E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanaj: Sfidat tona për të ardhmen janë problemet e sotme që ka shëndetësia

Aksesi i popullatës për shërbimet shëndetësore, përsosja e mekanizmit të financimit, por dhe qeverisja më e mirë, janë problemet me të cilat ndeshet sistemi ynë shëndetësor aktualisht. "Me qëllim përmirësimin e dhënies së shërbimit për popullatën, këto probleme janë përcaktuar dhe prioritete për të ardhmen", tha zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Sipas tij, në sistemin shëndetësor duhet të ndryshojë baza ligjore, për të cilën MSH ka marrë një sërë masash, mentaliteti, por dhe mënyra e menaxhimit. Reforma spitalore, e cila përfshiu në skemën e sigurimeve spitalet në vend, pritet të sjellë në këtë drejtim përmirësim të dukshëm. Për të gjitha reformat MSH bashkëpunon me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me ekspertët e Bankës Botërore, ndërsa është konsultuar me të gjitha grupet e interesit. "Modeli ku jemi mbështetur është ai europian, i cili do t’i përgjigjet sfidave shëndetësore të Bashkimit Europian, ku duam të integrohemi", tha z. Ivanaj.  

Cilat janë problemet më kryesore, me të cilat përballet shëndetësia jonë sot?

Problemet kryesore janë ato që praktikisht i kemi parashikuar si prioritete strategjike të mëdha; aksesi i popullatës, përsosja e mekanizmit të financimit, si dhe një qeverisje më e mirë e sistemit shëndetësor. Secili prej tyre lidhet me të një numër politikash, që duhen zbatuar në praktikë. Por e gjithë kjo, lidhet me faktin që sistemi ynë shëndetësor deri tani është i varuar nga e kaluara. Pra, është një sistem shëndetësor i një modeli të kaluar tashmë dhe jo ai që duhet për një shoqëri siç është e jona, shoqëri e hapur, demokratike dhe me një ekonomi të tregut të lirë. 

Çfarë duhet të ndryshojë në sistemin shëndetësor?  

Duhet të ndryshojë baza ligjore, mentaliteti, por duhet ndryshuar dhe mënyra e qeverisjes dhe menaxhimit të sistemit. Fillimisht, duhet të ndryshojë baza ligjore dhe praktikisht këtë po bëjmë. Aktualisht, janë tre ligje në Parlament në proces miratimi; ligji bazë i shërbimit shëndetësor, që është një ligj kuadër dhe që jep mënyrën sesi duhet të jetë një sistem shëndetësor në një shoqëri demokratike, bazuar në një ekonomi tregu; ligji "Për shëndetin publik", që hartohet për herë të parë dhe që është me shumë rëndësi, pasi vetë shëndeti publik është një nga gjërat më të rëndësishme në një sistem shëndetësor; ligji për financimin e sistemit shëndetësor (ajo që quhet ligji për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor). Këto tre ligje janë të reja, të realizuara me ekspertë të OBSH  dhe BB, do të na japin bazën ligjore të këtij ndryshimi. Me implementimin e tyre, ndryshojmë bazën ligjore të sistemit shëndetësor. Praktikisht, njëherë e mirë ndryshon sistemi, në kuptimin e bazës ligjore ose ajo që quhet "godina". Më pas, për të plotësuar ndarjen e sistemit (si katet e një godine) është një proces i tërë, që nuk mbaron për një ditë. Duke përsosur këtë proces, do të përsosim mekanizmin, do të ndryshojmë mentalitetin dhe ky është një proces jo i thjeshtë.   

Përsa i takon mentalitetit, si do të ndryshojë ai dhe cilat grupe synohen? 

Mentaliteti nuk është një gjë që ndryshon me një ditë; është si shprehja "demokracia nuk është një stacion, në demokraci gjërat vijnë e perfeksionohen dhe ndryshojnë çdo ditë". Duhet të ndryshojë mentaliteti i shoqërisë, në radhë të parë për shëndetësinë, por dhe ai i profesionistëve të mjekësisë. Mjekësia është një proces i tërë, një sistem i integruar dhe jo i veçuar. Këtu duhet të ndryshojë mentaliteti i piramidës, sepse mjekësia nuk është piramidë, por fushë horizontale, ku secili funksionon në mënyrë autonome, duke respektuar rregullat dhe tërësinë e tyre në sektor. Por, duhet të ndryshojë mentaliteti i pacientëve, i publikut. Pacientët kanë detyra, sikurse kanë shumë të drejta; mjekët kanë detyra, por dhe të drejta. Publiku në vetvete duhet të stimulojë këtë mentalitet me këtë sistem të ri shëndetësor që do të ndërtojmë. Shërbimi shëndetësor është publik, pavarësisht se ku jepet në privat, apo shtet. Shëndeti publik financohet nga lekët tona dhe diçka që është publike financohet nga lekët publike. Ndaj, për shoqërinë tonë duhet të bëhet e huaj puna e zezë, që janë probleme të mentalitetit, sikurse dhe ligjore, por problemi nuk është se mungon ligji, por mentaliteti. Pra, është një tërësi perfeksionimi të mentalitetit të të gjithëve, që duhet të çojë në respektimin e asaj që duhet.

