Ministria e Kulturës jep 5 milionë lekë për fazën e dytë të restaurimit të fasadave të pazarit të vjetër në Korçë
Proçesi i restaurimit të fasadave të ndërtesave të pazarit karakteristik të qytetit të Korçës, këtë vit do të hyjë në fazën e dytë të tij në sajë të fondit prej 5 milionë lekësh, që ka akorduar buxheti i shtetit nëpërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Faza e dytë e restaurimit parashikon ndërhyrjen në fasadat e 30 ndërtesave e dyqaneve, që ndodhen në pazarin e Korçës, dyfishi i atyre që janë restauruar vitin e kaluar . Drejtori i degës së Monumenteve të Kulturës në Korçë, Theodhor Theodhori, bëri të ditur se " është çelur fondi prej 5 milion lekë nga buxheti i shtetit për të restauruar fasadat e 30 ndërtesave në pazarin e qytetit, si fazë e dytë e projektit për mirëmbajtjen dhe kthimin në identitet të kësaj qendre të rëndësishme historike të Korçës". Sipas tij, në fillim të muajit mars do të kryhet proçesi i tenderimit dhe brenda muajit prill është parashikuar të përfundojë restaurimi i fasadave të 30 ndërtesave të pazarit. Vitin e kaluar, me një fond prej 1.5 milion lekë nga buxheti i shtetit, u restauruan 15 fasada ndërtesash në pazarin e Korçës, ndërsa për këtë vit do të ndërhyet në 30 ndërtesa me pastrimin dhe lyerjen e fasadave. Investimi për restaurimin e fasadave të pazarit të Korçës, i paraprin një projekti ambicioz për rikonstruksionin e plotë dhe kthimin në identitet të pazarit të Korçës. Bashkia e qytetit ka arritur një marrëveshje me MTKRS-në që të sigurohen fonde nga qeveria italiane për të kryer rikonstruksionin e plotë dhe kthimin në identitet të pazarit karakteristik të Korçës. Rikonstruksioni i plotë i pazarit do të përfshijë jo vetëm restaurimin e ndërtesave të tij, një pjesë e të cilave janë shpallur monument kulture, por edhe kanalizimet, shtrimin me kalldrëm dhe sidomos largimin e tezgave të tregtarëve të vegjël. Theodhori tha se " bashkia duhet të marë masat për largimin e tezgave që dëmtojnë imazhin e pazarit karakteristik të Korçës, në mënyrë që atje të krijohet hapësira e duhur e tregtimit për dyqanet, sipas projektit për kthimin në identitet".
Pazari i Korçës me zanafillë ndoshta që nga krijimi i qytetit, në shekullin e XVIII-të arriti një zhvillim të madh. Nga Kodiku i Madh i Mitropolitit të Korçës , në shekullin e XVIII-të emrat e rufetëve korçarë të këtij pazari ishin: Rufeti i Shën Athanasit, Rufeti i Tabakëve, Rufeti i Terzinjve, Rufeti i Bakërxinjve, Rufeti i Argjendarëve, etj. Nuk është e rastësishme që një pjesë e familjeve me origjinë korçare mbajnë mbiemra pikërisht nga këto aktivitete që kryenin dikur paraardhësit e tyre në Pazarin e Korçës. Deri në çerekun e parë të shekullit të XIX, lidhjet kryesore ekonomike Korça i mbante me Manastirin dhe me Janinën. Nga pikëpamja tregtare në vitet ’50 të shekullit të XIX Korça nisi të bëhet si një depo e rëndësishme e Selanikut, Stambollit pjesërisht, Ohrit dhe Manastirit në përhapjen e mallrave industriale evropiane dhe atyre koloniale dhe në të tërë rrethinat e Shqipërisë juglindore, siç ishin stofrat e ndryshme, por edhe sheqeri, kafeja, etj. Zhvillimi i vrullshëm i kësaj qendre në shekullin e XIX u pasqyrua edhe në rritjen e shpejtë të pazarit. Pazari i Korçës më 1888 arriti të ketë mbi 700 dyqane dhe punishte. Nga fundi i shekullit të XIX, Pazari i Korçës nisi të luante një rol të rëndësishëm në forcimin e tregut të brendshëm rajonal e kombëtar, duke konkurruar edhe atë të Manastirit.
Restaurime edhe në qytete të tjera
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me firmën arkitekturore greke “Synthesis and Research”, prezantoi sot projektin më të ri “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe i Integruar i Trashëgimisë Kulturore dhe Historike të Qyteteve të Shqipërisë”, i financuar me 10 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Pas përfundimit në janar 2009 të studimeve arkitekturore të qëndrave historike të Tiranës, Krujës dhe Himarës, MTKRS sëbashku me firmën greke do nisin punën për restaurimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rreth këtyre zonave. Ndërhyrjet e para do të bëhen në zonën e kalasë mesjetare të kryeqytetit, e cila do të ketë vlerën 3 milionë euro, për rinovim të këtij monumenti të kulturës dhe për përmirësim të infrastrukturës së kalasë. Profesori dhe përfaqësuesi i firmës greke, Nikos Fintikakis, tha se "është rast i veçantë që ky projekt zhvillohet në Shqipëri, me këtë vlerë të madhe, që do ndihmojë në rinovimin e rrugëve të kalasë, si dhe instalimin e një sistemi ventilimi në mjediset e saj”. Fintikasis tha se ne "do fillojmë shumë shpejt punën për t'i shndërruar mjediset e saj në ambiente mjedisore të rehatshme për t'u vizituar”. Ministri TKRS-ës, Ylli Pango, i cili ka iniciuar dhe mbështetur personalisht këtë program, më i madhi financuar në monumentet e kulturës, falenderoi Komisionin Evropian për mbështetjen financiare dhënë nismës së tij, si edhe koordinatorin e projektit, arkitektin Nikos Fintikakis, për kontributin e tij në projektet e veçanta në mbrojtje të mjedisit, për zhvillimin e këtyre qendrave. Gjithashtu, projektet u mbështetën nga ana shkencore edhe nga Grupi i Sudimeve Mjedisore të Universitetit të Athinës, nën udhëheqjen e Prof. Nikos Santamuris. Projekti i studimeve arkitekturore është pjesë e një programi më të gjerë për rehabilitimin e zonave historike të qyteteve të Shqipërisë, me një vlerë prej 10 milionë euro, i mbështetur financiarisht nga Komisioni Evropian, nëpërmjet programeve të tij CARDS dhe IPA. Qëllimi i këtij programi është nxitja e zhvillimit ekonomik të qendrave historike të qyteteve shqiptare nëpërmjet ruajtjes, restaurimit dhe përmirësimit të peizazhit urban rreth qëndrave kulturore dhe historike të këtyre qyteteve. Pas përfundimit të restaurimit të zonës rreth kalasë mesjetare të Tiranës, kjo iniciativë do vazhdojë me zonën e kalajsë mesjetare dhe pazarit të qytetit të Krujës, e më pas me kalanë mesjetare të Himarës. Ndërkohë , tre projekte të tjera arkitekturore janë duke u përgatitur për qendrat historike të Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës, të cilat pritet të përfundojnë në prill të këtij viti. Përfundimi i studimeve do të ndiqet menjëherë nga punimet infrastrukturore edhe për këto qytete.
...