E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldinjo: Jo milionave të Çelsit

21/01/2005  

Braziliani Ronaldinjo është futbollisti më i rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga Frenk Rajkard, megjithëse sulmuesi i Kombëtares braziliane është modest: “Të gjithë jemi të barabartë. Kolektivi është forca e vërtetë e Barcelonës”.

- Roman Abramoviç është gati të shpenzojë 100 milion euro për Ronaldinjon. Çfarë mendon?

- Abramoviç ka hedhur shumë para, për të ndërtuar një skuadër të madhe si Çelsi. Mund të them se është presidenti ideal për trajnerët. Jam krenar që një skuadër kaq e madhe interesohet për mua, por nuk dua absolutisht të largohem nga Barcelona. Këtu ndihem shumë mirë dhe nuk kam probleme.

- Është folur në shtypin iberik se largimi i Sandro Rosell, do të përcaktojë edhe destinacionin e ardhshëm të Ronaldinjos?

- Unë jam i lidhur me Barcelonën deri në fund të 2006-ës dhe duhet ta respektoj deri në fund këtë kontratë. Me Rosell kam marrëdhënie të mrekullueshme, por nuk është ai që vendos për të ardhmen time. Për këtë duhet të jeni të sigurtë.

- Barcelona, në janar ka qenë fytyra tjetër e skuadrës që bëri bujë në tre muajt e parë të kampionatit...

- Është normale që të ndjejmë lodhje. Nuk jemi makina që punojmë me naftë ose benzinë. Të gjithë kemi nevojë të pushojmë. Në futbollin e sotëm kërkohen rezultate të mira, ndërkohë që luhet me shumë intensitet. Futbollistët janë kthyer në makina të vërteta biznesi. Mendoj se ka ardhur momenti që diçka të ndryshojë.

- Real Madrid me Arrigo Sakin duket një skuadër tjetër?

- Është e vërtetë. Ndoshta ka dërguar entuziazmin që mungonte prej kohësh në Madrid. Ajo që llogaritet për momentin, janë fitoret dhe Real ka fituar tre herë, në tri ndeshjet e fundit të kampionatit. Kjo është e rëndësishme.

- Në shkurt, fillon Liga e Kampioneve. Barcelona do të ndeshet me Çelsin që duket se ka fituar kampionatin anglez?

-Është e pabesueshme. Mungojnë akoma edhe 15 javë nga fundi i kampionatit anglez dhe skuadra e Murinjos duket e pathyeshme. Janë shumë të fortë. Do të jetë një ndeshje e vështirë për t`u fituar nga të dyja skuadrat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›