A është i mjaftueshëm për të mbuluar shërbimet shëndetësore për popullatën buxheti i shëndetësisë, edhe pse ka njohur rritje vazhdimisht? 

Buxheti i shëndetësisë mbulon ato shërbime, të cilat ofrohen aktualisht. Buxheti që kemi nuk është buxhet që do të sigurojë cilësinë e shërbimeve shëndetësore, siç e kanë vendet perëndimore si Gjermania, Franca apo Anglia, por ky shërbim shëndetësor aq sa ofrohet është i përballueshëm të mbulohet. Sfida është që ne të rrisim sasinë dhe cilësinë e shërbimit dhe, pikërisht, atje ku ne jemi të aftë të rrisim këta elementë do dhe menaxhim buxheti. Është ky mekanizëm që ne po implementojmë që çon në gjetjen e buxhetit, në përballimin e nevojave. Nga ana tjetër, kemi një problem tjetër të të kuptuarit se ç’është pjesa politike e sistemit dhe pjesa menaxheriale e sistemit. Këtë deri tani e kemi patur të bashkuar; i njëjti person që bënte politikën, bënte dhe menaxhimin e  sistemit. Kjo duhej ndarë dhe tërësia e reformave që po marrim çon në ndarje të këtyre. 

Përsosmëria e menaxhimit do të çojë dhe në zbardhjen e fiktivitetit. Sipas një perceptimi të BB, ne kemi 50 % fiktivitet në sistem, dmth 3 % e GDP është nga ana publike që shkon për shëndetësinë dhe po afërsisht 3.7 % e GDP është informale. Kjo do të thotë që ne si shoqëri në total paguajmë për shëndetësinë afërsisht 6.7 % të GDP për shëndetësinë. Kjo është e krahasueshme me vendet e rajonit, por mekanizmi i gabuar, mosfunksionimi siç duhet i asaj që është publike dhe asaj që është menaxheriale, na ka lënë në këto situata dhe prandaj ne insistuam në diagnozën e problemit, në rrugën sesi do të dalim nga kjo situatë dhe hapat e veprimit konkret në praktikë. Këto hapa janë parashikuar dhe në dokumentin strategjik 2007-2013. 

Një ndër arsyet që insistuam në ndryshimin e ligjit bazë dhe në ndryshimin e mekanizmit të financimit është se duhen marrë hapa, duhet adaptuar forma ligjore që të kemi pastaj implementimin praktik të gjërave. Ndaj bëmë një ligj të shëndetit publik; shëndeti publik është po kaq i rëndësishëm sa ç’është trajtimi i pacientit me një sëmundje konkrete.  Kriteret e shëndetit publik janë ato që ne kërkojmë me integrimin politik të Shqipërisë dhe duhen pasqyruar, si dhe të kenë një bazë ligjore. Pikërisht, ligji që promovuam është baza ligjore që shëndeti publik në Shqipëri të jetë i integrueshëm dhe të ketë mundësi të ballafaqohet me sfidat e kohës aktuale, me ato integrimit dhe globalizimit në përgjithësi. 

Mbi këtë bazë ligjore do të ngrihet më pas gjithë godina, që do të ketë nevojë për artikuj të tjerë, që do të rregullojnë një sistem shëndetësor, me në qendër pacientin. Deri tani ishte spitali në qendër dhe rreth tij vinte pacienti, ndërsa tani do të jetë pacienti dhe rreth tij do të jetë spitali. Është pak teorike, por praktikisht kjo do të ndodhë, pasi do të jetë pacienti me sigurimet e tij, pagesat pubike, që do të përcaktojë nëse e do apo jo një shërbim shëndetësor. Ky është një ndër ndryshimet bazë të asaj që po bëjmë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›