Thellohet kriza, bien me 14.9 për qind eksportet
Fabiola Çela
Thellohet kriza eko-nomike në vend. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit shkurt, deficiti tregtar është thelluar ndjeshëm. Eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të huaja kanë pësuar rënie të konsiderueshme dhe kjo si pasojë e krizës globale.
Kriza
Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë të qeverisë se ekonomia shqiptare nuk do të preket nga kriza globale, statistikat tregojnë të kundërtën. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar më parë nga ekspertët e ekonomisë, eksportet shqiptare kanë rënë ndjeshëm po ashtu edhe dërgesat e emigrantëve dhe kjo si pasojë e krizës globale. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT gjatë muajit shkurt janë eksportuar 7,511 milionë lekë mallra, me rritje 13.1 për qind në krahasim me muajin janar të 2009. Por në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë eksportet e mallrave kanë rënë me 14.9 për qind. Sipas Institutit të Statistikave gjatë muajit shkurt janë importuar 33,389 milionë lekë mallra me rritje 19.9 për qind në krahasim me muajin janar 2009 dhe rritje 1.2 për qind në krahasim me muajin shkurt 2008. Raporti eksporte importe tregon edhe një herë se ekonomia shqiptare është e orientuar drejt mallrave të importit dhe se kriza globale ka thelluar ndjeshëm deficitin tregtar në vend. Sipas të dhënave nga INSTAT-i deficiti tregtar i muajit shkurt është 25,878 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 22.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 7.1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2008. Edhe ndërkombëtarët e kanë paralajmëruar qeverinë që të ketë kujdes me efektet e krizës globale. Vetëm pak ditë më parë shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Gerwin Bell ka deklaruar se këtë vit rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë nga 0 në 1 % ndryshe nga çka parashikuar qeveria. Ai ka theksuar se situata në vend mbetet ende e paqartë, ndërsa ka dhënë disa rekomandime për përballimin e krizës. Shefi i misionit të FMN-së në deklaratën e tij të dhënë pak ditë më parë e ka këshilluar qeverinë të ketë kujdes me rritjen e pagave dhe pensioneve dhe të mos ulë nivelin e sigurimeve shoqërore. Sipas tij, efektet e krizës janë shfaqur dhe po pasqyrohen në uljen e nivelit të kreditimit nga bankat, uljen e dërgesave dhe ulje të eksporteve. Ndërkohë, sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat e emigrantëve kanë pësuar rënie. Në raportin e saj më të fundit thuhet se kriza ka nisur të japë efektet e saj negative që gjatë tre muajve të fundit të vitit 2008. Sipas BSH gjatë vitit të kaluar emigrantët kanë dërguar 150 milionë euro më pak se një vit më parë. Kjo si pasojë e krizës globale. “Transfertat korrente neto u vlerësuan në rreth 830 milionë euro, nga të cilat rreth 800 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 16 për qind nga vlera prej 950 milionë eurosh e një viti më parë, duke zbritur nga 12 për qind, në 9.2 për qind të GDP-së”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2008.
Tabelat e tregtisë
(Të dhënat në milionë lekë. Mbulimi do të thotë se sa për qind të importeve sigurohen nga eksportet)
Muaji Eksporti Importi Bilanci Mbulimi
01-08 7,516 31,041 -23,525 24.2%
02-08 8,829 33,003 -24,173 26.8%
03-08 9,200 33,204 -24,004 27.7%
04-08 10,218 34,884 -24,665 29.3%
05-08 10,175 36,629 -26,455 27.8%
06-08 11,467 36,395 -24,929 31.5%
07-08 11,043 37,570 -26,527 29.4%
08-08 7,741 35,550 -27,809 21.8%
09-08 10,718 37,069 -26,352 28.9%
10-08 9,570 42,567 -32,998 22.5%
11-08 9,140 38,888 -29,748 23.5%
12-08 6,955 43,093 -36,138 16.1%
01-09 6,642 27,843 -21,201 23.9%
02-09 7,511 33,389 -25,878 22.5%