Erion Veliaj vjen me gjithë dajën në prehrin e Edvinit
Kryetari i bashkisë së urës Vajgurore, Syrja Ormënaj, i është bindur vullnetit të nipit Erion Veliaj, dhe pasi kishte konsumuar disa bredhje në dy vitet e fundit, ka vendosur t’i qendrojë besnik “politikës së re”, duke shkuar në gjirin e Edvinit dhe të partisë së tij ylberiste
TIRANE - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherazi kryetari i bashkisë në Urën Vajgurore, Syrja Ormenaj, ka braktisur partinë e drejtuar prej Metës për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.
Drejtues të LSI-së e cilësojnë këtë akt si një aferë të pastër korruptive të kryesocialistit Edi Rama.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force, Petrit Vasili tha se Ormënaj është daja i drejtuesit të G 99-ës, Erion Veliaj dhe ashtu si ky i fundit është blerë nga kryebashkiaku i Tiranës. “Paratë e betonizimit të Tiranës dhe shkatërrimit të Urës Vajgurore nuk e ndalin Lëvizjen Socialiste për Integrim që të dalë forcë e parë politike. Edi Rama pas nipit ble edhe dajën e Erion Veliajt. Syrja Ormënaj ishte larguar prej kohësh nga LSI-ja. Ormënaj është viktimë e betoneve të pista të Tiranës dhe LSI shumë më e fortë pas pastrimit nga elementë të tillë”, deklaroi dje Vasili.
Gjatë një deklarate për mediat, vetë Syrja Ormenaj ka deklaruar se arsyeja e largimit nga Lëvizja Socialite për Integrim ka si shkak bashkimin e kësaj force politike me ish ministra të korruptuar.
“Prej më shumë se një viti LSI-ja është kthyer në oborrin personal të Ilir Metës. Lëvizja po afron çdo ditë e më shumë politikanë të së shkuarës, duke e bërë Lëvizjen Socialiste për Integrim nga një forcë e re në një forcë të politikës së vjetër”, ka thënë Ormenaj.
Në Urën Vajgurore, Syrja Ormënajn, dajën vlonjat të Erjon Velajt e njohin edhe si baxhanaku i vëllait të Pëllumb Salillarit, personi i cili ka keqshfrytëzuar guroret pranë kësaj qyteze, duke krijuar probleme jo të vogla edhe për banorët e zonës.
Sikur të ishin vetëm këto, ndoshta nuk do të përbënin ndonjë problem serioz.
Por, para zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007, Pëllumb Salillari njihej si borxhli në bashkinë e Urës Vajgurore në miliona lekë dhe që pas zgjedhjes në krye të postit të kryebashkiakut të kësaj qyteze të dajës së Erjon Veliajt, borxhet e Pëllumb Salillari, u fshinë nga listat e bashkisë si me magji.
Kjo shpjegon edhe angazhimin e Pëllumb Salillarit në mbështetjen gjatë fushatës elektorale për zgjedhjen e kryebashkiakut të dajës së Erjon Veliajt, si dhe investimin dhe kontributin direkt që, ai vetë, Pëllumb Salillari ka në Bashkinë e Tiranës me kryetarin e saj Edi Rama.