E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erion Veliaj, "G99" fillon marshimin politik

Ish-drejtuesi i "Mjaft"-it, Erion Veliaj, që mbrëmë në darkë mund të cilësohet si lideri zyrtar i "G99". Përmes një aktiviteti tek amfiteatri pranë liqenit artificial të Tiranës ai shpalli nismën më të re politike. Veliaj vlerësoi se përvoja me lëvizjen "Mjaft" ka qenë e jashtëzakonshme dhe e ka mësuar se papërgjegjshmëria politike dhe qeverisja e paaftë mund të luftohen vetëm me sukses nga qytetarë aktivë. "Të gatshëm për të denoncuar realitetin e hidhur e shpeshherë për të ofruar alternativa e zgjidhje të qëndrueshme", tha Veliaj. Sipas tij, pas më shumë se pesë vitesh angazhimi qytetar, beson se ka ardhur koha për të marrë mbi vete më shumë përgjegjësi, për t‘u bërë faktorë të ndryshimit për të cilin kemi luftuar bashkërisht e që kaq shumë i nevojitet Shqipërisë. "Së bashku me disa kolegë e miq, por dhe shumë profesionistë dhe intelektualë, kemi krijuar një grupim të ri social politik, ‘Grupi 99‘", u shpreh Veliaj. Ai shtoi se qëllimi i përbashkët është krijimi i një hapësire publike alternative, të aftë për të transformuar mënyrën e politikëbërjes dhe qeverisjes në Shqipëri. Kjo sipas tij synon jo vetëm të promovojë një frymë të re, që mbështetet në vlera demokratike dhe rikthen besimin e qytetarëve te politika, që angazhon mendje të ndritura të fushave të ndryshme dhe injekton idetë dhe alternativat e tyre në debatin publik. "Që i shndërron interesat personale në interesa publike, që dënon politikën korruptive, autoritariste e konfliktuale, që u jep fund problemeve endemike shqiptare", nënvizoi Veliaj. Ai e konsideroi këtë një sfidë të vështirë, por tha se nuk ka arsye pse të jetë një sipërmarrje e vetmuar. "Unë dëshiroj t‘ju ftoj të bëheni dhe ju faktor të këtij ndryshimi. Sot! Bashkë! Ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë!", u shpreh Veliaj. Dera jonë, shtoi ai, do të jetë gjithmonë e hapur, ashtu si edhe mendja jonë, për të dëgjuar me kujdes e mirënjohje të gjitha sugjerimet, këshillat, idetë apo edhe kritikat tuaja. "Ne angazhohemi për të sjellë ndryshimin që i nevojitet sot Shqipërisë, një ndryshim tek i cili mund të besojmë të gjithë", theksoi Veliaj. Ai garantoi se do të punohet me të gjitha energjitë pozitive, optimizmin dhe pasionin për të sjellë këtë ndryshim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›