S’ka dilema, me 3 prill, Shqipëria, anëtare me të drejta të plota e NATO-s

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers ka davaritur thashethemet bolshevike për vonesat që mund t’i shkaktohen anëtarësimin të Shqipërisë në aleancë, për shkak të problemeve kroato-sllovene, duke deklaruar se është i pakthyeshëm anëtarësimi i plotë 3 prillin e ardhshëm
TIRANE - Shqipëria do të jetë në prill do të jetë anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Garancia ka ardhur dje nga ambasadori amerikan në Tiranë John Withers, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Ministria e Jashtme, me diplomatë dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me sfidat që ka përpara vendi ynë në kuadër të proceseve integruese euroatlantike.
Pesë javë para Samitit të Strasburgut ambasadori Withers ka deklaruar se në më pak se dy muaj, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s me të drejta dhe privilegje të barabarta. “Në më pak se dy muaj, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s me të drejta dhe privilegje të barabarta. Po e përsëris edhe një herë sepse tingëllon bukur: me të drejta dhe privilegje të barabarta”, u shpreh Withers.
Ndërkaq shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha ka theksuar gjatë fjalës së tij se vendi ynë do të vazhdojë reformat edhe pas anëtarësimit në aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake.
“Me anëtarësimin në NATO nuk do të shterojë procesi i reformave, përkundrazi, qeveria është e bindur të vazhdojë rrugën e ndërmarrë deri tani”, u shpreh ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.
Pak ditë më parë përfundoi procesi i ratifikimit të protokollit NATO- Shqipëri nga 26 vendet anëtare.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi pak ditë më parë se në më pak se dhjetë muaj nga ftesa e Bukureshtit, parlamentet dhe senatet e 26 vendeve anëtare të Aleancës Transatlantike kanë votuar pro Shqipërisë, “kanë votuar Shqipërinë e ndryshuar, kanë votuar kontributin e shqiptarëve, të burrave e grave të vendit tonë, kanë votuar reformat që kanë transformuar vendin”.
Topalli ka adresuar një falënderim të veçantë Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dhomës së Madhe të Turqisë, të gjitha Dhomave të Ulëta dhe Senateve të vendeve të Bashkimit Evropian për këtë proces kaq të suksesshëm.
“Në emrin tuaj do të dëshiroja të falënderoja të gjithë kolegët në këto parlamente dhe senate, vendet e kësaj Aleance që bënë të mundur mbylljen e këtij procesi në një kohë rekord. Për Shqipërinë dhe për shqiptarët ky është ndër momentet më të bukura”, Deklaroi Topalli në seancën plenare të së enjtes që shkoi.