Erion Braçe kthehet tek Nano
Problemet me liderin socialist Edi Rama si dhe rikthimi i Fatos Nanos në Kuvend pas gjashtë muajsh mungese, ka detyruar nënkryetarin e grupit parlamentar socialist Erion Braçe që të kthejë sytë nga ky i dyti. Braçe ka asistuar në një takim me liderin historik të socialistëve në ambientet e brendshme të dy Kullave Binjake në Tiranë, pranë Kryesisë së Kuvendit. Numri dy i grupit parlamentar të PS-së ka zhvilluar këtë takim në një nga kafenetë tek Kullat Binjake fundjavën e shkuar. Ndoshta rastësor, por të dy deputetët kanë shkëmbyer batuta mes tyre si dhe janë përshëndetur përzemërsisht kur janë ndarë pas bisedës private. Pavarësisht se Erion Braçe ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të liderit Rama në lidhje me politiken e re, ai nuk është pajtuar me këtë të fundit për sa i përket mënyrës së bashkëpunimit me mazhorancën. Më mënyrë publike, Erion Braçe ka deklaruar se opozita nuk po bën punën e saj. Ai ka kërkuar që opozita të hidhet në veprim pasi sipas tij, aktualisht për hir të reformave po tolerohet korrupsioni i qeverisë. Ndërkohë duhet të ketë qenë një hap shumë i vështirë ky për Braçen, pasi Nanon ai e ka konsideruar si një nga kundërshtarët jo vetëm të tij, por dhe të partisë. Shumëkush i kujton titujt bombastikë të “Zërit të popullit” kur ai ishte kryeredaktor kundër Nanos apo deklaratat tepër të hidhura të tij në adresë të ish-kreut të partisë. Duket se po vjen një erë e re në Partinë Socialiste me afrimin e tij tek Fatos Nano.