“Gjatë hartimit të draftit të ligjit të dosjeve, janë marrë parasysh të gjitha grupet e interesit”

PD, e sigurt në zbatimin e ligjit të dosjeve
TIRANE - Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka reaguar menjëherë pas ankimimeve të bëra në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Prokurorëve dhe opozita, të cilët e kanë konsideruar “Ligjin e Dosjeve” si antikushtetues. Duke sqaruar kushtetueshmërinë e këtij ligji Bumçi ka deklaruar se Kuvendi i ka ofruar të gjitha grupeve të interesit mundësinë që të bëjnë kontestimet e tyre për këtë draft para se ai të miratohej dhe të vihej në zbatim, sipas tij “gjithë kjo histori është zhvilluar para syve të opinionit publik, qëndrimet tona kanë qenë shumë të qarta, bëmë dhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, që ishin shoqata e të përndjekurve politikë, grupi i të drejtave të njeriut, qendra për rehabilitimin e traumës dhe torturës”.
Zëdhënësi i PD-së, Aldo Bumçi ka deklaruar më tej se “ka qenë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që nuk ka marrë pjesë në seancën dëgjimore, por të paktën Kuvendi, ne këtë rast Komisioni i Ligjeve e ftoi të ishte në seancën dëgjimore ku do merreshin parasysh dhe mendimet e tyre”, tha Bumçi.
Sa i përket zbatimit të ligjit, i cili tashmë ka hyrë në fuqi, Bumçi sqaron se “ende nuk ka nisur puna për ngritjen e autoritet të verifikimit të figurës, organi që do të hetojë të kaluarën e zyrtarëve të administrates”.
Lidhur me komisionin e verifikimit të figurave, Bumçi deklaroi se “shoqata të shoqërisë civile që në aktivitetin e tyre prekin çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, me çështjen e të përndjekurve politikë, me rehabilitimin e tyre”.
“Pra, e gjithë kjo është një gamë e gjerë kështu që mund të propozojnë kandidatura. Nuk ka hapa konkret mesa jam në dijeni”, përfundoi zëdhënësi i grupit parlamentar në PD Aldo Bumçi.