Muzetë, 2030 objekte të grabitura në kërkim
ALMA MILE
Janë të dokumentuara 2030, por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Pas rënies së diktaturës, ata që ua dinin vlerat i çuan sytë kah trashëgimia kulturore. Me shitjen e këtyre objekteve mund të fitohej shpejt dhe pa mundim të madh. Kështu, gjatë viteve të tranzicionit numërohen me mijëra objektet e humbura, shumë prej të cilave kanë përfunduar tregjeve të botës dhe shumë pak janë kthyer në atdhe. Janë gjetje arkeologjike mijëra vjeçare, objekte etnografike, armë e tekstil, kostume popullore e objekte fetare... Sipas katalogut të humbjeve në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore në Tiranë, numri i objekteve të deklaruara të humbura kapin shifrën 2030. Por ndërkohë numri i tyre mendohet të jetë disa herë më i madh, por nuk janë të deklaruara. Mësohet se objektet e humbura janë deklaruar nga 24 institucione si muze, galeri arti, etj. Humbjet i përkasin kryesisht periudhës para vitit 2000 dhe më së shumti vitit 1991, pra menjëherë pas rënies së diktaturës dhe gjatë vitit të tmerrshëm ‘97. Janë 1875 objekte të tilla, që janë grabitur, apo deklarohen të humbura nga institucionet. Ndërsa pas vitit 2000, numërohen vetëm 155 syresh. Harta e humbjes së objekteve, përfshin gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga Gjirokastra, deri në Peshkopi. Por në bazë të së dhënave numri më i madh i objekteve të humbura, plot 513, i përket Muzeut Historik të Matit, i cili rezulton tërësisht i shkatërruar. Një tjetër institucion që vijon listën e humbjeve me një numër të konsiderueshëm është instituti i Kulturës Popullore me 248 objekte, për të vijuar me Muzeun e armëve në Gjirokastër, ku sot mungojnë 163 objekte, apo me muzeun e Tepelenës, etj. Sipas specialistëve, gjetja e tyre është gati e pamundur, sepse në shumicën e rasteve mungojnë fotografitë e objekteve, apo dokumentacioni i saktë. Shpresa mbetet tek ato objekte që janë skeduar dhe janë shpallur në kërkim. Vetëm në sajë të këtij dokumentimi, janë bërë të mundura kthimi në atdhe i shtatoreve të Artemisës dhe Apollonit, kokës së Asklepiusit, apo kokës së Livias.
Nëse vlerën monetare që mbajnë objektet e humbura do ta mbledhim, nuk përbën ndonjë tragjedi për buxhetin e shtetit, pasi vlerat e tyre janë qesharake. Specialistët kanë kohë që e ngrenë problemin e rivlerësimit të pasurisë që zotërojnë muzetë dhe institutet tona. Nëse këto objekte do të vlerësoheshin me vlerën reale të tregut, atëherë do numëroheshin me miliona lekë. Një problem ky, që jo rrallë herë është ngritur nga ana e Shoqatës së Restauratorëve Shqiptarë dhe shefi i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, Frederik Stamati, në duart e të cilit kalojnë gjithë objektet që kanë nevojë për restaurim. Vlefta e vogël monetare, ndonjëherë edhe mungesa e dokumentacionit të duhur ka bërë që objektet e muzeve tona të bëhen pre e grabitjeve, apo edhe e dëmtimeve, për shkak të kushteve të mjera në të cilat ruhen shumë syresh. Numërohen me gishta ato muze, të cilat zotërojnë një infrastrukturë të rregullt, brenda normave të ruajtjes së objekteve arkeologjike dhe etnografike, ndërsa pjesa më e madhe më së shumti i shkatërron, se sa i ruan objektet. Madje, ndonjë qytet nuk ka fare godinë ku të ruhen objektet. Me këtë problem haset Lezha (pa muze), apo Shkodra, e cila i ruan objektet në fond dhe nuk i ekspozon për mungesë të hapësirës. Elbasani gjithashtu nuk ka fare muze. Ai u prish në kohën e trazirave të ‘97-s. Ndërsa në Sarandë vetëm tani ka filluar ringritja e muzeut me rikonstruksionin e godinës dhe objektet e mbledhura rishtas arrijnë në 200. Krejt i shkatërruar është edhe muzeu i Bajram Currit.
Objekte të kthyera
- Portreti i Herkulianës
- Portret vajze
- Portreti i Agripës (Germanikut)
- Shtat Artemisi
- Shtat djali (Apoloni)
- Statujë vajze
- Pa kokë (Afërdita)
- Koka e Zeusit të Asclepius
- Portreti i Livias
- Është në proces, edhe pse ende nuk është gjetur një statujë vajze e zbuluar në Finiq, vjedhur më 2002-in