E Hënë, 2 Nëntor 2026

Natasha Lako, 20 filma shqiptare per Televizionin shteteror te Kines

22/01/2005  Natasha Lako

20 filma për

miqësinë e kinezëve

Televizioni shtetëror Kinez në tentativën e dytë për të shfaqur filmat shqiptarë të viteve 1970; Shfaqja e 20 filmave më të mirë do të paraprihet në një emision të posaçëm, ku mendohet të ketë audiencë prej 700 milionë teleshikuesish

Qysh atëherë kur miqësia kishte arritur në zenit midis Kinës dhe Shqipërisë, ka mbetur gjaku i “vëllait” komunist.

Drejt vendit tonë në këto vite, nostalgjikët e revolucionit kulturor të Mao Ce Dunit tërhiqen ende pas mitit që ngritën për moralin e shëndoshë që ruan shoqëria jonë.

Ndoshta, nën arsyet pasionante, Televizoni Shtetëror Kinez do të transmetojë 20 filma më të mirë shqiptarë të viteve ’70. Kjo është marrëveshja më e fundit e bërë midis Arkivit Shtetëror të Filmit shqiptar dhe televizionit shtetëror kinez, ku parashikohet të ketë një audiencë prej më shumë se 700 milionë shikues.

Drejtorja e Arkivit Natasha Lako, thotë se nuk kanë nënshkruar kontrata shitjeje apo blerjeje, ato thjesht do të transmetohen në këtë televizion dhe më pas do të kthehen në Shqipëri. “Janë institucione të tjera që merren me shpërndarjen e tyre me të cilat ky televizon mund të lidhë kontratë të të drejtave të autorit”, thotë Lako.

Gjithsesi ajo tregon se janë një grup filmash nga më të mirët të prodhimeve të ish-Kinostudios “Shqipëria sot” që i përkasin viteve 1970.

Kjo periudhë është cilësuar për shumë artistë të këtij brezi si më e begata e kohës së socializmit për shkak se pati vërshime të rrymave dhe kulturave perëndimore, por që e pati kohën mjaft të shkurtër. Studio e filmit “Shqipëria sot”, e krijuar në vitin 1953 si producent shtetin, arriti të krijonte në vitet ’70 një ritmikë prodhimi. Dalëngadalë po lindnin yjet e filmit shqiptar. Në vitin 1976, mbi bazën e këtyre prurjeve të prodhimeve filmike u arrit të ngrihej Festivali i Parë i Filmit.

E këqyrur me këtë vëmendje, qysh në kohën e diktaturës drejt Kinës filmat shqiptarë kanë pasur udhëtimin më të shpeshtë.

Por intesiteti i këtij “komunikimi nostalgjik” nuk është rreshtur dhe me shembjen e komunizmit. Në Kinë thuhet se vazhdojnë të shfaqen dhe të shiten në DVD filmat shqiptarë të para viteve ’90-të.

Pse ndodhen në Kinë këta filma, rruga është e shpjegueshme për faktin se në kohën e lulëzimit të marrdhënieve politike nuk kanë munguar shkëmbimet kulturore. Por gjithashtu dhe në kaosin e këtyre 14 viteve, ku në tregun tonë diskografik pat shpërthyer pirateria, mund të ketë gjasa të “eskportit” pirat të kasetave filmike.

Para dy viteve Qendra Kombëtare e filmit bëri të ditur se sërish nga televizioni shtetëror kinez po bëhej përpjekje për të blerë të drejtat e autorit për 100 filmat shqiptarë. Nuk dihet në u arrit ndonjëherë ajo marrëveshje, por drejtori i Qendrës, Petrit Ruka tha se filmat shqiptar ishin në arkivat e televizionit kinez të cilët pa marrë të drejtën e autorit në Shqipëri nuk kishin mundur të shfaqnin asnjë prej tyre.

Ky ndoshta është rasti që Televizioni Shtetor Kinez po hyn zyrtarisht për shkëmbime arkivore më Arkivin e Filmit Shqiptar, ku transmetimin e filmave do ta shoqërojë me një emision të posaçëm.

Lako e vlerësoi këtë bashkëpunim me Kinën edhe për faktin se prodhimtaria kinematografike atje aktualisht është e konsiderueshme, me 200 filma televizivë në vit

Përgatiti: V.Murati

Retrospektivë….

Festivali i gëzimit dhe i detyrës

Festivali i parë (5-11 Prill 1976)- Hysen Hakani, Viktor Stratobërdha, Kristaq Dhamo, Dhimitër Anagnosti e deri te Xhanfise Keko përbënin plejadën e parë të kineastëve. Festivali i parë i filmit vjen pas goditjeve që ka marrë jeta kulturore shqiptare në të gjithë fushat. “Në fillim të verës” dhe “Beni ecën vetë” janë fituesit e parë. “Për të realizuar një film mjaftonte që të vihej njeriu i fokusuar në ekran në detyrën që i takon. Janë detyra karshi atdheut, shoqërisë, familjes,bashkëshortit, punës, fëmijëve etj. Kineastët duket sikur gëzohen me gjithë periudhat e gjata të pauzave dhe të anktheve”.

Festivali dhe serioziteti

Festivali i dytë (16-23prill 1977)-ravijëzon temën kryesore të viteve ’70 atë të Luftës së Dytë Botërore.Heroizmi masiv, qëndresa, ngritja kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të treguar përmes pushtimit janë tema që vazhdojnë të mbajnë ekranin. Festivali në të vërtetë kthehet në tentativë serioze, vlerësimi dhe nxitjeje.Prej këtij festivali spikatin filmi “Lulëkuqe mbi mure” si dhe virtuoziteti i aktores Violeta Manushi në filmin “Zonja nga qyteti”.

Festivali i identitetit filmik

Me festivalin e tretë ( 21-28prill ‘79) zgjerohet identiteti filmik dhe këndvështrimi i kineastëve nga “koha jonë” në kohën e të tjerëve ose kohën tjetër. Regjisorët bëhen mjeshtra të skenave masive dhe hyjnë në galeri personazhesh. Po lind plejada tjetër e aktorëve të mëdhenj si Sandër Prosi dhe Bujar Lako në filmat “Udha e shkronjave” dhe “Gjeneral gramafon”.

Një dokumentar për balerinët shqiptarë në botë

”Integrimi jemi ne" titullohet filmi dokumentar i Televizionit Publik Shqiptar që

sjell sukseset e një turneu koncertesh të balerinëve rinj shqiptarë në skenat e Danimarkës, Suedisë, Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë.

"Në 13 koncertet e këtij turneu, balerinët e zgjedhur të Akademisë së Dancit në Tiranë shënuan një sukses të vërtetë", drejtori i programacionit në TVSH,

Ferdinand Samarxhi. Pjesët e baletit; "Zhizel", "Katedralja e Parisit", 11 valle popullore shqiptare, numra klasikë dhe bashkëkohorë, realizime të koreografit Arian Sukniqi janë pëlqyer mjaft nga publiku i huaj.

Sipas Sukniqit, "kudo ku kemi shkuar sallat dhe sheshet e kanë qenë plot. Bëhet fjalë për koncerte me mbi 1 mijë spektatorë në salla të rëndësishme koncertore, ku rreth 15 për qind e publikut ishin shqiptarë". Filmi është realizuar nga operatori Shkëlzen Sinani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›