Kandidatëve për deputetë do t’u kërkohen standarde të përcaktuara morale
Kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi
TIRANE - Demokristianët propozojnë respektimin e disa kritereve bazë nga partitë politike, gjatë përcaktimit të kandidatëve për në zgjedhjet e ardhshme kuvendore. Propozimet u bënë të ditura dje, nga kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi gjatë konferencës së degës së kësaj partie në Mirditë.
PDK thekson eliminimin në mënyrë kategorike të kandidatëve për deputet, për ata persona që kanë pasur lidhje me organet e sigurimit të shtetit, dhe që kanë qenë aktorë të persekutimit të mijërave familjeve shqiptare gjatë viteve të diktaturës, të mos kenë pasur procedime penale gjatë karrierës së tyre, të jenë dalluar për transparencën dhe ndershmërinë në punë, të bëjnë publike pasurinë që disponojnë, sikundër duhet të nënshkruajnë një kontratë për t’iu përgjigjur në çdo moment shqetësimeve të elektoratit, në qarkun që do e votë besojë.
Në fjalën e tij para anëtarëve, Gurakuqi i propozoi spektrit politik në vend, që në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të respektojë një Kod Morali dhe Etike për sa i takon procesit të caktimit të kandidatëve për deputet.
Gurakuqi tha se zhvillimet politike në 18 vitet e fundit kanë treguar se aspiratat e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, nuk mund të realizohen përveçse me ndërmarrjen e reformave të mëdha, pjesë e të cilave duhet të jenë edhe ligjvënësit e parlamentit të ardhshëm.
“Ne gjykojmë se ka ardhur koha që politika shqiptare në themel të saj, jo vetëm gjatë proceseve zgjedhore, duhet të ketë si busull orientimi konkurrimin e ideve, mendimeve dhe platformave të zhvillimit. Sot dhe nesër shqiptarët presin të dëgjojnë alternativat që kanë partitë, çfarë mendojnë ato për realitetet e reja, dhe jo të humbasin kohën për të dëgjuar retorika boshe apo pseudo-alternativa, që kanë në themel mohimin dhe jo pranimin e ndryshimit. Në një kohë kur Shqipëria do të përballet me realitete të reja (anëtarësimi me të drejta të plota në NATO), pikësëpari, klasa politike në vend, duhet të mendojë për pasjen e resurseve njerëzore për të përballuar këto realitete”, u shpreh Gurakuqi.
Në këtë kuadër, kreu i PDK-së tha se “propozojmë që çdo subjekt që do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit me kandidatët e tij të respektojë kriteret bazë”: