E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria zbret 11 vende,tani e 91-ta

 

Shqipëria ka zbritur 11 vende në klasifikimin mujor të FIFA-s. Dy humbjet e fundit kundër Hungarisë dhe Danimarkës kanë dhënë efekte të menjëhershme në renditje. Shqipëria pozicionohet aktualisht në vendin e 91-të, duke mbetur edhe pas skuadrave të kalibrit të Ruandës, Zelandës së Re apo Mozambikut. Disa muaj më parë, kur kuqezinjtë renditeshin në vendin e 80-të, apo në vendin e 76-të, Ari Han u mburr para mediave holandeze, duke deklaruar se Shqipëria ndodhej në këto pozita vetëm falë tij, sepse në të kundërt nuk kishte asnjë shans. Tani që kuqezinjtë kanë përfunduar në vendin e 91 dhe kanë humbur 30 pikë vetëm muajin e fundit, zor se holandezi do të pranonte se edhe në këtë rast “merita” është e tija. Gjatë epokës “Han”, Kombëtarja shqiptare ka pasur luhatje të vazhdueshme në klasifikimin e FIFA-s, rezultati më i mirë ishte vendi i 76-të në majin e vitit 2008, ndërsa ai më i keqi ishte në vendin 102-të, në kohen kur futbolli shqiptar u pezullua nga arena ndërkombëtare për shkak të konfliktit qeveri-FSHF. Skuadra jonë përfaqësuese nuk fiton ndeshjet në transfertë që prej 6 qershorit 2007, kur nën drejtimin e Bariçit mundën 3-0 Luksemburgun, ndërkohë që nuk shënojmë gol që prej shtatorit të vitit 2008. Kombëtarja është në vendin e 5-të në grup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›