Erion Veliaj futet në grevë urie, për t’ju fshehur sërish Prokurorisë
Ish-drejtuesi i Lëvizjes “Mjaft”, Erion Veliaj, aktualisht kreu i G 99-ës, është futur mbrëmë në grevën e urisë së 22 deputetëve të PS-së dhe 180 militantëve të kësaj partie. Hyrja e Veliajt në grevë urie, është gjetja më e mirë e tij, që të mund t’i shpëtojë përkohësisht, marrjes në pyetje nga ana e Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, ku ndaj të cilit është çelur Procedimi Penal me Nr. 3379. për abuzime financiare dhe evazion fiskal në vlerën, të paktën e rreth 300 mijë eurove, për një shumë prej 5.4 milionë euro “të qarkulluara” nga ai, në emër të “shoqërisë civile”.
Rastësia është paksa e çuditshme.
Kur pritej, që në fillim të javës tjetër, prokurori i dosjes Julian Zonja, të fillonte verifikimin e të dhënave dhe marrjen në pyetje të ish-kreut të Lëvizjes “Mjaft”, Erion Veliaj zgjedh t’ju bashkëngjitet grevistëve të urisë, me shpresën se do të mund t’i fshihet përkohësisht hetimeve të nisura tashmë ndaj tij.
Që prej nisjes së këtyre hetimeve, saktësisht që pas hapjes së Procedimit Penal me Nr. 3379, Erion Veliaj këtë punë ka bërë, është fshehur. Pasi qëndroi disa ditë rrugëve jashtë Shqipërisë, ai u kthye për protestën e opozitës. Dhe pas dy shfaqjeve të njëpasnjëshme në dy ditë, që prej mbrëmjes së kaluar, sërish ai u fsheh, por këtë herë në “labirintin” e çadrave dhe WC-ve portative në qendër të Tiranës, me shpresën se falë imunitetit të Olta Xhaçkës, Shegushe Ligorit, apo Gaz Bizhgës e të tjerëve, prokuroria nuk do të guxojë ta thërrasë atë për të dhënë shpjegime për akuzën e abuzimeve financiare dhe evazionit fiskla që tashmë rëndon mbi atë, jo vetëm publikisht.
Me fshehjen e tij nëpër shtretërit e imunitetmbajtësve Besnik Baraj, Ilir Beqja, Taulant Balla, Pirro Lutaj e të tjerë, Erion Veliaj, nga ana tjetër i ka hequr vetes edhe shansin të mbrohet dhe të vetëpastrohet, pas edhe llomotitjeve se ai ka kërkuar procedim penal ndaj 4 gazetave, që kanë denoncuar aferat e tij për abuzime financiare dhe evazion fiskal.
Hetimet për dosjen me nr. 3379, e vitit 2009, e procedimit penal ndaj Erion Veliajt për evazion fiskal për shumën rreth 5.4 milionë euro, që po hetohet nga Njësia e Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionin, janë në fazën e marrjes së dëshmisë dhe sqarimeve nga Altin Goxhaj, denoncuesi i këtij abuzimi, njëherazi, kreu i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, ish-drejtuesit të Lëvizjes qytetare “Zgjohu”.
Kjo dosje, mësohet se është regjistruar që në muajin qershor të vitit 2009.
Sipas denoncimit, të bërë publik nga Altin Goxhaj, që në muajin qershor të vitit 2009 dhe që tashmë është edhe objekt hetimi nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës, mësohet se gjatë kohës që Erion Veliaj ka drejtuar Lëvizjen “Mjaft” (ish-Fonacionin “Mjaft”), për shumën e rreth 5.4 milionë euro të ardhurash, ai nuk ka paguar asnjë detyrim financiar, te Tatimet, Sigurimet Shoqërore, TVSH, apo edhe taksa nga të ardhurat.