E Diel, 1 Nëntor 2026

Erjon Braçe me lajmet e agjencive serbe, i bën presion Prokurorisë për hetimin e të afërmve të kryeministrit

TIRANE – Opozita e majtë ka vijuar sërish përmes kanaleve zyrtare që të sulmojë familjen e kryeministrit Berisha duke fabrikuar akuza pa asnjë bazë konkrete përkundrejt dhëndrit të kreut të qeverisë, Jamarbër Malltezi. Duke u mjaftuar te transmetimi i një lajmi nga një website me qendër në Beograd (www.balkaninsight.com) mbi pretendimin e zyrës që quhet Paneli i Inspektimit i Bankës Botërore për projektin e saj “Për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Bregdetit në Shqipëri”, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, pa saktësuar e verifikuar vërtetësinë e këtij raporti, por për më tepër, pa qartësuar termat e hartuesve të këtij raporti, në raport me statusin që ata kanë në Bankën Botërore, kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të nisë një hetim mbi këtë çështje.
Mbetet në dorën e Prokurorisë së Përgjithshme që të bëjë indiferentin përballë kërkesës për nënshtrim të saj nga ana e Erjon Braçes, apo të fillojë “hetimet kryesisht”, pse një agjenci serbe e lajmeve, ka shpërndarë disa akuza, që disa media shqiptare më pas, i kanë rimarrë “ekskluzivisht”, thjesht dhe vetëm duke vënë emra gazetarësh respektive në shkrimin “e vjedhur” nga agjencia serbe e lajmeve.
Me kërkesën e tij, më tepër se drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, Erjon Braçe duket se tenton t’i bëjë presion edhe Bankës Botërore, e cila me deklarimin e saj se do e shqyrtojë raportin e Panelit të Inspektimit në 17 shkurt, jo vetëm ka “zgjuar” padurimin e zëvendëskryetarit të grupit parlamentar të PS-së, por edhe i ka dhënë një mundësi atij që të bëjë zhurmën e zakonshme deri në mesin e këtij muaji.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›