Fullani: Kreditë me probleme do rriten
Kriza globale ka dhënë efektet e saj negative edhe në ekonominë vendase. Eksportet kanë rënë po ashtu edhe të ardhurat e emigrantëve. Gjatë muajve të parë të këtij viti kreditë me probleme janë rritur. Kreditë me probleme pritet të pësojnë rritje edhe gjatë muajve në vijim. Si rrjedhojë e të gjithë këtyre faktorëve rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë më e ulët se në 2008-ën. Gjatë samitit rajonal të guvernatorëve dhe bankierëve të zhvilluar pak ditë më parë në Mal të Zi, kreu i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka renditur të gjitha efektet e krizës globale në ekonominë e vendit.
Kriza
“Ndikimi i krizës financiare ndërkombëtare filloi të ndihet mbi sektorin financiar në Shqipëri në tremujorin e fundit të vitit 2008. Zhvillimi kryesor lidhej me rritjen e ndjeshmërisë së publikut ndaj kursimeve të tyre, të vendosura në sektorin bankar. Njerëzit filluan t’i tërhiqnin depozitat, pavarësisht nga monedha e këtyre kursimeve. Në fillim, nuk ushtrohej asnjë presion mbi kursin e këmbimit, por ai erdhi në rritje në momentin kur u vu re një kontraktim i fluksit hyrës në valutë, për shkak të rënies së eksporteve dhe të remitancave. Cilësia e portofolit të kredisë filloi të përkeqësohet dhe në fund të muajit prill 2009, kreditë me probleme arritën në 8 për qind të totalit të tepricës së kredisë. Ne presim, që kjo shifër të rritet edhe më tej, duke qenë se të dhëna nga ekonomia dhe nga vrojtimet lidhur me pritshmëritë e bizneseve, si dhe një ngadalësim i theksuar i kredidhënies, të çojnë në përfundimin se rritja ekonomike në vitin 2009 do të jetë shumë më e ulët, sesa në vitin paraardhës. Për shkak të rënies së marzhit të së ardhurave nga interesi dhe rritjes së provigjioneve, disa banka kanë filluar të akumulojnë rezultate financiare negative” është shprehur guvernatori i Bankës së Shqipërisë Fullani. Në një situatë të tillë sipas guvernatorit është shumë e rëndësishme që të rritet kredidhënia në monedhën vendase.