Opozita kundër nismës së qeverisë për mbjelljen e 100 hektarëve me ullinj
TIRANE - Cinizmi dhe stigma ndaj çdo lloj nisme të qeverisë Berisha, duket se do të jenë edhe tiparet kryesore të fushatës që do të udhëheqë Partia Socialiste për pak javë. Edhe nisma e fundit për dhënien me koncesion kompanisë “Agrotal” për një periudhë 35-vjeçare të 1000 hektarëve afër Kavajës për mbjelljen me ullishte, vazhdon që të kontestohet ashpër nga selia rozë.
“Mungesa e seriozitetit dhe abuzimet qeverisëse do të dëmtojnë rëndë fshatin dhe bujqësinë në vitin e vështirë që kemi hyrë. Bllofet me ullirin apo me bletën, njësoj si ato për rritjen e paqenë ekonomike, vetëm sa rëndojnë gjendjen ekonomike dhe pritshmërinë për një jetesë dinjitoze në fshat. Në fakt, këto plane djallëzore, si ajo e dhënies së mefshtë me koncesion të 1.000 ha tokë shqiptare, fshehin pas tyre skema të tjera korruptive të qeverisë në ikje e sipër”, deklaroi dje Nënsekretari për Programin Politik në selinë rozë, Ervin Bushati.
Ndërkaq vetëm pak ditë më parë gjatë diskutimit të këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë, Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, pati deklaruar se kontrata parashikon që ullishta në këtë zonë të ngrihet brenda 7-vitesh dhe prej saj të prodhohen 10 tonë ullinj për hektarë. Gjana shpjegoi se programi për kultivimin e ullirit do të bazohet në një sërë programesh e studimesh pjesore, që janë kryer ndër vite, që disponohen nga strukturat e bujqësisë dhe mbi të cilat është bazuar puna e këtyre katër viteve. Sipas Gjanës, kontrata koncesionare me kompaninë “Agrotal-1” është parashikuar për 99 vjet dhe kjo duke patur parasysh jetëgjatësinë e ullirit si dhe kohën e gjatë, që i duhet për të hyrë në prodhim. Kreu i MBUMK-së, Gjana, tha se kontrata e koncesionit për kultivimin e ullinjve duhet miratuar, pasi është e rëndësishme në fushën e bujqësisë. Sipas kontratës, parashikohet që në komunat Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë në Kavajë, të kultivohen deri në një sipërfaqe prej 1000 hektarësh me ullinj.