E Diel, 1 Nëntor 2026

Skenderbeu, gravurat ne nje album

21/01/2005  Skëndërbeu

Gravura në një album

Një album me gravura të shekujve XVI-XVIII, që gjenden në botimet kushtuar Gjergj

Kastriot Skëndrebeut, do të publikohet nga Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të 600 vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar. "Gravurat do të riprodhohen sipas atyre të librit në

latinisht të Marin Barletit botuar në Romë në vitet 1508-1510, në përkthimet e Barletit në gjuhë të ndryshme evropiane si dhe në veprat e artistëve më të shquar europianë, midis të cilëve dhe të gjermanit, Albert Dyrer", tha drejtori i Muzeut Historik, Moikom Zeqo.

Ikonografia skënderbejane zotërohet kryesisht nga artet figurative me anë të portreteve në vaj, në gravura, në dru-gdhendje, në bronx dhe letër. Portreti më i vjetër i

Skënderbeut në gravurë është portreti i botuar në librin e Marin Barletit. Pinakoteka e Heroit Kombëtar është e pasur dhe deri diku e studiuar nga shkencëtaret dhe historianët e artit. Këtu përfshihen edhe disa medalione bronxi të hershme me relievin e

Skënderbeut.

Gjergj Kastriot Skënderbeu, Heroi Kombëtar i shqiptarëve lindi në vitin 1405 në një familje të madhe feudale. Ai ishte më i vogli i katër djemve të Gjon Kastriotit. I dorëzuar turqve që në moshë të vogël në fillim në oborrin e Sulltan Mehmetit I dhe më pas të Muratit II, Gjergji hyri dhe u edukua në radhët e içogllanëve.

Në faqet e botimit të Prof.Dr.Frashërit thuhet se "në bindjet e tij fetare ndikuan patjetër rrethanat e veçanta që përjetoi Shqipëria mesjetare". Trualli shqiptar ku veproi

Skënderbeu ndodhej në kufi të kishës lindore dhe kishës perëndimore, madje në trevën ku bashkëjetonin besimtarët e të dyja kishave të krishtera antagoniste. Në shekullin e Skënderbeut në trevën shqiptare ndodhi përplasja midis dy kishave të krishtera të përçara dhe fesë islamike, fe e një perandorie në fuqizim të vazhdueshëm.

Në këtë truall kontraditash të thella, ishte e vështirë që zotërit feudalë, të respektonin bindjet fetare, kur këto binin në kundërshtim me interesat pushtetore dhe pasurore.

Sipas Frashërit, "po të kemi parasysh këto rrethana, nuk mund të besohet pohimi i historianëve perëndimorë se familja e Gjon Kastriotit ishte e lidhur plotësisht me Kishën katolike. Skënderbeu ishte besimtar i krishterë tolerant, anoi nga kisha katolike për interesat e luftës dhe po për këto interesa mbajti afër edhe kishën ortodokse të Shqipërisë, varësia e së cilës nga Patriarkati i Kostandinopojës ishte tronditur nga invazioni osman

dhe pjesërisht ishte lidhur me kishën e Romës".

Madje nga pikëpamja e tolerancës fetare, Skënderbeu i kapërceu ndoshta të gjithë princët evropianë të kohës së tij. Në pragun e betejës së Beratit ai e pranoi kërkesën e shqiptarëve të viseve lindore, (të cilët ndërkohë ishin myslimanizuar), që të mos u prekej feja dhe pasuria në rast se treva e tyre do të çlirohej, siç flitej ato ditë nga ushtritë shqiptaro-napolitane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›