E Diel, 1 Nëntor 2026

S’mund të ketë kompromis me 14 milionë eurot që Edvini do t’i privatizojë

Paniku, dhuna dhe arroganca e Edvin Ramës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak kanë lidhje me tentativën për të përvetësuar 14 milionë euro nga taksapaguesit e kryeqytetit. Asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet pa detajimin e projekteve që i korrespondojnë kësaj shume, përndryshe precedenti do të jetë shumë i rrezikshëm për demokracinë e pushtetit vendor. Këshilltarët e PD-së kërkojnë disiplinimin e projektbuxhetit të bashkisë së Tiranës, para sesa ai të marrë votat e këshilltarëve të të gjithë krahëve politikë

TIRANE - Këshilltarët e Partisë Demokratike deklaruan dje se buxheti i bashkisë së kryeqytetit ishte  destinuar të përdorej për interesa të ngushta të kryebashkiakut Edi Rama, për blerjen e medieve dhe ushtrimin e shantazheve ndaj tyre dhe për financime të dyshimta, me karakter fushate elektorale. Kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, siguroi qytetarët e kryeqytetit se këshilltarët e kësaj force do të vazhdojnë të qëndrojnë në mbrojtje të interesave të tyre për të mos lejuar shpërdorimin apo grabitjen e asnjë qindarke të komunitetit.
“Edi Rama u kap në flagrancë, duke i hequr buxhetit të bashkisë të paktën 14 milionë euro, duke marrë nga projektet për ndërtime rrugësh, shkollash, kopshtesh, qendrash komunitare, parqesh apo lulishtesh, të paktën 14 milionë euro dhe për ti fshehur ato në xhepa të padukshëm personalë”, tha Poni.
Ai theksoi se procesi i votimit i takonte një spektakli të shëmtuar dhe të rrezikshëm që Edi Rama u shiti qytetarëve të Tiranës në vend të buxhetit lokal që ata prisnin. “Denoncojmë para opinionit publik, spektaklin e shëmtuar dhe të rrezikshëm të Edi Rama, provokimin, zhurmat, kakofoninë, mashtrimin dhe rrugaçërinë që Kryetari i Bashkisë Tiranë shfaqi personalisht, e që kishin vetëm një qëllim; të fshihnin të vërtetat e hidhura të projekt-buxhetit, të fshihnin shkeljet flagrante të ligjit, të cilat i zbuloi Grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike”, u shpreh Poni.
Kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, shtoi se Edi Rama i refuzoi qytetarëve dhe qytetit të Tiranës edhe rreth 14 milionë euro të tjerë që këshilltarët e Partisë Demokratike propozuan të shtoheshin në buxhetin e investimeve të reja për vitin 2009, duke shkurtuar shpenzimet e pafund të personelit dhe të administratës së fryrë pafund dhe për qëllime personale e elektorale nga Edi Rama.
“Blerja e drejtuesve të mediave, apo deputetëve, apo këshilltarëve, apo partive politike, ose reklamat partiake a fushatat elektorale nuk kanë lidhje me interesat dhe nevojat e qytetarëve të Tiranës. Prandaj dhe ne nuk mund t’i lëmë këto 14 milionë euro pa destinacion. Me gjithë përpjekjet tona si këshilltarë të pozitës, Edi Rama refuzoi t’i adresonte këto 14 milionë euro, refuzoi t’ia kthente ato buxhetit të bashkisë, madje shkoi deri atje sa prishi votimin vetëm që të mos kthente 14 milionë eurot. Këto 14 milionë euro nuk mund të shkojnë për të ngopur babëzinë e Edi Ramës”, nënvizoi Poni.
Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike garanton qytetarët se për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të eliminuar babëzinë e kryebashkiakut, do të rrëzojë kurdoherë buxhetin, për të votuar buxhetin që PD propozon për Tiranën dhe qytetarët e saj, sepse në vend që t’i japë Tiranës buxhetin që meriton ai po kërkon t’i imponojë qytetit buxhetin e tij personal dhe elektoral

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›