Miratohet dërgimi i trupave në Çad
Kuvendi miratoi dje me shumicë votash dërgimin e 63 forcave ushtarëve shqiptarë në Çad. Kuvendi miratoi aktin normativ “Për dërgimin e një kompanie të Forcave të Armatosura në Republikën e Çadit dhe në Republikën e Afrikës Qendrore, si kontribut i Republikës së Shqipërisë në Misionin “MINURCAT” të OKB-së”. Sipas aktit normativ, detyrë e kompanisë shqiptare është sigurimi dhe ruajtja e Shtabit të OKB-së, në N’Djamena, kryeqytet i Çadit. Koha e qëndrimit të kompanisë shqiptare është 6 muaj dhe misioni i saj përfundon në tetor të këtij viti. Efektet financiare për pjesëmarrjen në këtë mision përllogariten në masën e mbi 99 milionë lekë, ku përfshihet shpërblimi ditor dhe sigurimi i jetës së trupave. Po dje Kuvendi miratoi dhe ligjin “Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesën e banimit”.