E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta dërgon deputetët kosovarë në Kalimash

Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, do të niset ditën e sotme së bashku me një grup deputetësh nga Kosova për të parë nga afër punimet në aksin Rrëshen - Kalimash. Pavarësisht kontestimeve që LSI-ja ka bërë në lidhje me mënyrën e ndërtimit të kësaj rruge, Ilir Meta ka thyer akullin dhe ka vendosur që të shoqërojë deputetët kosovarë për të vizituar kantierin në Kalimash. Njëkohësisht, dje Ilir Meta ka zhvilluar një takim të zgjeruar me deputetët kosovarë, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Integrimit në Kuvendin e Kosovës. Meta ka vlerësuar maksimalisht këtë takim, duke e konsideruar këtë si një fillim të mbarë të shkëmbimeve të eksperiencave ndërmjet këtyre komisioneve që kanë si qëllim integrimin e vendeve respektive në Bashkimin Evropian. “Ne besojmë se ky është një bashkëpunim shumë i frytshëm, sepse edhe Kroacia është një shembull i padiskutueshëm i aftësive për të negociuar dhe për të shkuar para në Evropë”. Duke u ndalur në problematikat që has ky komision gjatë punës së tij, Meta ka renditur disa prej tyre, siç është përballja me vështirësi të tilla që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve në Parlament për sa i përket përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane. “Duke mos pasur kapacitetet e duhura profesionale dhe njerëzore, ne jemi të detyruar të punojmë kryesisht me Ministrinë e Integrimit dhe të kemi gjithnjë si garanci atë përputhshmëri që sjell kjo ministri për sa i takon verifikimit të legjislacionit nëse përputhet me atë të evropian”, - tha Meta në këtë takim

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›