mirë që ai të aktivizohej në krahun e djathtë të mesfushës. Megjithatë do të shohim nëse ai do të jetë në gjendje për ta nisur takimin si titullar, apo në pjesën e dytë. Akoma nuk e di sepse asgjë s’është vendosur. Deri më tani, ai po rritet shumë mirë në nivelin profesional dhe sigurisht e meriton një vend në skuadrën përfaqësuese. Nuk e di, por ndoshta do të marrë vendimin për ta aktivizuar edhe atë në formacionin titullar. Ndonjëherë ai ka luajtur edhe si sulmues i dytë, ku një aktivizim i tillë prej tij më ka pëlqyer. Jam i sigurtë se ai mund të luaj në krahun e majtë, por ndoshta pozicioni më i preferuar për atë do të mbetet krahu i djathtë. Më pëlqen në lojën e tij, sepse tregon mjaft qëndrueshmëri dhe forcë karakteri. Pavarësisht se pengohet nga kundërshtarët, ai arrin ta gjej përherë forcën e duhur për t’u ringritur në këmbë. Mendoj, se të tilla aftësi janë shumë të rëndësishme për aktivizimin në futbollin ndërkombëtar dhe sidomos në Premier Ligë, ai ka treguar një formë të jashtëzakonshme”. Në këtë mënyrë trajneri suedez vazhdon të jetë në mbështetje të Dejvid Bekam, i cili sipas tij do të mbetet i paprekshëm në krahun e djathtë të mesfushës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›