E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erler: Shpresoj për dialog në Shqipëri

Deputeti socialdemokrat gjerman Gernot Erler, pas vizitës në Shqipëri vlerëson se situata politike në vend është e tendosur. Sipas tij, nuk mund të ecet përpara, nëse vazhdon një bllokadë e tillë e politikës. Në një intervistë dhënë për DV, ai thekson se kjo situatë ka qenë për shkak të bojkotit të socialistëve në parlament, të cilit ata i dhanë fund pak kohë më parë.
 

“Por në bisedat që unë zhvillova atje, kontstatova se do të duhet ende kohë deri sa të vendoset besimi reciprok. Unë përjetova një skenë interesante në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert me rastin e 20 vjetorit të fondacionit. Në të merrte pjesë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, dhe erdhi edhe kryeministri Sali Berisha. Të dy lëvduan punën e fondacionit. Por në televizionet në Shqipëri tërhoqi vëmendjen fakti që të dy politikanët nuk arritën t`i jepnin dorën njëri-tjetrit edhe pse ishin në një distancë prej 1 metër e gjysmë larg”, shprehet Erler.
 

I pyetur se si e parashikon të ardhmen në politikën e brendshme në Shqipëri, dhe nëse do të ketë shtrëngim duarsh, deputeti gjerman shprehet optimist.
 

“Situata megjithatë vazhdon të jetë e tendosur. Ka akuza për abuzim me pushtetin dhe fajësimet reciproke nuk marrin fund. Por unë shpresoj që duke pasur parasysh edhe perspektivën e integrimit evropian, të dyja palët ta kuptojnë se nuk mund të ecet përpara, nëse vazhdon një bllokadë e tillë e politikës”, përfundon Erler.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›