E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Imuniteti? Berisha, i pasinqertë

Ilir Meta e cilësoi dje të pasinqertë deklaratën e Kryeministrit për çështjen e lënies së imunitetit. Ndërsa kujtoi se vazhdon të qëndrojë në detyrë si drejtor i Tatimeve një person i akuzuar për rrëmbim dhe vrasje. "Më duhet të them se roli i Kuvendit, për sa i takon integrimit dhe reformave në vend, të cilat kanë të bëjnë me integrimin, për mendimin tim, po vjen duke u dobësuar", konstatoi kreu i LSI-së. Sipas tij, roli i Kuvendit nuk është ai që duhet të ishte. Meta shprehu frikën se do të jetë më i pakët në të ardhmen, për sa i takon procesit të integrimit evropian dhe reformave në përgjithësi. "Sot ndikojnë interesat e ngushta partiake dhe të mazhorancës në aprovimin e ligjeve të rëndësishme, të cilat cenojnë standardet e integrimit evropian", konstatoi Meta. Drejtuesi i LSI-së shtroi pyetjen se pse Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, që u krijua nga Kuvendi dhe në radhë të parë nga këto dy parti të mëdha, se këto kishin shumicat e votave, për gati një vit dhe me dy bashkëkryetarët e tyre, nuk u mblodh përveçse njëherë që kur filloi punën. "Në qoftë se kishin vullnet për të bërë reformën, për të bërë zgjedhje të mrekullueshme në Shqipëri, të cilat unë i dyshoj si asnjëherë tjetër, që pas vitit ‘96, përse nuk u mblodh Parlamenti, përse nuk u diskutua në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ta vendoste Parlamenti këtë gjë?", tha Meta. Ish-kryeministri nënvizoi se nuk di se cili jurist ka marrë përsipër të thotë, që unë kam propozuar ndryshimet në nenin 104 dhe në nenin 105, të cilat sjellin vetëm një përmbysje të raporteve midis Kuvendit dhe Kryeministrit. "Kuvendi e humbet kontrollin praktikisht ndaj Kryeministrit dhe është ai që e kontrollon Parlamentin në të dyja rastet", shtoi Meta. Duke ju referuar çështjes së imunitetit, Meta shtroi pyetjen se kush i pengoi drejtuesit e partive të mëdha të heqin imunitetin në Kushtetutë? LSI-ja, kujtoi ai, ka qenë shumë dakord dhe e kemi thënë që më parë që është dakord, që të hiqet imuniteti dhe asnjë politikan të mos ketë fare imunitet. "Kush i pengoi? Pse nuk e bëjnë këtë gjë? Sepse unë kam një pyetje tjetër për Kryeministrin Berisha. A është aq i sinqertë si Kryeministër që vërtet do të hiqet imuniteti i të gjithë zyrtarëve dhe politikanëve, që e kanë këtë imunitet dhe për shkak të Kushtetutës", u shpreh Meta. Ai kujtoi se kreu i qeverisë po i jep imunitet një drejtori të administratës shtetërore, sikurse është zoti Sefgjini, drejtori më i rëndësishëm i Tatimeve, ndërkohë që ai është i pandehur nga Prokuroria, i akuzuar për një vrasje të ndodhur vite më parë. "E besojmë dot këtë vullnet, këtë hapje ndaj drejtësisë, këtë respekt ndaj pavarësisë të drejtësisë? Unë e kam shumë të vështirë që ta besoj këtë gjë, njëkohësisht edhe shumë çështje të tjera për mua mbeten të errëta", këmbënguli Meta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›